Gerta Cami, kur dashuria për artin tejkalon kufijtë, stilistja e fustaneve për “princesha” në të gjithë globin, në shtator, sfilatë për fëmijë në Filadelfia
Intervistoi: Eneida Jaçaj
Kur e dëshirojmë fort atë që bëjmë apo atë që duam të arrijmë, dashuria në vetvete ka një forcë magjike që të mbërthen, duke depërtuar në çdo qelizë dhe duke shpërthyer pasionin edhe nga skutat më të errëta të mendjes, shkëndijat e së cilës kalojnë çdo kufi të imagjinatës. Të punosh fort për atë që dëshiron, për pasionin që të përmbush shpirtin dhe të bën të ndihesh i lirë në qenien tënde, nuk ka as uragan dhe as Perëndi që të ndal! Përmbushja e shpirtit është një detyrë që secili e ka ndaj vetes, mision i cili i jep peshë dhe botëkuptim qenies së ekzistencës së njeriut, të bën të ngrihesh mbi re, dhe, që nga aty, të shohësh mbi botën, duke menduar se nuk je njeri i vogël, por njeri që i përket ëndrrave të mëdha. Arti qëndron brenda individëve me botëkuptim, me imagjinatë të pashfrenuar, dhe me një shpirt të pasur me dritë; syri i artistit sheh përtej asaj që sheh një njeri i zakonshëm, nëse në fund të tunelit ka errësirë, artisti do të gjejë një grimcë shkëndije dhe me të do të krijojë dritën e jetës dhe forcës. Arti buron nga një shpirt plot ngjyra vezulluese, me energji dhe vibracione pozitive, që e injekton në mjedisin përreth, është si flladi i mëngjesit, që të jep ndjesinë se ka ende shpresë. Këtë ndjesi të bukur që të jep të bërit art, e gjejmë te vajza mjaft e talentuar dhe punëtore, Gerta Cami, stilistja e fustaneve për princesha të vogla, ku dashuria e saj për profesionin i ka kaluar kufijtë globalë. Gerta Cami ka përfunduar studimet për Inxhinieri Tekstile dhe Modë, në Universitetin e Tiranës, e më pas ka përfunduar Masterin për Menaxhim Ndërmarrjesh Tekstile. Aktualisht jeton në Miçigan, është një vajzë mjaft e talentuar, pasi stilon fustane mjaft të bukura për vajza të vogla. Ajo ka hapur një faqe në instagram “@princess_bygerta”, nga ku publikon të gjitha punimet e saj, dhe deri më tani ka kryer porosi në 55 shtete të botës. Kush dëshiron të stilojë një fustan për ditë të shënuara apo evente të ndryshme, mund ta kontaktojë Gertën në instagram, dhe me pasionin dhe dëshirën e saj për profesionin, porosia do të kryet në kohë rekord. Gerta është një vajzë e re, e talentuar dhe mjaft punëtore, e cila ka menduar që së shpejti të ketë markën e saj, duke hapur një dyqan në Amerikë dhe një në Angli. Madje, së shpejti, në muajin shtator, Princess by Gerta do të realizojë sfilatën për fëmijë në Filadelfia. Nëse i hidhni një sy instagramit, ata nuk janë fëmijë të paguar, por punime të Gertës që ia kanë dërguar nënat, pasi kanë mbetur të kënaqura. Për të bërë princeshat tuaja të lumtura, në ditë të veçanta, kontaktoni Gertën, ku do të gjeni talentin, komunikimin dhe një punë të shkëlqyer!
-Përshëndetje Gerta! Ju jeni një nga ato vajzat e reja, plot guxim dhe talent, për të ndërmarrë iniciativa të reja në fushën e biznesit dhe jo vetëm. Pra, ju talentin tuaj e keni investuar në të mirën tuaj materiale, por duke plotësuar edhe nevojën e shoqërisë. Ju, aktualisht jetoni në Miçigan, ndërkohë keni 4 vite që keni hapur “@princess_bygerta”, ku punoni fustane për vajza të vogla. Për të gjithë ata që do t’ju shohin si frymëzim dhe pikë referimi, mund të na tregoni se si lindi pasioni dhe dëshira për të stiluar fustane për princesha të vogla? Cila ishte shtysa që ju bëri të hapnit atelien tuaj, për ta zhvilluar më pas sa më shumë këtë biznes?
Dashuria për të stiluar fustane princeshash, lindi krejt rastësisht. Unë qepja fustane për femra, për dasma dhe raste të ndryshme, dhe, gjithmonë i mbaja copat që më tepronin; kur më doli mundësia që të vija në Amerikë, gjatë kohës që prisja për letrat, fillova të punoja fustane për fëmijë me copat e mbetura. Kështu filluan kërkesat për fustane të ndryshme, pra, nga këtu nisi çdo gjë…
-Cila është e veçanta apo risia që ju identifikon juve si stiliste, në punimin dhe publikimin e fustaneve për princesha të vogla?
Do të thoja që fustanet tona kanë një ndërthurje të së thjeshtës me detaje dhe materiale, që i kthejnë fustanet në fustane princeshash. Koha rekord e qepjes është një tjetër veçanti e jona, ndërsa risi do të thoja se është që, në profilin tonë të instagramit, fëmijët nuk janë modelë të paguar për të reklamuar fustanet, por janë klientet tona që na kanë dërguar fotot e fëmijëve me veshjet tona.
-Përpos dëshirave dhe ideve që japin klientët tuaj, ju përpiqeni të fusni edhe individualitetin tuaj në stilimin e një fustani?
Sigurisht që komunikojmë me shumë klientë çdo ditë nga e gjithë bota, dhe, në cdo rast mbledhim sa më shumë informacione rreth ideve të tyre për fustanin ideal, dhe, pastaj japim sugjerimet tona, se çfarë do të ishte më e përshtatshme për eventin përkatës, për mosha të caktuara; dhe, kur na kërkojnë modele që nuk janë modelet tona, gjithmonë gjejmë një mënyrë që fustani të personalizohet nga ana jonë, ose ka pasur raste që nuk e kemi vazhduar si porosi. Një gjë shumë e bukur është sepse shumë që na ndjekin, kur shohin një fustan Princess by Gerta të veshur nga dikush tjetër, ato e njohin direkt stilin tonë, të gjithë e njohin një fustan Princess by Gerta!
-Cili stil është më shumë në trend sot?
Unë, personalisht, nuk i jam përmbajtur apo ndjekur trendet e momentit, por kam atë stilin tim që ka funksionuar dhe është pëlqyer te veshjet e fëmijëve. Unë mundohem që fustanet të jenë të rehatshëm dhe të përdoren më shumë se një herë, që mund të kthehen nga të gjatë në të shkurtër, stile fustanesh që fëmijët të jenë mjaftueshëm të thjeshtë dhe për një darkë. Fëmijët vetë tërhiqen nga personazhet e Disney, ose duan fustane të fryrë si princesha, duan ngjyrën rozë, dhe, këto kërkesa, përsëri mundohemi t’i thjeshtëzojmë duke i drejtuar në stilin tonë të fustaneve.
-Çfarë është ajo që ju frymëzon më shumë, ajo që ju bën të shpërthejë talentin tuaj, dhe të jepni më të mirën tuaj?
Kur shoh fëmijët që u shndrisin sytë kur vinë te dyqani për të parë, dhe nuk ikin pa veshur një fustan, ose kur një gocë e vogël thotë që rri çdo ditë në instagram, duke parë fustanet tona (dhe jo vetëm gocat e vogla, por dhe mamat na thonë që i lamë pa punë, duke parë instagramin tonë), ose kur mamat na falenderojnë pa fund që u kemi zbukuruar ditëlindjet me fustanet, ose kur shoh ndonjë copë të bukur dhe direkt fillon imagjinata.
-Cili është stilisti juaj i preferuar, i cili ju frymëzon më së shumti në punimet tuaja?
Nuk kam një stilist të preferuar, por gjej shumë frymëzim nga ateliere ruse; kanë një punim perfekt që unë gjithmonë mundohem të arrij. Rrija me orë të tëra duke parë artin e tyre në veshje, si për të rritur, si dhe për fëmijë, pra, më tërheqin dhe frymëzojnë stilistë që ndoshta nuk janë me emër, por që bëjnë një punë shumë të bukur për mua.
-Ajo që është për t’u duartrokitur është se ju jeni bërë e njohur pothuajse në të gjithë botën. Nga sa vende të botës merrni porosi, dhe si keni arritur të zgjeroni kufijtë e njohjes së aktivitetit tuaj?
Duket si ëndërr që çdo ditë na shkruajnë dhe porosisin nga shtete të ndryshme. Duke i numëruar një ditë, kishim dërguar në 55 shtete në të gjithë globin. Disa bashkëpunime që kemi bërë me fëmijë blogerë, kanë mundësuar që Princess by Gerta të shihet, dhe pastaj filluan edhe porositë. Klientet kanë krijuar besim duke parë foto, video apo dhe duke komunikuar me ne. Dhe pak po mësojmë gjuhën indiane dhe arabe!
-Duke qenë se ju jeni në kontakt me klientë nga e gjithë bota, a ndryshojnë shijet e tyre, apo stili që pëlqehet është pothuajse i njëjtë, ndërsa modeli është ai që ndryshon?
Siç e përmënda më lart, një karakteristikë e fustaneve tona është ndërthurja e të thjeshtës me materiale ose detaje më për festa. Kjo gjë bën që fustanet të pëlqehen shumë nga të huajt (Veriu, Perëndimi i Europës si dhe USA), ndërsa shtetet e Azisë tërhiqen më shumë nga ngjyrat e forta të cilat ne i kombinojmë me modele shumë të thjeshta), pra, të gjitha shtetet gjejnë elemente që i pëlqejnë, dhe mundësia për ta porositur një model në ngjyrën që do klienti është një gjë që na favorizon për të qënë më afër mundësisë për të zgjedhur veshjet tona, sesa nga një atelier tjetër që i ka ngjyrat të limituara.
-Ju tashmë e keni përgatitur terrenin që biznesi juaj të jetë ndërkombëtar. A e keni menduar të hapni disa filiale, qoftë në Amerikë, apo në Europë, ku të keni markën tuaj të biznesit?
Po punojmë që Princess by Gerta të rritet çdo ditë si mark, që, në një të ardhme të afërt të hapim në USA dhe në UK nga një dyqan për të ekspozuar më shumë punimet tona, dhe pse momenti dhe e ardhmja janë më shumë të orientuar drejt dyqaneve online, ku ty nuk të viziton vetëm një klient vendas, por dyqanin tënd mund ta shohë çdo person që ka akses në instagram.
-A keni ndonjë projekt afatshkurtër në planet tuaja, si për shembull të zhvilloni një sfilatë ku të marrin pjesë fëmijë të emigrantëve shqiptarë të Amerikës, të cilat të prezantojnë punimet tuaja?
Pse jo, komuniteti shqiptar në USA ka qënë shumë mbështetës, si dhe një mikeshë gazetare më ka mbështetur për një ide, që shumë shpejt do ta vëmë në zbatim, në lidhje me një sfilat me fëmijët shqiptarë në Philadelphia.
-Sa e lehtë apo e vështirë është të ndërtosh apo zhvillosh biznesin, brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë?
Mund të them që është e lehtë ta hapësh një biznes, por ta mbash është si të rrisësh një fëmijë. Kërkon sakrificë, durim, do të duhet të mësosh çdo ditë në lidhje me punën, kërkon shumë përkushtim, konsistencë, të duash dhe të besosh në atë që bën; kur e bën me qejf dhe dashuri, çdo gjë duket më e lehtë. Nuk do ta ndaja nëse është më e vështirë në Shqipëri apo jashtë saj për të bërë biznes, sepse kudo që të jesh, pa ato gjërat që cilësova më sipër, do të mbetesh gjithmonë në fillim, asnjëherë nuk do të rritesh profesionalisht.
-Cili do të ishte mesazhi që ju do të jepnit për të gjithë ata të rinj të talentuar?
Unë kam dëgjuar që duhet të ëndërrosh në fillim dhe pastaj të punosh për të arritur ëndrrat e tua, ndërsa unë e kam mësuar ndryshe: puno fort për atë që do, dhe do të detyrohesh të ëndërrosh gjëra të mëdha…! Çdo ditë është një mundësi për të qënë një njeri më i mirë, një profesionist më i zoti dhe më i plotësuar!