-Pritet të shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, që janë përzgjedhur nga një numër rekord -mbi 5 mijë aplikime/
PRIZREN, 5 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, është hapur Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në edicionin e 15-të, jubilar, i cili do të do vazhdojë deri në 13 gusht, në 6 programe garuese dhe 18 speciale.
Organizatorët paralajmëruan shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, që janë përzgjedhur nga një numër rekord -mbi 5 mijë aplikime, derisa mbahej ceremonia e hapjes së Festivalit, e zhvilluar në kinemanë mbi Lumëbardh.
Në programin e paralajmëruar, në një nga 6 kategoritë garuese – shteteve të Ballkanit, janë edhe filmat nga Kosova, si dhe dy filma nga Shqipëria: “Pritja” i Roland Sejko dhe “Selita” nga Elton Baxhaku e Eriona Çami.
“Behemoth”, një dokumentar nga regjisori dhe artisti kinez Zhao Liang bën hapjen e Festivalit, ndërsa filmi ikonik “Close Up” nga regjisori i ndjerë iranian Abbas Kiarostami do të jetë filmi i fundit-përmbyllës në këtë edicion.
“Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe eskpertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe në një konferencë të teknologjisë” , kanë bërë të ditur organizatorët.
Verën e kaluar, në DokuFest 2015 në qendër ishte tema e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni. Nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, 124 bënin pjesë në programet garuese.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.