-Në Prizren u hap mbrëmë për të vijuar deri në 12 gusht Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në edicionin e 16-të, me temën “E ardhmja”/
PRIZREN, 5 Gusht 2017-B.Jashari/ Në qytetin e Prizrenit, më të madhin në jug të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, u hap mbrëmë për të vijuar deri në 12 gusht Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në edicionin e 16-të, me temën “E ardhmja”, ku përfaqësohen 50 shtete e do shfaqen 102 filma në gjashtë kategoritë garuese e edhe më shumë të tjerë.
“Nga një numër rreth 2000 filmave, kemi përzgjedhur 102 për kategori garuese dhe rreth 150 filma për mbi pesëmbëdhjetë programe të veçanta të festivalit, shumë prej të cilave i përkojnë edhe temës së këtij edicioni”, theksuan organizatorët.
Ata janë shprehur shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e filmave të regjisorëve nga Shqipëria dhe Kosova si dhe me cilësinë e përgjithshme të filmave për këtë vit, të festivaleve kryesore si Cannes, Tribeca, Berlinale, Sundance si dhe nga festivale tjera, europiane dhe rajonale.
Programi kombëtar do t’i ketë gjithësej 9 premiera që shfaqen për herë të parë në DokuFest nga 7 deri në 10 gusht.
DokuFest në këtë edicion ka një bashkëpunim të veçantë me Marubin-Muzeun Ndërkombëtar të Fotografisë në Shkodër. “Do të sjellim një ekspozintë, dy punëtori dhe një video-mapping nga koleksioni i Marubit”, bën të ditur drejtuesit e festivalit.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit edhe në një kryeqytet filmi çdo verë. Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016.