Seç ka një qejf në disa webe. Në lidhje me protestën e djeshme. E quajnë të vakët. Dhe për këtë i ngjeshin ca foto nga qielli. Ja sa ishin në protestë. Ja sa janë kundër plehrave etj.
E vërteta në fakt është e dhimbshme. Pasi prej kohësh Shqipëria është e kapur. Dhe e mjera shoqëri civile, sillet si valë e vakët e një populli të arratisur. Një populli që i gëzohet librezës së antarësisë. Dhe që është kthyer në një tifozeri asambleshë, në partinë ku aderon. Shqiptarët këtë e pranojnë kudo. Të dorëzuar, të thonë nuk bëhet ndryshe. E djeshmja në fakt ishte një luftë e ashpër midis makinerisë së shtetit dhe rrjeteve sociale. Akaunteve personale në Fb, Instagram, twitter etj. Dominonin plehrat. Jo ato të terrenit…, ato ku i gjen të kacavjerura. Të vërvitura. Në gorga tymi aq sa gjithçka s’është asgjë tjetër veç kollë kanceri. Por ato realet, që thyejnë rekordin e kilikimeve. Me buzëqeshje faqesh të parruara. Me batuta për batutë. Edhe pse mjerimi thyen kokën në Shpat të Elbasanit. Apo diku në Burrel. Edhe pse i gjithi si popull, është i nënshtruar përkrahjes sociale. Dje pashë për herë të parë se e poshtër është masmedia në Shqipëri. Karshi shoqërisë civile. Dhe sa e kapur nga koqet prej shtetarëve. Një luftë krejt e pabarabartë po se po. Por e tipit buall që shtyp klikimet e njerëzve të thjeshtë. Kudo asamble, panaire djathi. Apo dhe denoncime dixhitale etj. Në një apo tjetër mënyrë, përqindjet tregojnë se jemi popull partish. Popull anëtarë. Dhe si gjithmonë i rreshtuar.
Disa analistë pohojnë se kjo ndodh edhe për shkak të dasimit të madh midis popullit anëtarë. Dhe atij në shoqërinë civile, tepër të pasur. Njëra palë e shikon tjetrën nga lart, kurse tjetra nga poshtë me adhurim. Në fakt është një hendek social i shkaktuar nga demokracia e tipit shqiptar. Nuk ka si të ketë mirëfilli shoqëri civile, deri sa nuk ka kontrata pune. Të drejta punësimi. Të drejta sociale minimale. Apo të tjera kritere që rregullojnë raportin midis punëdhënësit dhe qytetarit. Sa kohë që do punohet me lekë në dorë. Me teorinë kur të kem do t’i jap etj. Kështu do vazhdojë. Dhe kjo u pa edhe në atë të që theksova më sipër. Dhunën dhe mjerimin intelektual të masmedias. Të cilat e kaluan protestën në radhë të tretë. Dhe iu dedikuan kostumeve, varëseve, jaguarve të asambleve partiake.
Nga ana tjetër është një situatë qorrollitje, pasi edhe pse ka batalione intelektualësh. Apo individësh… nga të dy krahët. Të paktën me atë mendësinë e njeriut që e shikon njeriun me respekt.
Këto kohët e fundit u shushatën. U mekën. Dhe mblodhën supet pasi bënë të njëjtën luftë, me të njëjtat armë, me të njëjtit kundërshtarë. Një betejë me mullinjtë e erës.
Këto kohë socialisti, i tha spcialistit, atje në kafe. Se me të vërtetë do aprovojmë ligjin e plehrave? Po kështu këto kohë, demokrati iu drejtua demokratit…, aty në kafe. Se me të vërtetë do ta kundërshtojmë ligjin tonë, ligjin e plehrave.
Eshtë një kohë e rëndë për Shqipërinë. Kjo e vakjes së ndjeshmërisë sociale. Sot përshembull, nga kërkimet, rezultojnë me dhjetra shoqata, zyra për mbrojtjen e mjedisit. Megjithatë sikur edhe një mini reagim të kundërt. Të ndjeshëm sadopak. Të vihet re në luginën e Valbonës. Aty ku flitet se do ndërtohen 30 Hec-e. Kjo është për tu alarmuar vërtetë. Këto ose janë shoqata fiktive. Ose shoqata nga të diktuara partish. Ose shoqata sharlatanësh që nxjerrin nga një rrogë mujore. Dhe kjo është akoma më keq. Pasi ekzistenca e një fryme oponente. Aty konsiderohet vrastare. Kundërshtare që më ka inat mua. Që nuk është me mua, por me atë. Dhe kjo është vërtetë një thyerje qafe për Shqipërinë.
Shqiptarë, plehrat nuk janë grupi i vakët. Protesta e vakët. Plehrat janë aksesorët Gucci. Markat Jaguar, Tuareg, etj…,asamblistët e partive. Tutorët tuaj.