*Ambasada amerikane: Reforma në drejtësi është bllokuar sërish/
Ambasada e SHBA-ve ka reaguar për herë të parë për reformën në drejtësi. Me anë një deklarate ajo konfirmon lajmet se reforma në drejtësi është bllokuar sërish.
“Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë. Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE. Nëse Z. Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik” – thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.
Në reagimin e SHBA-ve nuk thuhet se cila ishte kërkesa e re e kreut të opozitës Basha. Burimet nga grupi i negociatorëve thonë se ishte PS ajo që ngriti pretendime. Kryeministri Rama kishte premtuar të votonte çdo draft që merrte miratimin e SHBA dhe BE, por tashmë ka nxjerrë pretendime të reja.
*KOMISIONI I POSACEM: PD DHE LSI PRESIN PERFAQESUESIT E PARTISE SOCIALISTE/
Kur u mendua se gjithçka ishte në rregull dhe nesër do të kryhej votimi me konsensus, brenda pak orësh ndodhi një kthesë e madhe:Në orën 22:00 ambasada e SHBA-se del me një deklaratë ku akuzon se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paraqitur kërkesa të reja, që sipas ambasadës janë të papranueshme dhe që synojnë bllokimin e reformës.
Washingtoni i bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik, nse Z. Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij.
Ndërkohë prej orës 20:30 në tryezën e Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, ndodhen përfaqësuesit e opozitës dhe kryetari i grupit parlamentar te LSI-se, Petrit Vasili.
PD akuzon PS-në se me mosardhjen e deputetëve të PS rrezikon minimin e votimit të reformës në drejtësi seancën gjatë ditës së nesërme.PD kërkon që formula për vetingun të jetë dhe për 4 institucionet përfshi dhe KLP dhe KLGj-se.
“Përfaqësuesit e PS-së refuzojnë të mblidhen në komisionin e Reformës në drejtësi për të bërë këto ndryshime që janë absolutisht të domosdoshme. Mbledhja e këtij komisioni dhe miratimi i këtyre ndryshimeve që u ranë dakord dhe përshëndeten nga palët është esencial dhe i domosdoshmë, pra propozimi i Nuland të shkojë në parlament nesër. Moskryerja e kësaj séance, e këtij komisioni sot e bën të pamundur që nesër parlamenti të ketë mundësi të votojë propozimin e dakordësuar .
Moskryerja e kësaj seance, vë në rrezik votimin. PS po synon të fusë në mënyrë tinzare dhe pas asnjë lloj marrëveshje votën e vet të transferueshme. Kjo forlumë nuk funksionon në një komision me 10 anëtar dhe është e korruptueshme. Insistimi për ta bërë në mënyrë të njënashme është a- për ta deformuar konsensusin, b- për të marrë kontrollin e këtyre organeve. Nëse kalon dita e sotme nuk mund të paraqiten më amendamente të reja dhe vihen në rrezik propozimi i Nuland” deklaroi Oerd Bylykbashi.
Xhafaj: Projekti është gati për në seancë
“Ju kërkoj ndjesë se jeni detyruar të qëndronit deri në këtë orë të vonë për shkak të çudirave që prodhon politika shqiptare, të marrësive të njëpasnjëshme dhe të gënjeshtrave të radhës që nxjerr në çdo moment për t’i bërë bisht përgjegjësive që ka ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj partnerëve të vendit. Kjo që bëri sot dhe teatrit që po zhvillon Partia Demokratike dhe më vjen keq për kolegët që janë pjesë e komisionit, është një gjë e turpshme, nuk është korrekte me qëndrimet e veta, dhe me qytetarët e këtij vendi dhe me partnerët. Ju më pyetët a ka mbledhje komisioni? Dihet! Unë nuk ka ndonjë mbledhje komisioni që nuk e thërret kryetari. A mund ta thërrisja, po kam që nga mëngjesi që unë pres të bëj një mbledhje komisioni. Për çfarë do ta bëj? Për të shqyrtuar një çështje të caktuar.
Së pari, Kuvendi mund të mblidhet normalisht nesër. Ka një draft kushtetues, ka një projekt kushtetues, për të cilën është përgatitur e gjithë procedura e nevojshme parlamentare. Relatorët dhe unë kemi firmosur raportin që do t’i paraqitet seancës plenare për projektin kushtetues. A është ky i duhuri? Po themi ne! Po thonë SHBA! Po thotë BE. Ka dikush që nuk thotë dot po. Nga kjo pikëpamje projekti është gati.
Natyrisht kishte një çështje të mbetur pezull që ishte jetësimi i propozimit hibrid i zonjës Nuland i cili ishte propozim që konfirmonte qëndrimin e SHBA dhe BE. Atë propozim ne e kemi përfshirë në draftin që do të jetë nesër në mbledhjen e djeshme të komisionit të posaçëm parlamentar. Unë nuk mbaj përgjegjësi për opozitën që ka muaj të tërë që e bllokon dhe e bojkoton. Ishte pak qesharake pasi mbas kaq muajsh marrin pjesë në mbledhjen e komisionit”-tha se drafti është gati edhe në këtë formë për të hyrë në seancë normale Kuvendi.
Fleckenstein: Nuk më besohet! Më vjen keq!
Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka deklaruar se nuk i besohet që ka probleme të reja për reformën në drejtësi. Në një reagim në Twitter, i shkruan se është i mërzitur me atë çka po ndodh në Shqipëri.
Fleckenstein: Probleme të reja? Nuk më besohet. Jam shumë i mërzitur. Tani duhet të presim për votat nesër? Atëherë do ta shohim. Më vjen keq!
BE reagon
Në një reagim të minutës së fundit (Ora 23:30) nga zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian, thuhet se supozohet që angazhimi i kreut demokrat Basha të mbahej.
Reagimi: Shpresojmë se dakordësia e Bashës që iu bë Komisionerit Hahn është ende e vlefshme në tërësinë e saj. Kjo është çështje kredibiliteti personal dhe politik