
Profesor Emeritus Nicholas C. Pano dhuroi 1 mijë dollarë për gazetën Dielli. Ai iu përgjigj me bujarinë e fisnikërinë e tij fushatës së Vatrës për të mbështetur Diellin e Pavarësisë, një akt patriotik për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që vazhdon të botohet në botën shqiptare. Personaliteti i shquar i mërgatës shqiptare të Amerikës, Profesor Emeritus Nicholas C. Pano ka kontribuar në çdo fushatë të Vatrës me dekada. Ka kontribuar në çdo konferencë shkencore, simpozium apo takim atdhetar, komunitar e kulturor me Vatrën e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vatra e Dielli i shprehin falenderim e mirënjohje të përjetshme për mbështetjen.
Profesor Nicholas Pano e trashëgoi lidhjen me Federatën VATRA nga babai i tij Vasil Vangjel Pano, i cili ishte një nga anëtarët themelues të Degës # 4 Manchester, në shtetin New Hampshire të krijuar më 2 qershor 1912 nga Faik Konica. Siç tregon Profesor Pano, kur babai i tij u shpërngul në Boston në vitin 1922, u anëtarësua në Degën #1 dhe qysh atëherë e mbajti me besnikëri lidhjen me të deri në fund të jetës së tij. Gjatë viteve të shkollës tetëvjeçare dhe gjimnazit, Profesori Pano e shoqëronte babanë në takimet që organizonte VATRA ku rastiste të takohej me disa nga drejtuesit si edhe me editorët e Diellit në vitet 1940 – 1950 si Peter Tyko dhe Qerim Panariti. Profesor Pano e vazhdoi pa ndërprerje anëtarësinë në Vatër duke pasur karakteristikën e rrallë që është bir i një Vatrani i lidhur me Vatrën prej 112 vjetësh, qysh prej themelimit te saj. Në vitin 2000 Profesor Nicholas Pano u pensionua nga Universiteti Western Illinois ku ishte pedagog për thuajse katër dekada. Në pjesën më të madhe të karrierës akademike, ai ka qenë Profesor i Historisë dhe ekspert për Rusinë e Periudhës perandorake dhe atë sovjetike si edhe për Evropën Qendrore dhe Lindore. Edhe pas daljes në pension, Nik (siç e thërrasin të afërmit dhe miqtë) mban prezantime e kumtesa dhe leksione si i ftuar nderi. Është autor i disa botimeve e studimeve shkencore të fushës së historisë dhe një historian shumë i respektuar në rrethet akademike. Profesor Emeritus Nicholas C. Pano është nder dhe krenari për Vatrën, Diellin dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
*Në mesazhin e urimit për mbarësi dhe sukses të Vatrës e Diellit, Prof.Pano këtë dhuratë shprehet se e bën në nder të Sami Repishtit.