
Fatlinda Bajçinca- Gashi/
E drejta për arsim shprehet në një numër të madh dokumentesh të Kombeve të Bashkuara dhe të të drejtave të njeriut, përfshirë Paktin Ndërkombëtar të të Drejtave Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore (neni 14), dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës (neni 28,29). Pasuruar me dokumente të tjera në lidhje me të drejtën për arsimim, si Deklarata Botërore për Arsim për të Gjithë( neni I,III, IV, VI, VII). Arsimi është e drejtë themelore. Është investimi i vetëm më i mirë që vendet mund të bëjnë për të ndërtuar shoqëri të begata, të shëndetshme dhe të barabarta ( neni 26), i Deklaratës Universale të të drejtave të Njeriut 1948. Më 1990- 1991 pushtuesit serbë vënë dry nëpër çdo institucion arsimor të Kosovës duke synuar ta ndalonin arsimimin në tërësi. Pa të drejtë arsimimi nëpër institucione, pa të drejtën e shërbimeve mjekësore nëpër ambulanta, spitale, pa të drejtë pune për kategoritë si: industri, miniera-xehtari, ekonomi, juridiksion, arsim, mjekësi, presioni sa vinte e rritej. Përdornin çdo mjet duke pretenduar ta nënshtronin popullin liridashës shqiptar dhe ta arrinin dorëzimin para pushtetit barbar serb.
Në vjeshtën e 1997’s afërsisht 30.000 studentë, shumë profesorë e intelektualë të tjerë me në krye prof. dr. Ejup Statovci( 1940-1999), bashkë me mbi 100.000 qytetarë marshuan- protestuan në mënyrë paqësore rrugëve të Prishtinës.
Kërkesë e jona ishte lirimi i pakusht i hapësirave arsimore universitare të okupuara padrejtësisht nga regjimi i dhunshëm serb. Në pranverën e vitit 1990 me datë 21 dhe 23 mars në ambientet e shkollave ku zhvillonin mësimin nxënësit shqiptar, u hodh helm (dimetil-phosphoditionat, sarin), dhe helme tjera të rrezikshme nëpër shkollat e qyteteve kryesore të Kosovës: Prishtinë, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Vushtrri, Mitrovicë etj. Gjithsej ishin 8 mijë nxënës të helmuar. Sulm tronditës dhe një ndër aktet më antinjerëzore që i njeh historia që pas luftës së Dytë Botërore.
Sërish më 1 shtator të vitit 1991 në oborrin e shkollës fillore “ Dardania” në lagjen Dardania, Prishtinë u atakuam me një akt brutal. Mbi 400 nxënës u bllokuam në objektin e shkollës si presion të pranohej planprogrami mësimor i Serbisë.
Rrugës për në protestën e 1 tetorit të ‘97- ës secili nga studentët jam e bindur që kishim përvoja po kaq të hidhura në raport me regjimin serb. Andaj s’kishte frikë nëpër rrugët e Prishtinës. Kishte këmbungulje e besim, pavarësisht faktit që protesta zhvillohej përballë policisë serbe të armatosur rëndë. Protestuesit ishin paqësorë dhe vazhdonin rrugës për në lagjen Velania ( Prishtinë), por të vetëdijshëm se ishim përballë një regjimi që e njihnim mirë për represionin, për të bëmat e llahtarshme ndaj nesh dhe nëpër Ballkan. Shpërtheu ndërhyrje e dhunshme, hedhje e gazit lotësjelles dhe dhunë brutale nga policia serbe mbi studentët dhe të gjithë protestuesit.Ne nuk ndaleshim, nuk dorëzoheshim. Me të drejtë na quajnë brezi i sakrificës dhe kthesës historike. 1 Tetori ishte akt sublim.