Prof.Dr.Roland Gjini/
Në këtë rast shkrimi, që po paraqesim, ka për qëllim të prezantojë disa nga përmasat dhe kontributet e intelektualit të shquar elbasanas, Ahmet Hastopalli. Është ndër ato figura që diktatura komuniste jo vetëm i shpërfilli por edhe i hodhi baltë e akuza me qëllime denigrimi. Ai u mohua për dekada të tëra nga rregjimi komunist, sepse “faji” kryesor i tij ishte që i përkiste borgjezisë së pasur, se urrente komunizmin, gjithashtu edhe sepse ishte i lidhur me krahun politik të Shefqet Vërlacit.
Qëllimi i shkrimit tonë nuk është zbërthimi në detaje i figurës së Ahmet Hastopallit. Për këtë do të nevojitej një studim i thelluar e i kujdesshëm, mbështetur në burime e të dhëna të plota. Por nga njohja më e përgjithshme e jetës dhe e aktivitetit të këtij intelektuali, shpalosen qartë dimensionet e tij jo vetëm si njeri i ditur e me kulturë por, edhe si veprimtar aktiv, në çështjen kombëtare e në politikë. Përkushtimi i tij atdhetar, jo vetëm nuk mund të mohohet, por, as nuk mund të zbehet nga pozicionimi i tij, në momentet e ndjeshjeve të ashpra politike të viteve ‘20-’30, përkrah ndonjë figure që nuk gëzonte reputacionin e duhur.
Ahmet Hastopalli është lindur në vitin 1894 në qytetin e Elbasanit. I përkiste një familjeje të pasur borgjeze me tradita qytetare e atdhetare. Mësimet e nivelit të parë e të dytë fillori ka marrë në shkollat e qytetit të lindjes. Shkollën e mesme e ndoqi në gjimnazin e Selanikut në Greqi. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, ndoqi e përfundoi në Turqi arsimin e lartë për drejtësi.
Ahmet Hastopalli është një ndër intelektualët e parë të arsimuar e të formuartë qytetit të Elbasanit. Shtrirja e aktivitetit të tij është shumëplanëshe. Ai veproi dhe u shqua si atdhetar e mbrojtës i çështjes kombëtare, militant i përhapjes së arsimit shqip, mbrojtës i kulturës kombëtare, botues, politikan. Që në moshë të re, kur ndiqte gjimnazin në Selanik, u përfshi në çështjen e lëvizjes kombëtare dhe të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve. Ka qenë sekretar i shoqatës së studentëve shqiptarë që ndiqnin studimet në këtë gjimnaz. Në atë kohë drejtoria e gjimnazit të Manastirit përjashtoi nga shkolla nxënësit shqiptarë, që ishin hedhur në grevë proteste kundër diskriminimit që ushtronte ndaj tyre drejtoria e kësaj shkolle. Ahmet Hastopalli dhe shoqata ku ai bënte pjesë, jo vetëm u solidarizuan me grevën e vëllezërve të tyre në Manastir por, kërkuan ndihmën e patriotit Bajo Topulli, drejtor i gjimnazit të Selanikut në atë kohë. Me ndërmjetësinë e tij bënë të mundur rikthimin në gjimnaz të nxënësve të përjashtuar. Po gjatë kohës që ndiqte gjimnazin e Selanikut, Ahmeti ruante lidhje të vazhdueshme me lëvizjen patriotike në qytetin e tij të lindjes. Ishte ndër iniciatorët e aktivistët kryesorë të shoqërisë së të rinjve “Drita” që u ngrit në Elbasan për përhapjen e shkrimit e këndimit shqip jo vetëm në qytet, por edhe nëpër fshatra.
Si militant i lëvizjes kombëtare Ahmeti u dallua edhe në Stamboll, gjatë kohës që kryente studimet e larta. Me dorën e tij ka ngjitur në mure afisha me deklaratat patriotike të studentëve shqiptarë, mes të cilëve edhe të Dervish Himës, në katër gjuhë, të dërguara nga Korfuzi pasi qeveria turke i largoi nga universiteti i Stambollit.
Pasi përfundoi studimet e larta në Turqi, u kthye në Elbasan në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Situata në atdhe ishte tepër e vështirë. Shqipëria kërcënohej nga një copëtim i ri. Në këto kushte, Ahmet Hastopalli i formuar intelektualisht dhe i përkushtuar për çështjen kombëtare, u bë një ndër aktivistët e njohur të kësaj çështjeje në qytetin e Elbasanit. Në vitin 1920 ishte drejtues i shoqërisë kulturore të miqve të artit “Afërdita”. Në verën e vitit 1920 organizoi bandën muzikore të kësaj shoqërie, që të shëtiste rrugicë më rrugicë e shtëpi më shtëpi të qytetit, duke ekzekutuar himne e marshe, për të mbledhur ndihma për luftëtarët trima që luftonin në Vlorë kundër pushtuesit italian. Ai së bashku me drejtuesit e tjerë të kësaj shoqërie artistike pranoi ftesën e komitetit dhe Komisionit të Luftës së Vlorës në fund të gushtit të vitit 1920, që banda “Afërdita” të shkonte në Vlorë për të festuar fitoren mbi italianët. Kjo bandë shkoi në Vlorë dhe në 3 shtator dha koncerte në festimet e mëdha që u kryen në këtë qytet me rastin e çlirimit.
Pas vitit 1920, Ahmet Hastopalli bëhet një përfaqësues i njohur i qarqeve politike në trevën e Elbasanit. Në rrjedhën e përplasjeve politike ai përfshihet në krahun e Shefqet Bej Vërlacit. Merr pjesë gjallërisht në fushatën elektorale për zgjedhjet e para parlamentare dhe rreshtohet në partinë “Përparimtare”, grupim politik me tendenca të theksuara nacionaliste. Duke gëzuar reputacion të mirë ai arrin të fitojë vendin e deputetit në Parlamentin e parë shqiptar, të votuar në mënyrë demokratike. Si anëtar i parlamentit, ai mori disa herë fjalën, duke u ndalur në çështjet e ruajtjes së pavarësisë dhe në bashkimin kombëtar. Ai vazhdoi të fitojë vendin e deputetit në disa legjislatura në parlamentet shqiptare të viteve 20’-30’.
Ahmet Hastopalli bëhet i njohur veçanërisht me botimin e fletores-gazetë, “Elbasani”. Kjo gazetë u botua nën drejtimin e tij në vitet 1922-1925. Dilte një herë në javë. Numri i parë doli në 25 nëntor 1922. Gjatë tre viteve që u botua, pati disa ndërprerje të vogla. Numri i fundit u botua në 26 tetor 1925.
Gazeta Elbasani trajtonte probleme të ndryshme, kryesisht shoqërore e politike. Botonte edhe lajme të brendshme e të jashtme, si dhe shkrime të ndryshme letrare nga autorë të vendit, sidomos nga shkrimtari i njohur, miku i Ahmet Hastopallit, Haki Stërmilli. Numrat e parë të gazetës përkojnë me festimet e 10 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë kombëtare. Ja ç’shkruhet në editorialin e numrit 2 të kësaj gazete, datë 28 Nëntor 1922: “Tani sikur e kuptojmë ma mirë atë ditë me shi e me erë të Nandorit dhe aq ma tepër na ka anda t’a kuptojmë, sa shtohen mot e nga mot palët e vjetëve që kalojnë. Po! Sa e shohim ma së largu në pasqyrën e vëmendjes s’onë, aq ma e bukur na ngjan kjo ditë e kurorëzimit të shpresave të kombit shqiptar.”
Vitet e para të botimit të gazetës që drejtonte Ahmet Hastopalli përkojnë edhe me aktivitetin e tij si deputet i Elbasanit në Parlamentin e parë shqiptar. Në faqet e kësaj gazete ai shpesh shpaloste edhe idetë e tij për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar. Ndër idetë bazë që mbronte Ahmeti për të ardhmen e vendit ishin drejtësia dhe kushtetutshmëria. Në kryeartikullin e Nr. 4 të shkruar prej tij thuhet: “Burimi kryesor, mbështetja ma me randësi e veprave dhe e marrëdhanjeve qi kanë sjellë shoqnit njerzore në fatbardhësi, pa dyshim asht drejtësia, ideali i parë dhe i prapëm i njerëzimit. Pa ktë nuk do të ishte gja e mundëshme qytetnimi, përparimi, qetsija dhe sigurimi i shpirtit e i pasunis.”
Në vjeshtën e vitit 1923, në faqet e kësaj gazete kishte edhe shkrime për fushatën elektorale për zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese që do të mbaheshin në dhjetor të atij vitit. Në këto shkrime shihet qartë përkrahja ndaj grupit elektoral “Pleqësia”, ku bënte pjesë Ahmet Hastopalli. Por vihet re se replikat me gazetën “Ura e Shkumbinit”, të grupit të tij kundërshtar, “As i Pashës as i Beut” nuk i kalojnë caqet e etikës së luftës elektorale.
Në faqet e gazetës “Elbasani” shkruan mjaft personalitete, intelektualë e shkrimtarë të njohur të vendit e të qytetit si Ndre Mjeda, Haki Stërmilli, Aleksandër Xhuvani, Taq Buda, Kasem Sejdini, Ahmet Gashi, shkruan përkthyes, mjekë, avokatë e agronomë. Ahmet Hastopalli u dallua edhe në fushën e përkthimeve, duke shqipëruar disa drama e poezi të huaja. Gjithashtu edhe vetë ka shkruar veç artikujve publiçistikë edhe letërsi artistike.
Qëndrimin e vet atdhetar Ahmet Hastopalli e tregoi edhe pas pushtimit fashist të Shqipërisë. Nga Tirana ai u ftua për të marrë pjesë në grupin e intelektualëve shqiptarë që do t’i dorëzonin mbretit italian që ishte shpallur edhe mbret i shqiptarëve, Viktor Emanuelit, kurorën e Skënderbeut. Por, Ahmeti e refuzoi në mënyrë kategorike këtë ftesë, duke mos u pajtuar me këtë veprim. Në vitin 1941 u emërua prefekt i Elbasanit, por këtë detyrë e ushtroi për një periudhë të shkurtër. Pas disa muajve dha dorëheqje të prerë.
Gjatë Luftës Antifashiste formimi i tij intelektual dhe bindjet e tij nacionaliste dhe të djathta, bënë që ai ta urrejë që në fillim komunizmin dhe rrugën që po ndiqnin komunistët që gjatë viteve të luftës. Vdiq papritur në prill të vitit 1944 nga një atak në zemër, në moshën 50-vjeçare. Kjo vdekje e ndau shpejt nga aktiviteti dhe qyteti i tij, por njëkohësisht nuk i dha mundësi pushtetit komunist, pas çlirimit, për ta përndjekur e persekutuar fizikisht.