Nju Xhersi, 21 shtator 2022 – Dita e dytë e manifestimit “Java Kulturore Shqiptare në SHBA” vazhdoi të mërkurën me prezantimin e punës shkencore të ITShKSh-së në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdale të Nju Xhersit, mbase më e madhja në mesin e komunitetit shqiptar në SHBA.
Ekipi nga Shkupi u mirëprit nga kryetari i kësaj qendre, Astrit Zhaku dhe bordi udhëheqës, me të cilët u njoftuan me multifunksionalitetin e qendrës, e cila është themeluar që nga viti 1977.
“Një prej hallkave që do të lidhë fushëveprimin e këtij komuniteti me ITSHKSH –në do të jetë Departamenti i Mërgatës i cili së shpejti do të zyrtarizohet. Prandaj tash e tutje bashkëpunimi në mes mërgatës dhe ITShKSh-së do të vendoset në kuadër të një bashkëpunimi institucional, ku nuk do të mungojnë idetë dhe projektet me interes të përbashkët”, tha drejtori i Institutit, Skender Asani. Ai njoftoi të pranishmit me shtrirjen e segmenteve të punës hulumtuese e shkencore të ITShKSh-së në terren, sidomos me qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore, njëra nga të cilat do të funksionojë edhe në Strugë, e cila do të mbulojë Pellgun e Ohrit dhe do të mbaj emrin e rilindësit të kësaj treve, Dervish Hima. Domosdoja e themelimit të kësaj qendre në Strugë lidhet me nevojën e hulumtimit në tërë Pellgun e Ohrit, si në aspektin e kontinuitetit të pandërprerë gjeografik të hapësirës shqiptare, po ashtu edhe në aspektin e pasurisë materiale e shpirtërore nga kjo trevë, ku gjithsesi bëjnë pjesë edhe figurat e lavdishme historike si dhe shumë ngjarje që ishin pjesë e zhvillimeve të përgjithshme me karakter gjithëkombëtar, u shpreh Asani.
Të pranishmit i përshëndeti edhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit, Izmit Nura, i cili i informoi bashkatdhetarët lidhur me aktivitetet që po ndërmarrin bashkë me Ministrinë e Diasporës së Maqedonisë së Veriut, për lidhjen më të ngushtë të mërgatës me vendlindjen.
Më tej para të pranishmëve u paraqitën me fjalë rasti kryetari i Këshillit të Institutit, Sevdail Demiri, sekretari shkencor Sefer Tahiri dhe studiuesi Zeqirija Ibrahimi – kryeredaktor i revistës “Studime albanologjike”.
Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Nju Xhersit, kryesisht me origjinë nga rajoni i Strugës, kërkuan nga përfaqësuesit e Institutit që në të ardhmen të jenë përçues të zërave nga diaspora që kërkojnë më shumë arsimim, kulturë e dije në gjuhën shqipe.