

“Fondacioni Çamëria Hasan Tahsini”/
Çështja Çame është një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëtare. Ngjarjet dhe faktet historike ruajnë pafundësisht autonominë e tyre. Ato nuk mund të shlyhen, pasi përbëjnë materien e paasgjë sueshme të kujtesës kombëtare, kujtesë e cila ka të bëjë me dinjitetin, lirinë dhe individualitetin tonë në shekuj. Gjenocidet burojnë nga irracionaliteti i errët, çlirimi nga kompleksi i gjenocidit është një dëlirësim dhe triumf i miqësisë së popujve. Kjo është e padiskutueshme. Populli çam nuk vuan nga kompleksi i gjenocidit dhe kjo është pasuri shpirtërore e tij.
Këto mesazhe kumtuan studiuesit dhe historianët në promovimin e librit dokumentar “Tragjedia çame”, që u zhvillua në ambientet e “Hotel Tirana Internacional”, të enjen më 29 janar, nën kujdesin e Fondacionit Çamëia “Hasan Tahsini”, drejtuar nga z Alket Veliu, dhe fondacionit “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), me kryetar z. Mehdi Gurra.
Sot na ka mbledhur fondacioni ALSAR, ky misionar i vlerave humaniste e kombëtare, drejtuar nga z. Mehdi Gurra i cili, duke zbatuar projekte kulturore, na ka dhënë shumë tituj të përzgjedhur, të lidhur ngushtë me kujtesën historike dhe promovimin e vlerave të humanizmit shqiptar, tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria, Alket Veliu
“Titujt e përzgjedhur nga botimet e ALSAR-it trajtojnë, veç të tjerash, edhe tema të çështjes kombëtare, konkretizim ky i vizionit të tij atdhetar. I tillë është edhe ky botim i veçantë për tragjedinë çame, përgatitur me dashuri dhe profesionalizëm nga bashkëautorët, historiani Qerim Lita dhe shkrimtari Shkëlzen Halimi, të cilët i përgëzoj në emër të fondacionit.
Kujtojmë se, në vitin 2020, fondacioni ALSAR, nën kujdesin e zoti Mehdi Gurra, ka botuar edhe veprën e Ibrahim Hoxhës “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”.
Gjenocidi ndaj popullsisë çame nuk duhet të harrohet kurrë, tha në vijim zoti Veliu.
Kjo vepër duhet të shërbejë si mjet reference e konsultimi shkencor, si për specialistët e fushave përkatëse, për politikanët si edhe për lexuesit e interesuar, në shtëpi, shkolla e biblioteka.
Sot Çamëria dhe çështja çame kërcënohen nga shumë faktorë historikë, politikë e diplomatikë. Ndaj është shumë i rëndësishëm sigurimi i jetëgjatësisë së dokumentave në rrezik, duke garantuar arshivimin sa më të sigurt të tyre, duke filluar me përmbledhje si kjo, deri te riprodhimet e tyre me teknika më të përparuara digjitale, më të sigurta dhe më të qëndrueshme se sa fotokopjimet dhe mikrofilmat klasikë. Fondacioni Çamëria Hasan Tahsini ka ndërmarrë një iniciativë për dixhitalizimin e gazetës Çamëria, regjistrimin e këngëve, konferencave shkencore, regjistrimin e dëshmive të të mbijetuarve të gjenocidit dhe ruajtjen e trashëgimisë së pasur jomateriale të trevës së Çamërisë, me transkiptime, regjistrime dhe përshkrime, në mënyrë që ato të transmetohen brez pas brezi, për t’u ruajtur nga rreziku i tjetërsimit kulturor dhe i deformimeve historike.
Përfqësuesi i ALSAR tha se fondacioni është shumë i vëmendshëm ndaj kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare, dhe ka botuar disa libra që i përkasin trashëgimisë sonë të përbashkët. Fondacioni është i përkushtuar tërësisht edhe ndaj trashëgimisë çame, si pjesë e trashëgimisë kombëtare, dhe libri “Tragjedia Çame” ishte një projekt që fondacioni e trajtoi me shumë përkujdesje, duke arritur në një botim cilësor.
Ky libër, përgatitur me mjaft profesionalizëm nga Qerim Lita dhe Shkëlzen Halimi, dhe që vjen për lexuesin nga botimet ALSAR, përmbledh një lëndë mjaft të bollshme dokumentare, që duhet të kthehet në tekst historie, tha Akademik Profesor Pëllumb Xhufi. Autorët që kanë mbledhur këtë material të çmuar, që përfshin periudhën 1920-1946, të shekullit të XX, kanë bërë një punë prej “murgu”. Ndoshta autorët do të përgatisin edhe dy vëllime të tjera, duke përpunuar dokumentacionin, që tregon se si e ka trajtuar shteti shqiptar çështjen e Çamërisë, si dhe qëndrimet e shtetit shqiptar në ditët e sotme. Prof. Xhufi përgëzoi fondacionin Çamëria, për gjith aktivitetin botues dhe promovues në këo vite, i cili filloi mbarë qysh me ribotimin e “Këngë popullore nga Çamëria”, të Fatos Mero Rrapaj, dhe u shtri më tej me autorë të huaj dhe shqiptarë .
Historiani Hajredin Isufi, i mbijetuar i gjenocidit grek, me një përvojë të gjatë në hulumtimet arkivore, e cilësoi këtë libër si një kryevepër për Çamërinë , me materiale shumë të vlefshme.
Ai i bëri të ditur auditorit vështirësitë e shumta që ndeshin studiuesit nëpër arkiva. Për Çamërinë janë botuar disa studime me përmbledhje dokumentash, tha Hajredin Isufi. I pari renditet libri i K. Naskës (1999), i dyti është një përmbledhje artikujsh përgatitur nga H. Isufi (2007)..
Libri i tretë është i Mitat Frashërit, për perudhë n 1923-1926, kur ishte ministër. Dhe i fundit është pikërisht “Tragjedia Çame”, i autorëve Litaj e Halimi. Të gjitha këto botime kanë njëfarë kufizimi përsa i përket perudhave dhe viteve të përfshira.
Studiuesi dhe shkrimtari Enver Kushi vlerësoi gjithë përmbajtjen e librit në tërësi, duke veçuar materialet që vijnë nga arkivat e Beogradit. Kushi tha se në shumë dokumenta “kam ndjerë kobin, hingëllimën e kuajve, që kërkojnë të zotët”. Me shumë rëndësi, veç të tjerash janë dokumentat që flasin për gjuhën shqipe në Çamëri, duke cituar Hilë Mosin, i cili në një dokument të 21 marsit 1928, citohet të ketë thënë : “Në gjith Çamërinë nuk ka snjë shkollë fillore…ndërkohë minoritei grek në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat…”. Zoti Kushi citoi edhe korrespondenca të diplomatit të njohur Rauf Fico, si dhe debatin e Mehdi Frashërit, përfaqësues i Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës, me përfaqësuesin grek, Politis.
Dokumentat e përmbledhura në këtë libër janë një apel për gjithë botën demokratike, për forumet e njohura ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, tha gazetari Arben Iliazi. Zgjidhja më e keqe qëndron pikërisht në fshehjen e historisë kur, në mënyrë fatale, ajo mohohet si vlerë, që mund t’i bashkojë popujt dhe jo t’i lerë të ndarë.