Bledi Stefa/
Personalisht kam patur fatin e mirë të takohem vetëm njëherë me Prof. Muharrem Dragovojën, kur kam qënë student.Ishim në katin e pestë të Fakultetit aty ku ndodhej edhe departamenti jonë dhe tek gjithsejcili prej pedagogëve që mund të hasje, vihej re një gëzim i veçantë. Prof. Dragovoja kish njoftuar se do të ishte prezent atë ditë dhe pothuajse edhe ne studentët ishim bërë pjesë e organizimeve të kësaj vizite. Duke u prezantuar në prezencë të pedagogëve të tjerë por edhe studentëve, shtrënguam duart me profesorin i cili përmendi fjalët “suksese ju uroj në studime dhe me plotë bindje mund t’ju them që Gjeodezia është një degë e bukur”. Këto kanë qënë fjalët që unë mbaj mënd nga takimi me Prof. Rremën, ashtu sikurse e thërrisnin me dashamirësi dhe në konfidence kolegët e tij më të rinj…
Muharrem Dragovoja lindi në 11 Korrik 1928 në një familje nëpunësi, në Qytetin e Shkodrës.Shkollën fillore e kreu në Qytetin e Kukësit dhe gjimnazin në vendlindje. Në prill të vitit 1944 merr pjesë në luftën nacional-çlirimtare në formacionin e brigadës së IV Kosovare. Më pas kthehet në vendlindje ku merr pjesë dhe shërben në komandën e Qarkut të Shkodrës.Me rihapjen e gjimnazit, vazhdon studimet të cilat i përfundon në vitin 1948. Në muajin Nëntor të vitit 1948 i akordohet bursa për vazhdimin e studimeve të larta në Degën e Gjeodezisë, në Instututin e Lartë të Gjeodezisë, Aerofotorilevimit e Hartografisë, në Moskë, studime të cilat i përfundon në vitin 1953.
Me kthimin në atdhe, emërohet inxhinier në Drejtorinë Gjeologji- Gjeodezi- Rruga Ura të Ministrisë së Ndërtimit. Gjatë viteve 1953-1957 aktivizohet në punime të ndryshme gjeodezike, komisione dhe si pedagog i jashtëm pranë Institutit të Lartë Politeknik. Me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, emërohet Shef i Katedrës së Gjeodezisë, detyrë të cilën e kreu deri në daljen në pension (viti 1988, rreth 32 vite në detyrë).Gjatë punës pedagogjike, zhvillon leksione në lëndë të ndryshme në degët, Gjeodezi, Gjeologji, Ndërtim, Gjeografi etj.
Muharrem Dragovoja është botues i disa teksteve mësimore, artikujve shkencorë në ndihmë të prodhimit, monografive, manualeve, etj.Në vitin 1964 i akordohet titulli “Docent”.Prej andej në vitin 1994 merr titullin “Profesor” dhe në vitin 1996 merr titullin “Mësues i Popullit”.
Gjithashtu, bazuar në dokumenta rezulton që Prof. Muharrem Dragovoja ka qënë ndër themeluesit e Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë si dhe Kryetar i saj, për një periudhë relativisht të gjatë.Një nga fushat ku Prof. Dragovoja dha një kontribut të veçantë, ka qenë ajo e përgatitjes së teksteve mësimore dhe manualeve gjeodezike.Nën drejtimin e tij u përgatitën shumë programe mësimore dhe u zhvillua Dega e Gjeodezisë.U përgatitën gjithashtu një numër shumë i madh specialistësh të cilët punuan në drejtime të ndryshme në vitet në vijim.Për veprimtarinë e tij disa vjeçare, Profesor Muharremi është dekoruar me disa medalje dhe urdhëra. Me plot bindje mund të themi se Prof. Muharrem Dragovoja është një personalitet i madh, me kontribute të veçanta në zhvillimin e Gjeodezisë në vendin tonë. Në vitin 1994 kthehet në Moskë pranë familjes së tij, duke e vizituar disa herë vendin tonë.Ndahet nga jeta në 26 prill të vitit 2014.