![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/06/356012378_648860747282451_7450509414014542349_n.jpg)
Ambasador Flamur Gashi/
Llukman Halili ishte:
– Gazetari që bëri gazetari jo skematike në fundvitet ’80 në Radio Televizionin e Prishtinës (sot RTK)…
– Kronisti dhe faktuesi brilant i të gjitha ngjarjeve dhe ndryshimeve të mëdha që ndodhën në vitet ’89-’99, në të gjithë Ballkanin…
– Sot, Llukman Halili duhet të jetë për gazetarët e rinj, shembull i profesionistit të vërtetë, se si duhet të bëhet gazetaria më pasion, përkushtim, ndjenjë dhe dije…
– Unë, gjatë ushtrimit të profesionit të shenjtë të gazetarit, Llukin e kam patur shembull profesional të veçantë të gazetarit radio-televiziv…
……………………………………………………….
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, dje u promovua libri “Kosova 1990-1992” i gazetarit dhe publicistit të ndjerë Llukman Halili.
Ky libër përmban raportet ditore e periodike nga Kosova të gazetarit Llukman Halili për agjencinë e lajmeve “HINA” të Kroacisë. Autori nuk e arriti botimin e këtij libri, pasi ndërroi jetë më 2020 në Zvicër.
Për librin e Llukman Halilit apo siç e kanë njohur kolegët dhe miqtë e tij si “Lluki”, folën ish-kolegët e bashkëveprimtarët e Llukit, publicisti dhe diplomati Avni Spahiu,
deputetja e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj , ish-studenti nga gjenerata e Zagrebit, një nga kolegët e kësaj gjenerate, ish gazetari i RTP-së Melazim Koci, i cili njëkohësisht është përkthyesi i librit “Kosova 1990-92”, të cilët vlerësuan lartë veprën e Llukit.
Dr. Dergut Aliu një nga miqtë më të ngushtë të Llukit, i kapluar nga emocionet për mikun dhe shokun kujtoi me shumë mall dhe nostalgji kohën e kaluar me të dhe veçanërisht së bashku më dy miqtë e Llukit në Zvicër Rafet Ademi dhe Dashnim Hebibi.
Në fund të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi Daors Halili, djali i Llukit.
Në këtë promovim libri pjesëmarrës ishin me dhjetëra shokë, kolegë dhe miq të Llukman Halilit.
Libri u botua nga Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit, me kryetar z. Sejfedin Prekazi.
Libri i Llukman Halilit “Kosova 1990-1992” është një libër të cilin duhet ta ketë në tavolinën e punës çdo gazetar, diplomat dhe politikan i yni, në mënyrë që ta ketë
çdohëre një pasqyrë të saktë se nëpër çfarë situatash ka kaluar Kosova në këto dy vite dhe se si u organizua jeta në të gjitha fushat e saj në Kosovë në atë kohë të pa kohë…
Lluki pas largimit tënd në përjetësi, sot ishe si asnjëhere tjetër me të gjithë ne…
Prehu në parajsë, i dashur Lluki!