Nga Skënder Buçpapaj/
‘Qytetari dixhital’ i Ramës ‘é una schifezza’ do të thoshin italianët, është një neveri, një krupë, një gërdi, themi ne shqiptarët.
I ashtuquajturi ‘komunikim me qytetarët’ që kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë Edi Rama ka ndërmarrë në ndërkohën mes zgjdhjeve të reja parlamentare dhe formimit të qeverisë së re ‘socialiste’, nuk është asgjë tjetër veçse një kopjim, një plagjiaturë e “qytetarit dixhital”, që ish kryeministri Sali Berisha ka ndërmarrë në faqen e tij në facebook pas zgjedhjeve parlamentare të para katër vjetëve.
Në ato zgjedhje Sali Berisha e humbi pushtetin, e humbi zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike dhe, përveç paraqitjeve të tij në seancat parlamentare të të enjteve, nuk ka me çfarë të merret. Kohën e tij më aktive Berisha ua kushton statuseve në faqen e tij zyrtare në facebook dhe komunikimeve me qytetarët. Këta e njohin ish kryeministrin me shkeljet e ndryshme në administratën shtetërore, me fakte të freskëta negative shpesh në kohë reale, që ndodhin në jetën e përditshme anembanë vendit.
Qytetarët që pa ndërprerë e njohin me realitetin, Berisha i përmbledh në “Qytetarin dixhital” dhe komunikimin e tij e konsideron një rubrikë mediatike. Pa përjashtim, të gjitha statuset e Berishës, të buruara nga ky komunikim gjejnë botim të menjëhershëm në të gjitha llojet e mediave shqipe, të të gjitha llojeve.
Vetëm një numër i vogël i tyre nuk konfirmohet nga realiteti, pra janë të rreme, të sajuara qëllimisht nga qytetarët e ndryshëm, për t’ia zbutur ndikimin këtij komunikimi të Berishës. Prej shtatorit të vitit 2013, kur u largua nga pushteti, Berisha, siç e përmenda, i ka gjithnjë e më të pakëta mjetet për ta verifikuar shkallën e vërtetësisë së një informacionit nga terreni. Prandaj reagimi i publikut ndaj kësaj mënyre komunikimi të ish kryeministrit është kryesisht miratuese.
Rama e ka kopjuar në shumëçka Berishën. Përgjithësisht politikanët shqiptarë i kopjojnë shumë pasardhësit e tyre, nga Enveri, Mehmet e deri tek këta të fundit. Të gjitha këto kopjime ‘fanno schifo’, ngjallin neveri. Por kjo do të ishte temë më vete. Rama po e kopjon tashi Berishën ish kryeministër, pra nuk po e kopjon Berishën kryeministër, çka ngjall, veç të tjerash mosmiratime në publik dhe jo vetëm në personat që preken drejtpërdrejt nga këto që publiku i quan ‘listat e zeza’ apo ‘fletërrufe’ të Ramës.
Në këto ‘lista të zeza’, ‘fletërrufe’, ‘dacibao’, ‘gazeta muri’ krahas emrave të panjohur, përfshihen edhe emra personalitetesh të shquar. Këta të fundit nuk i kanë ardhur pas qejfit ndonjë teke të ndonjë militanti ‘socialist’ dhe ky ia nxin emrin drejt e tek vëmendja e kryeministrit aktual.
Publikimi i emrave, të shquar apo të pashquar, të njohur apo të panjohur le të jenë këta, nga kryeministri aktual, në kohën kur ai e mban veten të jetë në kulmin e pushtetit, më i votuari pas Enver Hoxhës, më i stërfuqishmi pas tij, lind një dyshim të fortë, ngre një dyshim të madh: Kryeministri më shumë se fuqinë e tij, më shumë se pushtetin e tij a mos po e ndjen pafuqinë e tij, papushtetin e tij. (?!?) Tashi që e ka timonin i vetëm dhe që po e mbërthen e po shtrydh gjithnjë e më shumë në duart e tij, a mos vallë anijen po ia rrëmbejnë valët dhe atij po i ngelet vetëm timoni?!!!
Sepse një kryeministër në pushtet, për më tepër një kryeministër në ngjitje marramendëse, siç e mendon ai veten e tij, do të kishte mundësinë t’i verifikonte njoftimet e qytetarëve dhe, vetëm pasi t’i ketë veirifikuar, natyrisht, në kohën sa më të shpejtë, t’i shpallë emrat bashkë me bëmat dhe me pasojat e bëmave të tyre.
Administrata e Ramës është e krimbur. Është mirë që kryeministri ta mbajë vëmendjen të përqëndruar pikërisht aty. Për administratën joshtetërore, Rama le të krijojë e konsolidojë institucionet.
Le të ketë edhe pak besim tek Reforma në Drejtësi. Sepse komunikimet e Ramës me qytetarët nuk e zëvendësojnë Reformën në Drejtësi. Edhe këtu duket se po kapërcej në një temë tjetër.
“Listat e zeza” të Ramës, veç të tjerash, nuk shpëtojnë nga sensi i hakmarrjes. Nuk shpjegohen ndryshe ngutjet e një kryeministri, që e kalon një pjesë të madhe të përditshmërisë së tij duke komunikuar në facebook me qytetarët, për të borohoritur sapo në rrjetën e merimangës së tij të komunikimit me publikun bie ndonjë emër i madh.