
Nderim nga autoritetet e larta rumune.
Të martën, më 22 nëntor, në hotelin Marshal Garden në Bukuresht, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizoi promovimin e “Dictionar albanez-român / Fjalor Shqip-Rumanisht”, me autorë: Renata Topciu, Luan Topciu dhe Ana Melonashi. Promovimi u zhvillua në përvjetorin e Kongresit të Manastirit (22 nëntor 1908), një moment kyç në historinë e Shqipërisë dhe kulturës shqiptare. Ishte edhe një mundësi për të qenë bashkë me komunitetin në vigjilje të festës kombëtare shqiptare (28 nëntor).
Ndër dinjitarët e lartë të shtetit rumun, që nderuan ftesën e bërë nga shoqata ALAR dhe deputeti Bogdan-Alin Stoica, ishin deputetët: Ovidiu Ganț (sekretar i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Rumun dhe përfaqësues i Komunitetit gjerman të Rumanisë), Adrian Merka, Iulius Firczak, Giureci-Slobodan Ghera, Mihai Botez dhe George Paladi (anëtar i grupit parlamentar të miqësisë me Republikën e Shqipërisë). Merrnin pjesë gjithashtu znj. Irina-Dumitrița Solomon (Sekretare Shteti në Kancelarinë e Kryeministrit), z. Thomas Moldovan (Sekretar Shteti), z. Thomas Şindilariu (Nënsekretar Shteti në Departamentin për Marrëdhëniet Ndëretnike), z. Radu Antohi (Nënsekretar Shteti në Ministrinë e Sportit), Prof. At Ștefan Buchiu, me origjinë shqiptare, i biri i priftit të Kishës Shqiptare në Bukuresht (në cilësinë e përfaqësuesit të Patriarkut Daniel, Patriark i Kishës Ortodokse Rumune).
Nga Shqipëria na nderoi me pjesëmarrjen Dr. Erion Piciri, ish deputet në e Parlamentin Shqipërisë.
Të gjithë folësit e vlerësuan veprën monumentale si një nga realizimet më të rëndësishme shkencore në marrëdhëniet midis gjuhëve, popujve dhe kombeve tona. Fjalori u konsiderua si një një realizim historik dhe uruan autorët për këtë sukses të shenjuar të leksikografisë shqiptare dhe rumune.
Për të pranishmit u organizua një minikoncert i artistëve lirikë, Gjergji Mani dhe Ionela Mani, të cilët interpretuan mjeshtërisht pjesë të muzikës shqiptare.
Evenimenti u filmua nga Televizioni Kombëtar Rumun TVR1, i cili do të përgatisë një emision të posaçëm!
Fjalori një punë mbi 30 vjeçare
Fjalori akademik “Dicționar Albanez-Român (Fjalor Shqip-Rumanisht)”, botim i dytë, është pasuruar dhe përmirësuar pas 19 vitesh që nga botimi i parë në Shtëpinë Botuese “Polirom” në vitin 2003. Është kurorëzim i një pune mbi 30 vjeçare i autorëve të saj: Dr. Renata Topçiu, Dr. Luan Topçiu dhe nismëtarja e këtij projekti, Ana Melonashi. Fjalori bën pjesë në “Koleksionin Albanica”, botuar në kuadrin e ALAR, së bashku me vepra të rëndësishme të albanologjisë. Fjalori përmban rreth 41.000 fjalë – tituj dhe disa mijëra shprehje frazeologjike dhe është pasuruar me neologjizma dhe terma që kanë fituar qytetarinë në gjuhën letrare shqipe të sotme. Autorët kanë synuar përkthimin gjithëpërfshirës të leksikut të shqipes, të gjithë spektrit semantik të termave, në nivel parësor dhe figurativ, paraqitjen e pasurisë frazeologjike të shqipes, përfshirë edhe proverbat, përcaktimin gramatikor dhe trajtat bazë të fjalëve-tituj. Duke qenë një fjalor i tipit akademik, i hartuar me rigorozitet shkencor, ky fjalor u drejtohet, jo vetëm të interesuarve që duan të njohin apo të mësojnë gjuhën shqipe, komunitetit shqiptar të Rumanisë, por, posaçërisht, studentëve të filologjisë, gjuhëtarëve, historianëve dhe specialistëve të fushave humaniste. Fjalori mbetet një mjet themelor për studimin e thelluar të shqipes, për studime krahasimtare në fushën e ballkanologjisë e më gjerë. Marrëdhëniet e ngushta gjuhësore midis shqipes e rumanishtes, dy gjuhë të folura nga dy popujt më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe Europës, kanë tërhequr vëmendjen e figurave më të shquara të gjuhësisë rumune, shqiptare dhe asaj europiane, prej gati dy shekujsh, ndërkohë që rezultatet e kërkimeve evidentuan një fond të përbashkët gjuhësor, në të gjitha nivelet e gjuhës, ngjashmëri antropologjike, të kulturës popullore, folklorit etj.
Takimi në të njëjtën familje i tre filologëve, të lidhur me Rumaninë dhe gjuhën rumune, ishte vendimtar për realizimin e kësaj vepre leksikografike. Zonja Ana Melonashi ndërmori këtë nismë, punoi disa vite me radhë, me sakrifica, këmbëngulje dhe vetëmohim për ngjizjen e këtij fjalori, duke qenë e bindur për nevojën e tij. Kjo vepër u vazhdua, u disiplinua shkencërisht dhe u pasurua më tej nga autorja kryesore e saj Dr. Renata Topçiu dhe Dr. Luan Topciu, të cilët e përgatitën për botim.
Kjo vepër leksikografike reflekton gjuhën shqipe në zhvillimin dhe diversitetin e saj stilistik: fjalët u takojnë historisë dhe etnografisë, fesë dhe mitologjisë, shkencës dhe administratës, politikës, por më së shumti gurës popullore e stilit bisedimor popullor, me fjalë të tjera, gjithë evolucionit të qytetërimit dhe kulturës shqiptare.
Botimi i fjalorit është realizuar me ndihmën financiare të shtetit rumun, nën kujdesin e deputit Bogdan-Alin Stoica dhe Presidentit të ALAR-it, albanologut Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, të cilët ofruan përkrahjen dhe ndihmën e tyre të pakushtëzuar për botimin e kësaj vepre bazale në fushën e albanologjisë si dhe të Fjalorit Rumanisht – Shqip, i cili pritet të dalë vitin që vjen.
Zyra e Shtypit ALAR