


Flamur VEZAJ/
Në kishën ortodokse shqiptare “Fjetja e She Marisë” në Worcester, organizata Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA Boston dhe dega në Worcester promovuan librat e dy shkrimtarëve të njohur të komunitetit shqiptar, z. Aristotel Mici dhe z. Namik Selmani.
Në një atmosferë të ngrohtë, dhjetëra bashkatdhetarë u mblodhën për të dëgjuar dhe për të mësuar më shumë mbi veprat e prezantuara nga dy autorët. Kryetarja e degës së Vatrës në Worcester, znj. Efi Qeleshi, përshëndeti të pranishmit, duke falënderuar autorët dhe komunitetin për pjesëmarrjen e tyre. Ajo theksoi se VATRA Worcester dhe VATRA Boston do të vijojnë të bashkëpunojnë për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Massachusetts.
Kryetari i VATRES Boston, z. Mentor Maksutaj, si bashkëorganizator i këtij eventi, shprehu mirënjohjen ndaj bordit të kishës “Fjetja e She Marisë”, famullitarit At Marku, drejtuesve të VATRES në Worcester dhe dy shkrimtarëve. Ai theksoi rëndësinë e punës për të ruajtur gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar tek brezat e rinj.
Nga ana e tij, At Marku falënderoi organizatorët për këtë aktivitet kulturor dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për ngjarje që promovojnë dhe ruajnë traditat shqiptare. Ai ftoi komunitetin shqiptar të Massachusetts të marrë pjesë në Festivalin Shqiptar të Worcester , i cili organizohet çdo dy vjet për tre ditë rresht.
Eventi u moderua nga arkëtari i Vatrës Boston, z. Jorid Çelaj, i cili prezantoi autorët dhe veprat e tyre. Fillimisht, Ardi Mici lexoi biografinë dhe punën e shkrimtarit Aristotel Mici, i cili më pas foli për librin e tij “Himni i Flamurit, simbol kombëtar”. Ai theksoi nevojën që fëmijët shqiptarë në SHBA të mësojnë për simbolet kombëtare dhe sugjeroi që në shkollat shqipe të hapura në Massachusetts dhe më gjerë të përfshihet një lëndë e veçantë mbi historinë dhe figurat kombëtare.
Më pas, anëtari i kryesisë së Vatrës, z. Ervis Dhima, prezantoi biografinë e shkrimtarit Namik Selmani. Ky i fundit foli me emocion për librin e tij “Një jetë me Skënderbeun”, i cili rrëfen historinë e një zonje angleze që, përmes shekujve, ka ruajtur me fanatizëm libra të vjetër mbi heroin kombëtar shqiptar. Selmani falënderoi VATREN Boston për mbështetjen dhe mundësimin e botimit të librit.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin libra me dedikim nga autorët dhe të bëjnë pyetje mbi veprat e tyre. Librat tashmë mund të gjenden në librari në Shqipëri, Kosovë, si dhe në disa pika në SHBA.
Foto Ervis Dhima