Një Zonjë e rrallë për zemrat e Shqiptarëve, u ngrit në piedestal nga personalitete më në zë të Evropës dhe Amerikës./
Dora d ‘Istria/
Shkruan: Pertefe Leka/
Lë të jetë,100-vjetori i Ditës së Nënave,proklamuar me 9 Maj 1914,nga presidenti Willson,një përkujtimore për të nderuar princeshen e gjithvirtytshme me origjinë shqiptare,Elena Gjika, e cila rrezatoi dituri në disa kontinente. Ajo qe nënë për një kohë të shkurtër por për një kohë të gjate nuk rreshti së shkruari për mbrojtjen dhe emancipimin e grave në Shqipëri dhe në botë. Shkrimtari i madh amerikan Longfellow,me krenari kishte shkruar me 1880:”Dora d’Istria energjikisht mbron të drejtat e grave” (“ I believe she strenuously maintains the Rights of Women”Nahant July 22,H.W.L.)
Ajo ,edhe për gratë Amerikane duhet të jetë një shembull I shkelqyer ,”Një yll brilant”
(To the women of America she must ever be a shining example,”a brilliant star”)
Ajo,në të vërtetë ishte bërë e njohur në rrethe të larta akademike, por fama e saj arriti deri tek njerëzit më të thjeshtë.
Për këte, mora shkas nga letra që vajzat shkodrane i drejtohen me admirim,mbretëreshës shpirtërore të tyre,Elena Gjikës.
Nderim
“Thone se je e ambël,e mirë,se zemren e ke të madhe po si të hollë ke menden ,bijë kreshnikësh,por edhe motra jonë;
Thonë se natyra yte asht e denjë per SKEPTER ,Prej njerit pol te tjetri,gjithkush kështu shprehet.E në zemrat arbnore tashma ke nji mbretni;Por na ,qi nuk kemi nji skepter ari,nji Fron…Nji Pende argjendi ,dhunti ta japim.Asht dhunti e vogël,nji mend;por difton sa të don e të nderon secili Arbnor!
Shkodër e Arbnisë”
2 Prill 1881
Vajzat shkodrane,me mirënjohje të thellë,ia dërgojnë shkrimtares së ndritshme, Princeshës Dora d’Istria,Nji Pendë Argjendi, me anë të A.Leonardo De Martino(1830-1923) prej Greci,M.O.
Kush janë vajzat shkodrane që e nderojnë me shumë respekt e admirim,motrën e tyre, Elena Gjikën.
Ato janë nxënëset e shkollës femërore që u themelue nga motrat stigmatine në vitin 1878,në Shkodër.
Këto institute u bënë një burim frymëzimi dhe emancipimi kulturor,por edhe një qendër për gjallërimin atdhetar të vajzave shqiptare.
Në ato shkolla pranoheshin vajzat e të gjitha religjioneve (myslimane e ortodokse dhe nga të gjitha viset shqiptare).Aty përfitonin jo vetëm një zhvillim kulturor por edhe pajiseshin me dije që të bëheshin të zojat me drejtue familjen dhe si rrjedhim të ishin të dobishme edhe për Atdheun.
Motrat Stigmatine,në Shkodër, nuk vepruan në një terren të zbrazët,Ato gjetën një qytet që kishte akumuluar dituri që nga lashtësia,kështu misioni i tyre si ndërlidhëse të kulturave,pavarësisht detyrave fetare, qe efektiv.
Me të drejtë është thënë se Shkodra është djepi i kulturës dhe i dijes dhe nuk është për t’u habitur se aty kanë filluar studimet shumë personalitete të shquara të kombit tonë,dijetarë,shkencëtarë,filozofë,poetë,arkitektë,fotografë shkrimtarë,piktor,kompozitorë etj.Disa prej tyre vinin nga ekstremi jugor i Shqipërisë,me religjione të ndryshme
Në Medresetë dhe bibliotekat e Bushatlinjeve, mori dijet e shkollës së mesme(pas mësimeve të para në Prevezë) eruditi nga Çamëria, Hoxha Hasan Tahsin(1812-1881), dijetar i shkallës botërore,pararojë i Rilindjes Kombëtare.
Po në Shkodër mori edukimin e parë në Kolegjin Jezuit Saverian,dhe në biblioteken e tyre shumë të pasur,Faik Konica,(1875-1942) një ndër figurat më të mëdha të kulturës shqiptare.
Pa lënë në harresë edhe numrin e madh të personaliteteve
shkodrane që janë të kalibrit botëror,si At Gjergj Fishta, promotor i edukimit femëror në shkollat stigmatine.
At Fishta,si drejtori i parë shqiptar i shkollës françeskane, zëvendësoi italishten me gjuhën shqipe në të gjitha lëndet mësimore.Me një zell të madh, At Fishta, i njohur si Homeri Shqiptar,përveç të tjerave shkruante edhe drama posaçërisht për vajzat e shkollës stigmatine.
Vetëm një të përmendësh,në mes të shumë e shumë dramave shqipe ose të përkthyera në shqip, melodramen “Shqyptarja e Qytetnueme”.Ishte krijim i Atë Fishtës, me pseudononimin Gegë Toska(vetëm nga ky pseudonim mund të njohësh Shqiptarin e Madh) .Pa hy në përmbajtje e në detaje,drama ka një domethënie të veçantë,emancipimin e vajzës shqiptare, edukimin dhe qytetërimin e saj nepërmjet shkollimit.
Për këte Fishta pohonte:”…Grueja do të jetë zojë e jo robneshë në shpinë e vet ……gruaja asht po njaj diell qe tue shndritë me urti e njerezi,shpinë robit do t’a kthiell…Shpirti i saj asht i njemendtë,bartës i dinjitetit dhe përgjegjësisë njerëzore,me fjalë të tjera ,shpirti për të cilin flasin të gjithë religjionet,profetët e poetët.
Në këto shkolla,përveç mësimeve fetare, merreshin njohuri nga kultura evropiane pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria.E veçanta ishte se aty mësonin për historinë e popullit tonë,për personalitetet e shquara të mbarë kombit shqiptar.
Nga kjo njohje vajzat shkodrane ia drejtojnë falenderimet dhe mirënjohjen, atdhetares më të ditur me origjinë shqiptare, Dora d’Istrias.
Këte prejardhje e paraqet më mirë ,poetesha vjeneze, Jozefina Knorr:”Elena jo vetëm rridhte nga një gurrë fort e kulluar shqiptare që ishte e shtrenjtë për shqiptarët, por edhe se ajo iu kushtua terësisht çështjeve te tyre”
Elena Gjika ishte e lindur princeshë (1828-1888,në Rumani,) e edukuar me pedagogë më në zë të Europës dhe e klasifikuar si enciklopedi e gjallë.
Ajo ishte një humaniste e pashoqe,një studiuse me visione të qarta politike në shërbim të popujve të shtypur të ballkanit e veçanërisht të Shqipërisë.Ajo ishte publiciste e shkrimtare përparimtare në lëvizjen kulturore të Evropës,me mendime progresive për emancipimin e gruas dhe barazinë gjinore.Pozita e gruas në shoqëri ka qenë pjesë e kërkimit të saj shkencor.
Mjafton të përmendim vetëm një prej shumë veprave të tjera, “Gratë e Orientit”, në të cilën, thekson edhe vlerat e gruas gege,gruas toske ,e veçanërisht të gruas çame nga ku kishte edhe prejardhjen nga nëna.
Ajo popullarizoi çështjen shqiptare në qarqet evropiane,përkrahu Rilindjen Kombëtare,duke mbajtur lidhje me veprimtarë të shquar si De Rada (109 letra)..etj
Ajo dha mendime të vyera për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Kur poetesha shkoi në Amerikë,me 1880,ndermjet shume personaliteteve amerikane takoi poetin Henri Longfellou(1807-1882),i cili e kishte shkruar poemën për Skenderbeun që në vitin 1873.
Në pritjen që shkrimtari i madh rezervoi për princeshën ishte shumë entuziast që po e nderonte Zonjën në fjalë në mes shumë të ftuarve (”We have a house full of people; and today a wallachian Princess, Dora d’Istria,is coming to dinner”)
Princesha me origjinë shqiptare,ishte shumë entuziaste për poemën “Scanderbeg” të Longfellou –t, të cilën me aqë mjeshtëri e përktheu,gjeniu i letrave Fan Noli në Boston me 1916
Ndër të tjera Princesha i foli me pasion shkrimtarit amerikan edhe për Shqipërinë e shqiptarët.Plaku i urtë Longfellou,pas shumë vlerësimesh, për Zonjën e mençur, për karakterin,për sjelljen,për paraqitjen dhe për gjithë formimin e saj, mbivlerësoi tek ajo, Thjeshtësinë,( the supreme excellence is simplicity) sepse aty lartësohej madhështia e saj.
Kur Princesha rumune me origjinë shqiptare u bë qytetare nderi e Athinës,ajo vizitoi në Miselengj,varrin e Boçarit duke thënë”U luta që të shoh një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të Madh flamuri që ai e ka mbajtur me lavdi në njëqind beteja.Na u realizoftë kjo aspiratë”.
Ndërsa për Epirin ajo shkruante:”Grekët duhet të mësohen ta konsiderojnë Epirin për ate që është në realitet, domethënë të shohin në të Toskërinë dhe cilido që do të orvatet të vendosë mbi fatin e shqiptarëve pa pëlqimin e tyre, shpejt ka për t’u ndeshur me vështirësitë e pakapërcyeshme që është në kundërshtim me idetë e kohës sonë.”
Ajo ishte edhe piktore e shquar dhe alpiniste e guximshme.
Jo me kot Garibaldi e quan Elena Gjikën “Motra ime Trime”
E për këte kontribut mbarë kombëtar, vajzat shkodrane të edukuara në një institucion fetar,ku koncepti i mirënjohjes zinte pjesën më të madhe të kulturës së tyre,i kanë kaluar caqet e mirënjohjes individuale në mirënjohje kolektive.Ata kanë bashkuar firmat e 300 vajzave të varfra,por shumë të pasura në virtyte të larta,që ditën të vlerësojnë mendjen,punën,sjelljen,sakrificën e një atdhetareje shqiptare.
Kjo dashamirësi e tyre ka shërbyer si mjet ndërlidhes për të ofruar raportet njerëzore.Ato ishin shumë larg fizikisht nga Elena Gjika, por xhesti i tyre, sa njerëzor dhe fisnik u bë parim, u bë institucional,duke marrë vlerë universale të dobishme për njerëzimin.
Ky veprim njerëzor i vajzave në fjalë ka prodhuar shumë energji pozitive që vijnë të shumëfishuara deri sot tek ne.Ato i bënë një nderim jo vetëm institucionit të tyre,kulturës qytetare shkodrane por mbarë Shqipërisë duke lartësuar një zë të fuqishëm të kulturës evropiane dhe botërore.Ato së bashku shprehen mirënjohjen e tyre duke e ngritur princeshën në fronin e mbretërisë së diturisë, të fituar prej saj, si nga të rrallat gra që qëndrojnë në krye të inteligjencës,shqiptare,evropiane e botërore.
Ato e kishin mirëmenduar rolin e skeptrit mbretëror, duke I dhuruar, motrës së tyre vetëm një pendë,pa xhevahire dhe flori,por që simbolika e asaj pende ishte sa modeste aqë dhe e madhërishme.Parafytyroje Statujën e Elena Gjikes, me pendën në dorë si statuja e Jupiterit që mbante në dorë një skeptër.
E me të drejtë mbretëresha shpirtërore e vajzave shkodrane u përgjigjet denjësisht:
“E mora me mend pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura,të cilat do të kisha deshirë t’i përqafoja një ditë.Uroj që kjo pendë më e fortë se një skepter të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë,atdheut tim të nderuar”
Për ta pasur në qendër të kujteses,Dora d’Istrian, duhet të perjetësohet në vepra Arti siç bëri piktori arkitekt,Kolë Idromeno,i quajtur” Mikelanxhelo i Shqipërisë”,me portretin e Motres Tone.
Shqipërisë sot nuk i mungojnë artistët për ta përjetësuar bukurinë fizike dhe shpirtërore të mbretëreshës së grave shqiptare,Elena Gjika, në një statujë me pendën në dorë, duke firmosur aktin e bashkimit siç e kishte në mendje,kur ajo shkruante:”Uroj që bashkimi,zgjuarsia dhe veprimtaria e shqiptarëve të mos lejojnë që vëmendja e paqëndrueshme e Evropës të përqëndrohet gjetiu! Sot vitet vlejnë shekuj, historia ecën me hapa të shpejtë para syve tanë, kjo nuk duhet harruar kurrsesi”
E kjo ditë do të vijë, siç shkruante Dora d’Istria “Të mos ketë më gegë,as toskë,as lebër as çam,por vetëm bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros,dhe të Skenderbeut”
Është një dëshirë e madhe që ta shohim Statujen e saj,si shembëlltyrë të gjallë, në qytetin që ajo dëshironte të përqafonte motrat e saj, për t’ju rrëfyer atyre,fjalët e urta për të ardhmen.
Shqiptarët,janë të nderuar sot, ta festojnë ditën botërore të Nënave,sepse i dhuruan njerëzimit, Nobelisten,Nënë Tereza dhe mbretëreshën shpirtërore të grave,Dora d’Istria.
Prandaj sot më shumë se kurrë, na duhet ta forcojmë institucionin e mirënjohjes që bota të na mbështesi më mirë për vlerat tona pozitive.
Poeti shkodran Zefi I Ndokë Illis prej Jubanit i cili e kishte njohur personalisht Dora d’Istrian i ka kushtuar këte poezi:
Ti je nji yll e n’a shndrit Arbnin/Me dije ,me t’mira e me bukuri/ Me dashtni tande je tui n’a pertrin /Nji gazmend të math e nji lumni/
Drita e mendes s’ate asht tui lulzue /Si drita e syve asht sjellë për mbi ne /Perendija për t’mirë t’on t’ka krijue,e me sjelle marë dhen t’onë ti ke le/
Ndër hyj ti pra je regjinesha,/Që “Dora d’Istria t’emnojnë,/
Për Shqypni ti je begtaresha,/Që gjithkund e ktu të nderojnë./Po!Shpnesa e ambel je për ne,/
Pse zemra jote asht fort e mirë/
Sjelli sytë e t’e mos harro këte dhe,/
Të kesh edhe për ne mall e deshirë./
Shqiptar Çam says
Intelektualja Atdhetare z.Pertefe Leka nepermjet shkrimeve te rralla na tregon se kush jemi dhe ke duhet nderuar. Figura te tilla si Elena Gjika e kane shprehur haptas SHQIPTARINE e TE GJITHA TROJEVE dhe MERITOJNE TE KUJTOHEN NDEROHEN dhe FALENDEROHEN PER VEPRAT E TYRE ATDHETARE!
Faleminderit z.Pertefe per BURIMET E PASHTERSHME TE SHQIPTARIZMES qe Jeni USHQYER, dhe na I PARASHTRONI!