![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/12/407931441_747196824115509_5760252807929326333_n.jpg)
Valentina Telhaj
Psikologe Këshillimi
Marrë shkas nga një sërë rastesh të cilat kanë tronditur opinionin publik për ngjarjet tragjike ku bashkëshortët vrasin gruan, nënën e fëmijëve, madje në prezencën e tyre…
Kur flasim për dhunën nuk ka asnjë arsye apo justifikim, pavarësisht nga gjinia, mosha, kultura apo rrethanat.
Dhuna është një shkelje e drejtave të njeriut dhe duhet frenuar në çdo rrethanë.
Faktorë të ndryshëm që çojnë me këto sjellje e vepra makabre, përfshirë kulturën e individit, edukimin, traumat, kontekstin social, e shumë të tjera që mund të ndikojnë në sjellje të tilla kriminale. Është e rëndësishme të promovohet sa më shumë respekti dhe barazia në marrëdhëniet ndërmjet gjinisë.
Po cilat janë disa nga arsyet që burrat dhunojnë gratë dhe vajzat?
Shumë studime të ndryshme kanë identifikuar një sërë faktorësh të mundshëm që mund të kontribuojnë në sjelljen e dhunshme të burrave që mund të jenë;
> Stresi dhe presioni: Nivele të larta të stresit dhe presionit psikologjik mund të shkaktojë sjellje agresive.
> Traumat dhe përvoja të vështira në fëmijëri: Historia e traumave ose përvojave negative në fëmijëri mund të ndikojë në frenimin e zhvillimit të shëndetshëm emocional dhe sjelljen e mëvonshme.
> Faktorët psikologjikë: Në disa raste, problemet e shëndetit mendor, mund të çojnë në sjelljen kriminale.
> Faktorët ekonomik: Faktorët socialë si varfëria, papunësia, mungesa e aftësive për të menaxhuar konflikte dhe marrëdhëniet e trazuara mund të rrisin rrezikun e përfshirjes në vepra të dhunshme.
> Kultura dhe konteksti social: Faktorët kulturorë, mentaliteti ose normat sociale që promovojnë dhunën, mund të ndikojnë në sjelljet agresive të burrave.
> Përdorimi i substancave narkotike ose alkoolit, përdorimi i drogave dhe alkoolit mund të përkeqësojë sjelljen dhe të shtojë rrezikun e përfshirjes në vepra të dhunshme.
> Modeli i sjelljes së prindërve: Nëse një person ka pasuar modele të sjelljes së dhunshme në familjen e tyre, mund të ketë tendencë të përsërisin/ imitojnë këtë sjellje.
> Mungesa e aftësive për menaxhimin e emocioneve: Burrat që kanë vështirësi në menaxhimin e emocioneve të tyre mund të reagojnë me dhunë në situata konfliktuale.
> Normat shoqërore: Në disa raste, normat shoqërore që përkrahin idenë e forcës fizike si zgjidhje mund të ndikojnë në sjelljen e dhunshme.
Vlen të theksohet se këto faktorë nuk justifikojnë dhunën, thjesht po përpiqemi sipas hulumtimeve ta analizojmë që të mund të ndihmojnë në kuptimin e ndikimeve potenciale të këtyre reagimeve.
APA (American psychological Association)sugjeron disa këshilla që mund të jenë preventive dhe rehabilitues për të trajtuar sfidat e sjelljes së dhunshme në të gjitha format e saj.
Trajtimi i rasteve të sjelljes së dhunshme përfshin një qasje holistike dhe multidisiplinore.
Disa hapa të rëndësishëm mund të jenë:
1) Intervenimi i menjëhershëm: Në rast të rrezikut për vetëdijen e personit të dhunuar ose të tjerët, është e rëndësishme të ketë një intervenim të menjëhershëm për të siguruar sigurinë e të gjithë palëve të përfshira.
2) Këshillimi dhe mbështetja psikologjike: Individët që kanë shfaqur sjellje të dhunshme mund të përfitojnë nga këshillimi dhe mbështetja psikologjike për të adresuar shkaqet themelore dhe për të zhvilluar aftësi të reja menaxhuese të konflikteve.
3) Programe trajnimi për menaxhimin e emocioneve: Trajnimi për menaxhimin e emocioneve mund të ndihmojë në zhvillimin e aftësive për të menaxhuar tensionet dhe stresin pa përdorur dhunë.
4) Programet edukative: Ndryshimi i normave shoqërore dhe kulturore që përkrahin dhunën kërkon një përkushtim të gjerë nga shoqëria. Programet edukative mund të ndikojnë në ndryshimin e këtyre normave dhe të promovojnë respektin dhe barazinë gjinore.
5) Sanksionet ligjore kur është e nevojshme: Është e rëndësishme të ketë sanksione ligjore për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e te mbijetuarave të dhunës ose në rastet tragjike kur ndërrojnë jetë si pasojë e dhunës apo keqtrajtimit.
Trajtimi duhet të jetë i personalizuar në bazë të rrethanave dhe nevojave të individit. Kombinimi i këtyre hapa mund të ndihmojë në rekuperimin dhe të kemi një përgjigje efektive ndaj sjelljes së dhunshme.
Të punojmë me parandalimin që të mos vajtojmë pasojat tragjike!