PRISHTINË, 24 Janar 2016-B.Jashari/ Filmi “Shok”, i nominuar për çmimin Oscar, është shfaqur mbrëmë në Prishtinë në premierën e mbyllur, ku kanë marrë pjesë edhe pëfaqësues institucionalë të vendit e të pranisë ndërkombëtare.
“‘Shok’ është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe ky film ia ka hapur dyert filmave kosovarë që të jenë prezentë në ngjarjet më të mëdha të filmit siç është Akademia Oscar”, ka theksuar Qendra Kinematografike e Kosovës, organizatore e premierës.
Ndërsa, krerët e institucioneve të Kosovës vlerësimet dhe përshtypjet pas premieres së dhënë mbrëmë i kanë shkruar në ‘facebook’.
“Për ekipin dhe stafin e filmit ‘Shok’: faleminderit që e përjetësuat rrëfimin tonë. Ndihemi që tashmë e kemi fituar Oscarin tonë”, është shprehur sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas premierës.
“Faleminderit aktorëve dhe realizuesëve të filmit ‘Shok’. Sonte, në Prishtinë, na sollën atmosferën e mbrëmjeve të çmimit ‘Oscar’”, është shprehur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
“Sapo pash filmin ‘Shok’, të nominuarin e parë të Kosovës për Oskar. Bazuar në një ngjarje të vërtetë, trishtuese dhe zemërthyese, është film që na bëri tërë sallën të qajmë. Historia jonë shërbehet mirë nga këta aktorë dhe ky ekip. Urime edhe regjisorit James Donoghue”, është shrehur zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.
Është hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë.
Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi ‘Shok’, në 14 janar 2016, u nominua bashkë me 4 filma të tjerë për çmimin ‘Best Live Action Short Film’ në edicionin e 88-të të Oscars. Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.
“Shok” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producentë Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.