Naum Prifti
Profesori Newmark (1929-2022) është autor i fjalorit të madh dygjuhësh Oxford Albanian-English Dictionary, i cili shërben si referencë për studiuesit, përkthyesit dhe studentët e shqipes. Newmark-u është bashkëautor në tri libra për shqipen: Spoken Albanian, Standard Albanian, Readings in Albanian (Shqipja e Folur, Shqipja Standarte dhe Lexime në Gjuhen Shqipe). Ai ishte mbrojtës i ngjashmërive gjuhësore midis dialekteve tosk dhe geg të shqipes.
Në Leksikografinë dygjuhëshe të shqipes, në botimin e fjalorëve dygjuhësh nga Ilo Stefanllari, Ramazan Hysa, Ilo Duro, Pavli Qesku, renditet fjalori shqip-anglisht i Oksfordit (2000), me rreth 85,000 fjalë hartuar nga Leonard Newmark. Leksikografia shqipe pranohet se është fusha më e hershme dhe më e pasur në gjuhësinë tonë. Madje dokumentimi i gjuhësisë shqipe nis me një vepër leksikografike sic ishte Fjalori latinisht-shqip “Dictionarium latino-epiroticum” i Frang Bardhit 1635.
Profesorin Leonard Newmark (1929-2022) e njoha nga letrat e vëllait Peter R. Prifti shumë dekada përpara se ta takoja në Amerikë. Peteri vetë e njohu nga afër kur u largua nga Massachusets Institute of Technology (MIT) Boston dhe shkoi në Universitetin e Kalifornisë.
Në vitin 1982 Leonard Newmark, Philip Hubbard dhe Peter R. Prifti botuan Standard Albanian – A Reference Grammar For Students. Vëllai ma dërgoi librin në Tiranë me një dedikim të bukur:
Vëllait të dashur, Naum, I dhuroj me gëzim këtë vëllim mbi Gjuhën Shqipe që përpiluam këtu në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, unë dhe dy kolegë Amerikanë. Me respekt e dashuri, Pando, San Diego, 3 tetor 1984. (foto)
Atëherë nuk më shkonte kurrë në mend se vetëm një dekadë më vonë do isha mysafir në shtëpinë e Newmark-ut në La Jolla. Por kur vëllai më prezantoi me të, mu duk sikur po ritakoja një të njohur të vjetër.
Një nga kënaqësitë e vizitave të mia nga Nju Jorku në San Diego ishte shmallja me vajzën Julikën, nipin tim Eri, si dhe vëllanë. Për takimet me Profesorin Leonard mund të them se i mirëprisja me endje. Ai donte medoemos të na priste në shtëpinë e tij. Profesori dhe bashkëshortja e tij, Ruth përgatiteshin shumë seriozisht për vizitat tona, jo vetëm për të ngrënat e rastit por edhe për dhuratat (librat që donin të na i bënin peshqesh me këte rast) ndoshta ngaqë e dinin që edhe ne kishim dëshirë t’i jepnim suvenire shqiptare dhe botime të librave të fundit. Peter Prifti dhe Leonard Newmark ishin kolegë për disa vjet në Projektin e Gjuhes shqipe në Fakultetin e Gjuhësisë të Universitetit të Kalifornisë në San Diego dhe më vonë edhe bashkëautorë në libra gramatike dhe metoda të shqipes: Spoken Albanian, Standard Albanian, Readings in Albanian (Shqipja e Folur, Shqipja Standarte dhe Lexime në Gjuhen Shqipe).
Për përgatitjen e tri vëllimeve, Peter Prifti përktheu të gjithë materialin nga shqipja në anglisht, redaktoi të gjithë lëndën shqipe në librat Shqipja e folur dhe Lexime në Gjuhën Shqipe, në mënyrë që lënda t’i përgjigjej kritereve të gjuhës së njësuar letrare, si dhe zgjodhi dhe sistemoi leximet shoqëruese të tekstit. Bashkëpunimi i tyre ishte shprehje e respektit të ndërsjelltë profesional dhe personal për njëri tjetrin. Profesor Newmark e vlerësonte Peterin si specialist të gjuhës së folur, të shkruar dhe shprehjeve idomatike të shqipes por edhe si personalitet në fushën e albanologjisë. Fjalorin e Oxford-it shqip-anglisht i pajisur edhe me shprehje gjuhësore, Newmarku ia dhuroi Peterit me një përkushtim të vecantë në të cilin ai e quan ‘shkaktarin dhe nxitësin e interesimit të tij për leksikografinë shqiptare”. (foto)
Në bisedat tona diskutonim për strukturën e shqipes dhe lidhjeve gjuhësore të saj. Për profesorin, gjuha ishte shprehje jetësore e gjithë kulturës njerëzore dhe ai ishte thellësisht kureshtar dhe gjithmonë i interesuar për subjekte nga më të ndryshmet. Ai kishte aftësinë dhe mprehtësinë të shikonte shtresëzimet kuptimore dhe zbërthimet praktike edhe për tema në dukje të rëndomta sic ishtin rrethanat që mundësuan banimin e tij në një shtëpi në lagjen La Jolla në një kohë kur aty nuk lejoheshin të banonin hebrenj.
Vizitat zgjateshin me orë të tëra ngaqë koha shkonte pa u kuptuar në bisedat tona me subjekte nga më interesantet. Ne flisnim anglisht sepse profesori megjithëse kuptonte shumë nuk e kishte të lehtë të komunikonte shqip. Po ama gjithnjë përshëndetjet e mirëseardhjes dhe të përcjelljes bëheshin në një shqipe të bukur me fraza tradicionale sikur të ishte rritur në një familje me tradita shqiptare. Që aty ai e niste argumentimin e tij për ngjashmëritë dialektore të shqipes. Në San Diego dëgjoja sesi profesori e gjuhëtari amerikan vinte në dukje elementet e përbashkëta midis toskërishtes e gegërishtes ndërkohë që në Tiranë dhe Prishtinë i jepej hapësirë më e madhe argumentit të kundërt. Profesori ishte i kujdesshëm që të na dërgonte letra dhe kartolina për ditëlindje e festa të tjera.
Pas shumë vitesh mësova se ai ishte shumë i apasionuar edhe pas muzikës. Bashkë me disa shokë kishin formuar një bandë ku luanin pjesët e tyre të preferuara. Nëse e mbaj mend mirë ai luante në flut.
Newmarku u largua prej nesh fizikisht këtë vit por kontributi i tij për leksikografinë shqipe dhe referencat gramatikore janë dhuratë e pazëvendësueshme për gjuhëtarët shqiptarë dhe të huaj.
Tani e tutje do t’i mendoj të dy, Peterin e ndjerë dhe Profesor Newmark-un, në shoqërinë e njëri-tjetrit përsëri duke diskutuar për gjuhën shqipe, për kulturën, politikën, historinë e me radhë.
BASHKAUTORË NË LIBRA
Spoken Albanian – Leonard Newmark, I. Haznedari and Phillip Hubbard, Peter Prifti, Ithaca, New York, 1980, 348 faqe.
Standard Albanian, A Reference Grammar, Leonard Newmark and Ph. Hubbard, Peter Prifti, Stanford, California, 1982, 368 faqe.
Readings in Albanian, L. Newmark, Ph. Hubbard, Peter Prifti Antologji, Vol.I, II, III, 1979, San Diego, CA, 1167 faqe.
Foto:
Kopertina Standard Albanian dhe dedikimi i Peterit per Naumin
Fjalori Oxford Shqip Anglisht dhe dedikimi i Profesor Newmark per Peter Priftin
Rea, Rafaela Prifti, Peter Prifti, Leonard Newmark, SanDiego, Gusht 2005
Peter Prifti, Leonard, Mark Newmark, Naum Prifti, San Diego, 1998
Naum Prifti, Leonard Newmark, Peter Prifti, San Diego, Janar 2000