Nga ILLO FOTO/Astoria- New York/
Shkencëtar i fushave eksperimentale, drejtues dhe organizator i suksesshëm i prodhimit të gjerë, analist i arritjeve shkencore, pedagog, prognozist i prodhimit dhe perspektivës së shkencës bujqësore – mjedisore. I tillë ishte Profesor Mentor Përmeti, i cili ndërroi jetë në Nju Jork, më 6 mars 2015. Aktiv dhe korrekt, në të tëra detyrat që iu ngarkuan në jetën profesionale dhe shoqërore, akademik Përmeti mbetet shembull për të gjithë brezat e fermerëve, specialistëve dhe shkencëtarëve të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, sot e në të ardhmen.
Gjatë luftës për çlirim, ai u aktivizua me armë në dorë kundër pushtuesit dhe, fill pas lufte, iu përkushtua arsimimit, duke u diplomuar agronom i lartë në Bullgari. Në punë e sipër, u vetëspecializua në disa degë të shkencës bujqësore, të drejtimit dhe të prodhimit të gjerë. Ia kushtoi jetën zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit.
Në Shqipëri funksionuan 18 institute kërkimore – shkencore, me personelin e nevojshëm dhe me bazën e duhur laboratorike – teknike. Në të gjitha rrethet funksionuan teknikume të arsimit të mesëm profesional, ku përgatitej i gjithë kontigjenti i mjeshtrave të prodhimit, për bujqësi, blegtori, mekanikë bujqësore, frutikulturë, peshkim e pylltari. Në tërë këtë proces të gjerë transformues, ka gjurmë të pashlyera dora e akademik Përmetit me kolegët e tij të punës dhe idealit. Ai shquhej për pasion, inteligjencë, erudicion të rrallë dhe, mbi të gjitha, për modesti e punë me ekipe të mëdha, me detyra gjithpërfshirëse.
I konsideronte shokë dhe të barabartë vartësit, por kur ata e tepronin në rrugën e vesit, tregohej i pamëshirshëm me gabimet, që vinin nga dembelizmi, egoizmi, hipokrizia dhe përvetësimi i punës së tjetrit. Nuk kam takuar një specialist, mjeshtër prodhimi, shkencëtar apo punëtor, që të ankohet për Mentorin, për arrogancë, fodullëk ose të dënimit pa të drejtë. Ai e peshonte punën dhe djersën e vartësve, me kandar floriri. Ishte shpirt demokrati, i pavarur. Respektonte me fanatizëm ligjet e shtetit dhe rregullat komunitare, duke u bërë avokat i denjë për njerëzit që dikush u mohonte të drejtat, i merrte nëpër këmbë ose i dënonte padrejtësisht.
Kishte besim tek shteti i fortë dhe i reformuar rrënjësisht. Kush ka pasur rast të bisedojë me Mentor Përmetin, për tema të mëdha apo edhe të dorës së dytë, ka vënë re se ai e ilustronte bisedën me shembuj të ngjashëm nga historia, gjeografia, luftërat, letërsia, arti, shkencat ekzakte, ato humanitare, me ngjarje nga kuvendet dhe logu i burrave, nga folklori, politika botërore, etj. Unë jam në moshë të shtyrë dhe një të dytë nuk kam hasur dhe as kam dëgjuar nga të tjerë, se në Shqipëri gjendet një burrë i këtij niveli të shpenguar në çdo lloj bisede, me burra, gra, të rinj dhe fëmijë të çdo niveli kulture, edukate dhe moshe. Kam pasur fatin ta njoh Mentor Përmetin dhe ndjehem i plotësuar, që jam student dhe nxënës i përjetshëm i tij.
Shteti komunist shqiptar, më saktë drejtuesit kryesorë të tij, ia njihnin meritat dhe zotësinë intelektuale, akademikut të madh, por nuk donin që ai të vlerësohej me të tërë bagazhin intelektual dhe kryesisht donin të errësohej figura e tij njerëzore. E krijuan shkakun për ta dënuar. Disa studentë dhe tre pedagogë, i vendosën fletërrufe. Nga kjo e emëruan kryespecialist në fermën e Lushnjës. Pozicioni i punës ishte i tillë, që nuk mund të përballohej nga një specialist, që ishte ndarë nga praktika e prodhimit të gjerë. Ferma ishte nga më të mëdhatë në Evropë. Menaxhonte 14 mijë ha tokë, ose 14 ferma të nivelit mesatar. Përveç prodhimit bujqësor, ferma kishte detyrë parësore të furnizimit të Tiranës me prodhime blegtore e perime, artikuj, që lidheshin me furnizimin ditor të popullatës, që mund të bëheshin shkak diskreditimi të politikës së partisë në pushtet.
Në Lushnjë u miqësua shumë me njerëzit dhe u bë më lushnjar se vendasit. Unë, si specialist, kisha më shumë nevojë për ndihmën e kryespecialistit, prandaj i ndenja shumë afër. U miqësuam me një besim të ndërsjellë të pazakontë. Jeta vërtetoi se dhe ai kishte nevojë për punën time si kryezooteknik. E justifikuam me punë e besnikëri miqësinë që lindi në ato kohë të trazuara. Këtë miqësi tonën, pa interes material, e ndau vetëm data e kobshme e vdekjes së Mentorit.
Vitin e dytë pas ardhjes së Mentorit në fermë dhe në vijim, prodhimi bujqësor, blegtoral, perimor, vreshti, investimet, patën një rritje të pa parë. Të njëjtin përmirësim patën dhe treguesit financiarë. U ulën të tëra kostot e prodhimit. Bilanci vjetor rezultoi me fitim, mbi planifikimin. Ky bum ekonomiko- financiar, nuk ishte spontan dhe as i veçuar. Në tërë vitet që pasuan, deri në ndryshimin e sistemeve, ferma e Lushnjës ishte një ekonomi e madhe prodhimi, ku zbatoheshin tërë rekomandimet shkencore të kohës. Toka, bimët dhe kafshët zhvilloheshin me një harmoni të pandërprerë, që garantonin rritje prodhimi progresivisht. Shkenca e kryeagronom Mentorit, ishte bërë metodë e përditshmërisë së punëve në terren. Jo vetëm kaq. Shkenca e Mentorit, kishte dhënë atë që pritej, në gjithë ekonomitë bujqësore të Shqipërisë. Farat e zgjedhura dhe të prodhuara në vend, bënë revolucionin e plotë të prodhimit, në drithëra, pambuk, luledielli, fasule e foragjere.
Mentori u transferua në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës dhe me vonë në Tiranë, në Komitetin e Shkencës.
Kur do ikja në Amerikë, u takova me Mentorin, më 15 qershor 1995. Ndenjëm 4 orë, në një lokal afër Librit Universitar. Ishte shpallur akademik dhe punonte ne Akademinë e Shkencave. Ishte shumë i mërzitur, nga fakti se specialistët po largoheshin nga vendi, por më vonë, u detyrua të largohej dhe ai vetë. Brengosej me disa zhvillime te Qeverisë Demokratike, që krijoi konfuzion të paparë, në investimet bujqësore, në pronën, në ndarjen e tokës së fermave për frymë, si dhe në zhvillimin spontan e shumë konfuz të bujqësisë kapitaliste. E takova edhe në Amerikë, në shtëpinë e vajzës së tij, Mira, e cila i shërbeu me devocion të lartë, për mëse një dekadë, që ai ndenji i mbërthyer në karrocën e invalidit.
Kur e takova në Amerikë, me kujtoi jetën në fermën, që ne i dhamë gjithçka kishim nga vetja. “Kemi bërë punë të mëdha në Lushnjë. Kur i kujtoj, me lehtësohen plagët e sëmundjes”, u tha atyre që ishin në atë bisedë. Ishte shumë i brengosur, që të gjitha qeveritë e tranzicionit, gjetën mënyrën, për t’iu shmangur përgjegjësive, lidhur me shkatërrimin e rrjetit inxhinierik të kullim- ujitjes. “Si ka mundësi, thoshte me zë të lartë, që për dy dekada, nuk rregulluan gjë nga katastrofa që krijuan me ndërgjegje të plotë. Me sa duket këta lloj qeveritarësh, nuk kanë ndërtuar asgjë vetë, në jetën e tyre. T’i shmangesh kësaj përgjegjësie, është tradhti”, shprehej ai.
Në jehonë të shqetësimeve të Profesorit dhe të gjithë opinionit të shëndoshë shoqëror, shkrova librin problemor “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion”, ku, veç të tjerave, kam nënvizuar mësimet e mëdha të Profesor Mentorit.
Bujqësia e sotme shqiptare, është shumë larg porosive dhe mësimeve të akademik Mentor Përmetit. Fusha më e rëndësishme e vendit kërcënohet nga përmbytjet dhe thatësia. Aktualisht më shumë se 200 mijë ha tokë kanë 25 vjet që nuk janë në qarkullim ekonomik. Recetat për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë, na i ka lënë të gatshme Mentor Përmeti. Heshtja e organeve shtetërore ndaj tokave të pashfrytëzuara është e pafalshme.
I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Profesor Mentorit, që e deshi me tërë fuqinë e shpirtit! Siç thotë populli ynë: “Iu bëftë varri dritë”!