TIRANË, 9 Janar/ -Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu nëpërmjet një videoje prezantuese tregon në gjuhën shqipe për veten e tij, për familjen dhe vendlindjen e tij, si dhe tregon se çfarë pret të bëjë dhe të arrijë në Shqipëri.
“Quhem Donald Lu dhe jam shumë i gëzuar që Presidenti Obama më ka zgjedhur mua si ambasador të SHBA-së në Shqipëri”, tregon ambasadori Lu me një shqipe të pastër.
“Si shumë amerikanë, edhe unë jam djali i një emigranti. Babai im erdhi në Amerikë nga Kina dhe ka punuar shumë për t’u dhënë fëmijëve të tij shanse që ai nuk i ka patur vetë. Ajo ishte ëndrra e tij amerikane”, rrëfen Lu.
Unë, vijon Lu, “e di që t’u sigurojmë një të ardhme më të mirë fëmijëve tanë është një ëndërr që si amerikanët dhe shqiptarët e ndajnë me njëri-tjetrin”.
“Si ambasador jam i angazhuar të mbështes përpjekjet e popullit shqiptar në ndërtimin e insitucioneve demokratike. Ta bëjmë Shqipërinë aleat më të fuqishëm të NATO-s dhe të punojmë me Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE”, thotë ambasadori Lu.
Më pas, ambasadori prezanton edhe gruan e tij Arielën. ‘Kjo është gruaja ime Ariel që do të vijë me mua në Shqipëri së bashku me fëmijët’.
“Jam rritur në Kaliforninë e Jugut pranë njërit prej plazheve më të bukura në Amerikë. Arielës dhe mua na pëlqen të ngjitemi në mal dhe të luajmë me fëmijët tanë në plazh. Sapo të arrijmë në Shqipëri kemi në plan të vizitojmë malin e Dajtit dhe bregdetin tuaj të mrekullueshëm”, thotë ambasadori Lu.
“SHBA dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta dhe gjithashtu kemi shumë gjëra për të bërë së bashku. Pres me kënaqësi t’ju takoj në Shqipëri dhe të dëgjoj mendimet tuaja për ato që mund të arrijmë bashkë”, përfundon prezantimin e tij ambasadori i ardhshëm i SHBA në Tiranë, Donald Lu.
Karriera e ambasadorit Donald Lu
Në muajin nëntor të 2014, senati amerikan ka konfirmuar Donald Lu si ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Ambasadori Lu është votuar nga senati amerikan, ndërsa kandidatura e tij ka qenë e bllokuar prej korrikut të vitit 2013 për shkak të politikave të brendshme të SHBA.
Donald Lu u propozua si ambasador i Shqipërisë nga Presidenti Barack Obama më 25 korrik, dhe pason ambasadorin Aleksandër Arvizu, i cili ka shërbyer në vendin tonë që më 10 nëntor të vitit 2010.
I lindur në vitin 1966 në Huntington Beach, Kaliforni, Donald Lu ka marrë gradat Bachelor dhe Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Princeton në 1988 dhe 1991.
Lu ka shërbyer si vullnetar i Korpusit të Paqes në Sierra Leone gjatë viteve 1988-1990, ku ndihmoi për të rivendosur puse të ujit dhe kontribuoi në edukim shëndetësor atje.
Lu nisi karrierën diplomatike në vitin 1990, ku ka punuar në konsullatën në Pakistan; si zyrtar konsullor në ambasadën e Tbilisit në Gjeorgji dhe si asistent i veçantë i ambasadorit Frank Wisner.
Ai ka punuar gjithashtu si zyrtar ne ambasadën e Nju Delhit në Indi. Nga 2003 në 2006, Lu ka punuar në ambasadën e Bishkekut në Kirgistan dhe pastaj në Baku të Azerbajxhanit.
Lu është i martuar dhe ka dy fëmijë. Lu flet KRIO, Urdu, Hindi, rusisht, gjuhën gjeorgjiane dhe atë të Azerbajxhanit.( Kortezi: Gjergji Mima)
Illofoto says
Te gjithe ambasadoret amerikane jane autoritetet me te konsoliduara dhe me te dashur per Popullin shqiptar , per arsyet , qe dihen . Ambasadorin Lu e simpatizova me shume , sepse kishte mesuar shqip . Foli dhe Zonja e tij .Folja shqip , eshte nje merite plus . Personalisht e simpatizova edhe si njeri dhe famijar . Kur po shprehej Lu , mu kujtuan deklaratat histerike te Topallit , kunder ambasadorit amerikan para ardhes . Problem , qe do ta trajtoj me gjate . I uroj familjes Lu sherbim te sukseshem ne Shqiperine demokratike . I. Foto
shefqet says
Urimet me te mira Shkelqesise se Tij, Ambasadorit Lu dhe familjes se Tij, per misionin diplomatik ne Tirane. Shqiptaret ne vijim te thellimit te miqesise me popullin dhe shtetin amerikan, presin shume nga cdo ambasador, vecanerisht lehtesimin e vizave dhe kohezgjatjen e tyre. Prezantimi i Tij i sinqerte e familjar si dhe shqipja e thjeshte jane shpredhenese per shqiptaret ne SHBA e Shqiperi. Eshte gjeja me e bukur qe tashme ne Ambasaden e SHBA flasin shqip shumica e diplomateve bashke me ambasadorin Lu.
Shefqet Kercelli