
Prof.as.dr. Hasan Bello/
Hoxhë Hasan Tahsini ka hyrë në historinë e Shqipërisë si profesor i rilindasve shqiptarë dhe projektues i pavarësisë. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm të paktën në dy drejtime, së pari si pjesëmarrës në mbledhjet e ndryshme që u bënë gjatë viteve 1867-1879 në Stamboll për çështjen e gjuhës shqipe dhe të drejtat e kombit shqiptar dhe së dyti, si hartues i një alfabeti të veçantë.
Në një shkrim të botuar në revistën “Minerva” në shtator-tetor 1934, Mehdi Frashëri shkruan se Hasan Tahsini nga pikëpamja e shqiptarizmës mund të konsiderohej si mjeshtri i Sami Frashërit, Ismail Qemalit, Vaso Pashës, Daniel Oparakut e disa të tjerëve të rinj shqiptarë të cilët kishin marrë pjesë me fillimin e lëvizjes kulturore shqiptare në Stamboll.
Për kontributin dhe pikëpamjet e tij hedh dritë edhe një raport i konsullit britanik në Janinë B.Kyrioti drejtuar ambasadorit të tij në Stamboll, H.G.Elliot. Ai bën fjalë për arrestimin dhe dërgimin e Hoxhë Hasan Tahsinit nga Delvina dhe Shqipëria e Jugut ku ai kishte mbërritur për të sensibilizuar popullin për çështjen kombëtare në një kazermë të Janinës. Kjo, sepse nga valiu ai konsiderohej si një person i rrezikshëm.
Që pas Luftës së Krimesë (1853-1856) shteti osman ishte zhytur në borxhe të jashtme dhe de facto kishte marrë fund. Ai mbahej në këmbë nga Fuqitë e Mëdha derisa të binin dakord për mënyrën e ndarjes. Kjo kishte bërë që te patriotët dhe lobi shqiptarë që jetonte në Stamboll të fillonin përpjekjet e para për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohej. Edhe pikëpamjet e Hoxha Hasan Tahsinit për pavarësinë e Shqipërisë duhen parë e lexuar në këtë kontekst.
***
Janinë, 24 prill 1874
Konsullata Britanike në Shqipëri
Kam nderin t’ju deklaroj se guvernatori i përgjithshëm i Janinës, i cili ishte në një udhëtim prej katër javësh në provincën e juridiksionit të tij, në Delvinë ka arrestuar një shqiptar mysliman të quajtur Hasan Tahsin Efendi dhe e ka dërguar, të shoqëruar me një roje të përbërë prej dymbëdhjetë vetash, në Janinë.
Më 17 të këtij muaji, qeveria e mbylli në burgun e një kazerme dhe jo në atë të zakonshmin, ku mbahet krejtësisht i izoluar dhe nuk lejohet as të shihet, as t’i flitet.
Ky njeri është nga një fshat i Filatit dhe më parë jepte mësime të gjuhës turke në Paris për të rinjtë që qeveria osmane kishte dërguar atje për studime. Ai kishte udhëtuar më pas në Itali dhe prej andej kishte ardhur në Shqipëri, ku predikonte për lirinë dhe pavarësinë.
Emrat e atyre që dëgjonin predikimet e tij dhe që do të luftonin për lirinë e vendit janë duke u hetuar nga autoritetet.
Thuhet se disa prej ndjekësve të tij në Shqipëri mund të kenë lidhje edhe në Stamboll.
Këto i kam mësuar nga burime të mirëinformuara.
Kam nderin t’ju shpreh nderimet e mia,
shërbëtori juaj i bindur dhe i përzemërt.
B. Kyrioti