Rafaela Prifti/
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani do flasë sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në selinë qendrore në Nju Jork. Në mbledhjen e sotme do paraqitet raporti gjashtëmujor i Përfaqësueses së Posaçme të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore António Guterres, Drejtuesja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Zyra e Presidencës së Kosovës ka njoftuar se në fjalën e saj kreu i shtetit do të flasë për arritjet dhe reformat, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit në Kosovë, duke pasur si pikë kyçe “nevojën për drejtësi ndaj krimeve të kryera nga serbët në Kosovë”.
Fjala e Presidentes Osmani në Këshillin e Sigurimit do të shoqërohet nga rrëfimet e katër të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Pak ditë më parë në OKB u paraqit projekt-rezoluta për ta shpallur 11 korrikun “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtesës së Gjenocidit në Srebenicë 1995.” Teksti, i formuluar ngjashëm me rezolutën e miratuar dhjetë vjet më parë kundër gjenocidit në Ruanda, është propozuar nga Misioni i Republikës së Ruandës dhe i Gjermanisë. Vendet anëtare që e kanë mbështetur janë Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Holanda, Finlanda, Franca, Italia, Irlanda dhe Sllovenia.
Për të arritur deri tek njohja e gjenocidit nga ana e OKB-së duhet të ngjizen tri komponentë: ligjet ndërkombëtare, aleancat politike dhe procesi hetimor. Rezoluta pritet të votohet nga 193 vendet anëtare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në datën 2 maj, një numër më i zëshëm se procedura votuese me 15 anëtarët permanentë të Këshillit të Sigurimit. Përfaqësuesit serb kanë protestuar si për projekt-rezolutën ashtu edhe për anën procedurale sepse në të kaluarën njohja e gjenocidit në Bosnje është penguar ngaqë Rusia ka vendosur veton.
Ekspertët ndërkombëtarë thonë se miratimi i kësaj projekt-rezolute i jep fund mohimit të gjenocidit në Bosnjë si edhe mundëson ecjen përpara.