Ndër njerëzit e shumtë që u mblodhën në Uashington për inaugurimin e presidentit të ri, Donald Trump, ka edhe plot protestues, të cilët kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve që i dha zotit Trump fitoren dhe janë gjithashtu kundër planeve të tij për vendin.Ndërsa zoti Trump bënte betimin si President, në Uashington protestuesit u përleshën me policinë
Demonstrues të veshur me të zeza thyen vitrina dyqanesh dhe hodhën copa xhami nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit amerikan.
Policia përdori gazin lotsjellës për të ndaluar një grup prej rreth 75 personash në hyrjen e një ndërtese qeveritare. Dhjetra vetë u arrestuan.Më parë, disa protestues, mbrojtës së të të drejtave të afrikano-amerikanëve bllokuan një postbllok sigurie për në Paerun Kombëtar të Uashingtonit, duke përdorur zinxhirë dhe një mur demonstruesish për të mos lejuar hyrjen e mbështetësve të zotit Trump që mbanin kapele ku shkruhej “Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore.” Policia i preu zinxhirët që ata mbanin.Demonstrata më e madhe pritet të jetë Marshimi i Grave në Uashington që është planifikuar të zhvillohet të shtunën. Një grup protestuesish po bëhen gati të shprehin opinionin e tyre në qytetin Angola të shtetit Indiana:Mesazhi i protestës Marshimi i Grave është mjaft i thjeshtë: të drejtat e grave janë pjesë e të drejtave të njeriut, pa dallim nga raca, kombësia, feja, statusi i imigracionit, orientimi seksual, gjendja ekonomike, mosha apo aftësitë fizike. Jacob McNeal thotë ky mesazh duhet të përqafohet nga të gjithë, pa dallim gjinie:“Është e kuptueshme që të ketë mospajtime në opinione. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një pikëpamje krejt tjetër për demokracinë – kësaj i thonë totalitarizëm. Nuk u votua për demokraci dhe prandaj po ngre zërin”.
Ky protestues bën pjesë në një organizatë lokale në Indianën veriore, të krijuar pas zgjedhjeve. Organizata të tilla u formuan në mënyrë të pavarur në të gjithë vendin, me ndihmën e medias sociale. Ata e kanë të qartë se grupe të veçanta e kanë të vështirë të arrijnë synimet në mënyrë të pavarur, por kur bashkohen bëhen një forcë tepër e madhe dhe është e vështirë që të injorohen nga presidenti i ri apo politikanë të tjerë.
Sarah Young, e cila ka në plan të marrë pjesë në marshimin në Uashington, thotë se shqetësimi i saj kryesor janë programet për shëndetin e gruas.“Programet që u ofrojnë grave mundësi për kontrollin familjar, si dhe kontrolle shëndetësore kanë ndikuar më shumë për fuqizimin e gruas në shekullin e 20-të dhe tani në shekullin e 21-të se çdo gjë tjetër. Nëse duam t’i ruajmë këto suksese, duhet të ruajmë programet e kujdesit shëndetësor”. Tema të tjera që kanë mobilizuar protestuesit janë masat për të ndalur dhunën kundër gruas, mbrojtja e mjedisit, të drejtat e punëtorëve, të personave me aftësi të kufizuara, të imigrantëve dhe të komunitetit homoseksual.Lou Ann Homan nuk do të vijë vetë në Uashington për të marrë pjesë në protesta, por ajo ka në plan ta ngrejë zërin në komunitetin e saj:“Do të ketë marshime në të gjithë vendin, në çdo komunitet të vogël e qytet të madh. Një grup i madh prej nesh do të mblidhemi në Ft. Wayne për të treguar se jemi të shqetësuar”. Sipas përllogaritjeve, mbi 600 tubime do të organizohen në mënyrë paralele në pika të ndryshme të globit. Në Indiana, grupi i protestuesve shpreson se do të formohen rrjete të reja bashkëpunimi për të mbështetur e përmirësuar jetën e çdokujt. Ata besojnë se paqja është e pamundur në një botë ku s’ka barazi për të gjithë.