• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse u krijua Legaliteti?!

November 22, 2020 by dgreca

Me rastin e 77 vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2020/

*Nga Ekrem Spahiu/

Nga pikëpamja historike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillen që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu. 

Në kontekstin e Luftës së II Botërore, zogistët, përveçse kanë kontribuar drejtpërdrejt në luftë, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë të përbashkët kundër pushtuesit. Përfaqësuesi i zogistëve Abaz Kupi, në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, pat deklaruar përpara delegatëve se: “jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”. 

Gjithashtu, Abaz Kupi ka rol parësor edhe për thirrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes, mbajtur më 1-2 gusht 1943, ku u vendos dhe u shpall bashkimi për shpëtimin e Shqipërisë. Udhëheqja komuniste e pranoi Marrëveshjen e Mukjes deri kur të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u njohën me përmbajtjen e saj dhe urdhëruan Enver Hoxhën që ta prishte atë. Për këtë qëllim, pas një muaji, më 4 shtator 1943, u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën jo vetëm u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, por edhe iu shpall luftë të armatosur çdo rryme apo tendence tjetër politike, thënë ndryshe, u fillua përgatitja e kushteve për një përplasje mes palëve, deri në luftë civile.

Ndërkohë që mbretërorët vazhdonin të luftonin kundër fashizmit pa bujë e pa reklamë, duke qenë të suksesshëm, komunistët, jo vetem shfrytëzonin suksesin dhe emrin e mirë të krijuar nga veprimet luftarake zogiste, por fshehurazi ushtronin një propagandë sistematike kundër tyre. Zogistët, të shqetësuar për këtë sjellje të komunistëve, nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar Këshillit Nacional-Çlirimtar, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje. 

Në këto rrethana, dukej sheshit se udhëheqja komuniste kishte vendosur tjetër prioritet, përgatitjen e gjithanëshme për pushtetin e nesërm. Në këto kushte, forcat mbretërore, duke parë se përpjekjet për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë kundër okupatorit dështuan, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e forcave nacionaliste thirrën më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike. 

Në këtë mbledhje morën pjesë delegatë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, si dhe nga trevat etnike shqiptare përtej kufijve politik, duke përfshirë edhe delegatë nga çetat zogiste. Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prillit 1939 dhe protagonist kryesor i konferencave të Pezës e Mukjes; atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës; patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, arsimtarët Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, Hysen Meça, Xhemal Herri, etj. 

Platforma që u miratua në Kongresin themelues ishte shumë e qartë: fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit; kthimi në pushtet i Mbretit Zog, pasi vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë legjitime; krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike; vendosja e shtetit ligjor; sigurimi me ligj i drejtave e lirive themelore të njeriut; reforma shoqërore për përmirësimin e jetës së popullit; etj. 

Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, zogistët deklaruan formimin e partisë së tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Për drejtimin e OKLL u zgjodh kryesia me kryetar Ndoc Çobën, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh Major Abaz Kupi. 

Forcat luftarake zogiste në atë kohë ishin rreth 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 vetë. Për më tepër, këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ku spikat qëndresa mbrojtëse e batalionit të komanduar nga A. Kupi në Durrës më 7 Prill 1939, luftimet e Matit, Liqenit të Germanit e Zallit të Germanit, Qafë Shtamës, Gurrës, Suçit, Krujës, Vorze -Shkalla Tujanit, Prezës, etj.

OKLL u shtri në Tiranë, Shkodër, Dibër, Mat, Durrës, Kavajë, Shijak, Kosovë, Vlorë, Berat, Sarandë, Korçë, etj. Shërbimi propagandistik i saj nxori deri në fund të luftës 21 numëra të gazetës “Atdheu” me një tirazh 210.000 copë. U shtypën dhe u shpërndanë 250.000 trakte, etj.

Drejtuesit e OKLL, në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm me Mbretin Zog duke e informuar deri në detaje mbi situatën në Shqipëri.  Ndërkohë, ata ndërkombëtarizuan veprimtarinë e tyre luftarake përmes letrave drejtuar Presidentit të SHBA, Franklin Delano Roosevelt dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill me anë të të cilave jepnin pamjen reale të zhvillimeve ushtarake e politike në Shqipëri.

 Është fakt historik dhe shumë domethënës që, pranë forcave të Abaz Kupit, ishte atashuar misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike.


Ndërkohë, që organizatat me frymëzim kombëtar kërkonin gjithnjë një marrëveshje kombëtare për luftë kundër okupatorit, udhëheqja komuniste pikërisht kësaj marrëveshjeje i trembej. Programi qartazi kombëtar i Legalitetit dhe personalitetet e spikatura që e udhëhiqnin, i shkaktonin panik Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste, të cilat llogarisnin të ardhmen si pushtet dhe jo si marrëveshje kombëtare. Prandaj ajo nisi një luftë sa të nëndheshme, aq edhe të hapur për asgjësimin e Legalitetit. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”. 

Ky vendim ishte absurd, partiak, i njëanshëm, e për rrjedhojë i pavlefshëm si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe këndvështrimi politik e historik. Nga pikëpamja e të drejtës publike dhe kushtetuese, është fakt i pamohueshëm se Mbreti Zog kishte qeverisur vendin legalisht. Ky legjitimitet, u fitua jo vetëm për shkak të kontributeve të spikatura të tij, të pranuara dhe të mbështetura në nivel kombëtar, por mbi të gjitha edhe përmes mjeteve të ligjshme, në përputhje me të drejtën kushtetuese, në nje shtet demokratik, sovran e të lirë. Për më tepër, Mbreti Zog nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, por për shkak të zhvillimeve që nuk vareshin nga vullneti i tij, ai pat deklaruar në Parlament se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe, me vendim të Kuvendit Kushtetues, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte. 

Mbretërorët, krahas rezistencës në ditët e prillit 1939, përpjekjeve për bashkimin e gjithë faktorëve në luftë kundër okupatorit dhe angazhimit të tyre drejtpërdrejtë në frontin e luftës, në të njëjtën kohë bënin sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për kthimin e regjimit legal të mëparshëm. 

Në këto kushte, bazuar në argumentet sa më lart, Legaliteti vijoi të mbështetej në dy kollona bazë, qëndresës kundër okupatorit dhe kërkesës për marrëveshje kombëtare. Nëse kjo marrëveshje, do të ishte arritur siç e kërkonte kjo forcë politike, sigurisht që Shqipëria do kishte patur tjetër rrjedhë duke u orientuar për nga Perëndimi, të cilit i përkiste. Duke parë se këto dy kollona nuk po reflektoheshin nga forcat e tjera politike, drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit.

*ish-deputet & kryetar i PLL   

Major Abaz Kupi dhe Maclean

Major Abaz Kupi dhe Kolonel Bill Maclean

Filed Under: Histori Tagged With: Ekrem Spahiu, pse, u krijua Legaliteti

P­­­ërse plaket njeriu?

January 10, 2019 by dgreca

1 plakja

Prof.dr. Hazbi M.Shehu/

Rinia shpreh gjallërinë,dinamikën dhe bukurinë e jetës njerëzore.

Të rinjtë kurr nuk mendojnë;se një ditë do të plaken?!

Vetëm,kur nisin ngacmimet,që shkaktojnë dhimbje trupore;qenia njerëzore fillon të mendoj për plakjen;bile dhe për vdekjen?!

Njeriu është trup material;ose më saktë qenie e gjallë.

Në vitin1911 Albert Ajnshtajni botoi nje studim;ku vinte në dukje,se:Ekziston nje forcë reale,e cila u jep të gjithë trupave të njejtin nxitim.Kjo është forca e rëndesës[Ajnshtajn faqe 100;libri i Filip Frank].

Ai arriti në përfundimin se:Ecuria e nje rreze; drite në prani të fushës së rëndesës pêson nje farë  shmangie;vlera e sëcilës si rrjedhoj i shpejtësis së jashtëzakonshme të dritës konsiderohet e papërfillëshme.

Në 6 Nëntor 1919 shoqëria e astronomëve të mbretëris së bashkuar;në nje sesion shkencor njoftoi zyrtarisht bilancin e ekspeditave të kryera në Brazil dhe në Afrikën Perendimore se:Rrezet e dritës ishin shmangur nga trajektorja drejtëvizore e tyre dhe e përkulkulur në drejtim të Diellit;si rrjedhim i veprimit të fushës të rëndesës së tij;siç ishte parashikuar nga Ajnshtajni në teorinë e tij të rëndesës.Vlera e këndit të shmangies e matur ishte 1.64 sec.; e përafërt me vlerën e përllogaritur nga Ajnshtajni 1.75 sec.

Si përfundim u provua pesha e dritës dhe lakushmëria e hapsirës.

Procesi i vërtetimit të teoris së Ajnshtajnit u krye sipas fotografimit të yjeve të fiksuar afër Diellit gjatë eklipsit të plotë të tij.

Pikërisht është veprimi tërheqës i fushave të gravitacionit[rëndesës] të trupave qiellorë ,që ata qëndrojne të ekujlibruar në Univers. Vetëm kur nje yllë humb në peshë për shkak të proçesit të vetëlëvizjes në brendësi të tij,do të ndryshoi vlera e fushës së gravitacionit[rëndesës] dhe do të ndodhë prishja e ekujlibrit midis trupave qiellorë. Vendosja e nje ekujlibri të ri në hapsirën e gjithësis midis yjeve lidhet me pozicionet e rinjë të tyre.

Ligjet e natyrës veprojnë dhe  në planetin tone.Si rrjedhim fusha e gravitacionit[rëndesës] të tokës tonë ndikon mbi të gjithë trupat materiale[të ngurtë,etj.] dhe vecanërisht tek qeniet e gjalla,që ndodhen mbi sipërfaqen e tokës .

Fusha e rëndesës të planetit tonë shkakton ngjeshjen apo tkurrjen e organeve të qenieve të gjalla; dhe si pasoj do të ndodhë zvogëlimi apo dobësimi i lëvizjeve të çdo organi.Ky dobësim i lëvizjeve të organeve zvogëlon aktivitetin fillestar dhe fillon gradualisht ngrirja dhe ngurosja e tyre.Kështu me kalimin e kohës organet e qenieve të gjalla dalin jashtëpërdorimit të funksioneve të tyre dhe kalojnë në plakje.

Duhet theksuar se truri i qenieve të gjalla[vecanerisht i njeriut]ndodhet gjithmon në lëvizje ,sepse mendja punon ditë dhe natë[ë

ndërrat],prandaj veprimi i fushës së gravitacionit të tokës mbi trurin është relativisht i dobët.

Mbi trupat materiale,sidomos tek qeniet e gjalla vepron dhe faktori i jashtëm[nxehtësia,të ftohtit,shiu,era,etj.],por këto nuk shkaktojnë plakje.Ato shkatërrojnë dhe coptojnë trupat materiale ,vecanërisht qeniet e gjalla.

Tjetër faktor dëmtues i rrezikshëm është vet njeriu.Ai godet,jo vetëm fizikisht trupat materiale,por dëmton vecanërisht trurin; duke i shkaktuar sëmundje të rreziksëhme,që lidhen me ndjenjat njerëzore.

Vetëlëvizja në brendësi të qenieve të gjalla është forca kryesore,që i kundervihet veprimit të gravitacionit të tokës tonë.Ajo varet :

-Nga trashëgimeria prindërore,e cila shprehet në mënyre të dukëshme në moshën e rinisë;duke e ulur veprimin e forcës të fushës së gravitacionit.

-Mase e nevojshme ,bile e detyrueshme është sigurimi i ushqimit të përshtatshem,të bollshëm dhe cilësor.

-Faktor tjetër ,që zvogëlon ose dobëson veprimin e gravitacionit është aftësia lëvizëse e qenieve të gjalla.

Jetesa e qenieve të gjalla në pikat më të largëta[vendet malore]nga qendra e fushës të gravitacionit dobëson ose zvogëlon veprimin e kësaj force mbi ato.

Qeniet e gjalla nuk mund të shkëputen nga toka pa paisje speciale[p.sh.anije kozmike] .Shpendët  shkëputen përkohësisht nga sipërfaqja e tokës,si pasoj e mekanizmave[krahëve] dhe peshës tyre relativisht të lehtë.

Vetëlëvizja e brendëshme e çdo trupi qiellor kërkon ta shkatërroi,copëtoi dhe ta transformoi ate.Vetëlëvizja e brendëshme e planetit tonë shprehet me anë të vullkaneve,tërmetëve,etj.;duke krijuar dizekujliberin e saj.Forca e gravitacionit tërheq yjet e coptuar nga forca vetëlëvizëse e brendëshme të tyre; duke i bashkuar dhe formuar nje ekujliber të ri në Univers.

Fusha e gravitacionit është e vetmja forcë apo fuqi kryesore,që vendos ekujlibër për të gjithë trupat qiellorë të Gjithësisë[Universit].Pikërisht,kjo është fuqia e mbinatyrëshme,që vendos mbi gjithshka në hapësirën e gjithësisë.

Në nje largësi të caktuar  nga sipërfaqja e tokës tonë;ekziston nje zonë apo brez përqark globit tokësor;ku veprimi i fushës së gravitacionit të tokës ka vleren zero.Ky quhet brezi neutral.Në këtë zonë qeniet e gjalla nuk plaken nga veprimi i fushave të gravitacioni të tokës dhe të të gjithë sistemit Diellor,por dëmtohen dhe shkatërrohen nga forcat e jashtme[të nxehtit,të ftohtit,etj.] dhe nga vetë njeriu.

Përfundime

Sipas teorisë të Ajnshtajnit: Rrezet e dritës kur kalojnë brenda fushës të gravitacionit të Diellit pësojnë  shmangie nga trajektoria drejtëvizore e tyre dhe përkulen në drejtim të Diellit.

Kjo llogaritje e tij u vertetua në vitin1919;nga ekspeditat e shoqëris astronomike të mbreteris së bashkuar,që u kryen në Brazil dhe Afrikën perendimore.

Si rrjedim u vertetua pesha e dritës dhe lakushmëria e hapsirës.

Veprimi tërheqës i fushave të gravitacionit të trupave qiellorë në Univers është fuqia e mbinatyrëshme,që i detyron ata të qëndrojnë në ekujliber.

Këtyre ligjeve i nënështrohet dhe planeti yne.

Sipasoj fusha e gravitacionit të tokës  ndikon mbi të gjithë trupat materiale dhe qeniet e gjalla,që ndodhen mbi sipërfaqen e saj.

Fusha e rëndesës të tokës shkakton tkurrjen e organeve të qenieve të gjalla dhe si rrjedhim ndodhë zvogëlimi i lëvizjeve  të tyre.

Dobësimi i lëvizjeve të organeve sjellë zvogëlimin e aktivitetit fillestar dhe fillon gradualisht  ngrirja dhe ngurrosja .Kështu me kalimin e kohës këto organe plaken dhe dalin jashtëfunksionimit të tyre.

Meqenëse truri i qenieve të gjalla është gjithmon në lëvizje ditë dhe natë[ ëndërrat];ashtu si rrezet e dritës;veprimi i fushës së gravitacionit të tokës mbi te është relativisht i dobët.

Faktorë të tjerë, që veprojnë mbi trupat materiale jane:Klima[nxehtësia,të ftohtit,shiu,era,etj.]dhe vet njeriu.

Këta faktorë shkaktojnë dëmtimin,coptimin dhe shkatërrimin e tyre,por jo plakjen.

Faktori i vetem, që shkakton plakjen e qenieve të gjalla është forca e gravitacionit të planetit tonë.

Vetëlëvizja e brendëshme e lidhur me trashëgimrine prindërore,sigurimi i ushqimit të përshtatshëm,të bollshëm e cilësor,lëvizja e vazhdueshme dhe jetesa në vendet malore i kundervihen plakjes,që shkakton fusha e gravitacionit të tokës tonë.

Duke u larguar nga sipërfaqja e tokës në nje distancë të caktuar rreth globit tokësor;ekziston nje zonë apo brez ,ku vlera e fushës të gravitacionit të planetit tonë është zero.Në këtë zonë qeniet e gjalla nuk ndjejnë veprimin e gravitacionit të tokës.

Burimet:

1]Albert Ajnshtajn   Autor   Filip Frank

2]Earth Science      Autor  Alan  D. Sills

3]Spooky action at disdance.      Autor   George  Musser   2015 New York

Etj.

Filed Under: Sociale Tagged With: Hazbi shehu, Plakja e nejriut, pse

Pse qytetari dixhital i Ramës fa schifo

July 16, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

‘Qytetari dixhital’ i Ramës ‘é una schifezza’ do të thoshin italianët, është një neveri, një krupë, një gërdi, themi ne shqiptarët.

I ashtuquajturi ‘komunikim me qytetarët’ që kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë Edi Rama ka ndërmarrë në ndërkohën mes zgjdhjeve të reja parlamentare dhe formimit të qeverisë së re ‘socialiste’, nuk është asgjë tjetër veçse një kopjim, një plagjiaturë e “qytetarit dixhital”, që ish kryeministri Sali Berisha ka ndërmarrë në faqen e tij në facebook pas zgjedhjeve parlamentare të para katër vjetëve.

Në ato zgjedhje Sali Berisha e humbi pushtetin, e humbi zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike dhe, përveç paraqitjeve të tij në seancat parlamentare të të enjteve, nuk ka me çfarë të merret. Kohën e tij më aktive Berisha ua kushton statuseve në faqen e tij zyrtare në facebook dhe komunikimeve me qytetarët. Këta e njohin ish kryeministrin me shkeljet e ndryshme në administratën shtetërore, me fakte të freskëta negative shpesh në kohë reale, që ndodhin në jetën e përditshme anembanë vendit.

Qytetarët që pa ndërprerë e njohin me realitetin, Berisha i përmbledh në “Qytetarin dixhital” dhe komunikimin e tij e konsideron një rubrikë mediatike. Pa përjashtim, të gjitha statuset e Berishës, të buruara nga ky komunikim gjejnë botim të menjëhershëm në të gjitha llojet e mediave shqipe, të të gjitha llojeve.

Vetëm një numër i vogël i tyre nuk konfirmohet nga realiteti, pra janë të rreme, të sajuara qëllimisht nga qytetarët e ndryshëm, për t’ia zbutur ndikimin këtij komunikimi të Berishës. Prej shtatorit të vitit 2013, kur u largua nga pushteti, Berisha, siç e përmenda, i ka gjithnjë e më të pakëta mjetet për ta verifikuar shkallën e vërtetësisë së një informacionit nga terreni. Prandaj reagimi i publikut ndaj kësaj mënyre komunikimi të ish kryeministrit është kryesisht miratuese.

Rama e ka kopjuar në shumëçka Berishën. Përgjithësisht politikanët shqiptarë i kopjojnë shumë pasardhësit e tyre, nga Enveri, Mehmet e deri tek këta të fundit. Të gjitha këto kopjime ‘fanno schifo’, ngjallin neveri. Por kjo do të ishte temë më vete. Rama po e kopjon tashi Berishën ish kryeministër, pra nuk po e kopjon Berishën kryeministër, çka ngjall, veç të tjerash mosmiratime në publik dhe jo vetëm në personat që preken drejtpërdrejt nga këto që publiku i quan ‘listat e zeza’ apo ‘fletërrufe’ të Ramës.

Në këto ‘lista të zeza’, ‘fletërrufe’, ‘dacibao’, ‘gazeta muri’ krahas emrave të panjohur, përfshihen edhe emra personalitetesh të shquar. Këta të fundit nuk i kanë ardhur pas qejfit ndonjë teke të ndonjë militanti ‘socialist’ dhe ky ia nxin emrin drejt e tek vëmendja e kryeministrit aktual.

Publikimi i emrave, të shquar apo të pashquar, të njohur apo të panjohur le të jenë këta, nga kryeministri aktual, në kohën kur ai e mban veten të jetë në kulmin e pushtetit, më i votuari pas Enver Hoxhës, më i stërfuqishmi pas tij, lind një dyshim të fortë, ngre një dyshim të madh: Kryeministri më shumë se fuqinë e tij, më shumë se pushtetin e tij a mos po e ndjen pafuqinë e tij, papushtetin e tij. (?!?) Tashi që e ka timonin i vetëm dhe që po e mbërthen e po shtrydh gjithnjë e më shumë në duart e tij, a mos vallë anijen po ia rrëmbejnë valët dhe atij po i ngelet vetëm timoni?!!!

Sepse një kryeministër në pushtet, për më tepër një kryeministër në ngjitje marramendëse, siç e mendon ai veten e tij, do të kishte mundësinë t’i verifikonte njoftimet e qytetarëve dhe, vetëm pasi t’i ketë veirifikuar, natyrisht, në kohën sa më të shpejtë, t’i shpallë emrat bashkë me bëmat dhe me pasojat e bëmave të tyre.

Administrata e Ramës është e krimbur. Është mirë që kryeministri ta mbajë vëmendjen të përqëndruar pikërisht aty. Për administratën joshtetërore, Rama le të krijojë e konsolidojë institucionet.

Le të ketë edhe pak besim tek Reforma në Drejtësi. Sepse komunikimet e Ramës me qytetarët nuk e zëvendësojnë Reformën në Drejtësi. Edhe këtu duket se po kapërcej në një temë tjetër.
“Listat e zeza” të Ramës, veç të tjerash, nuk shpëtojnë nga sensi i hakmarrjes. Nuk shpjegohen ndryshe ngutjet e një kryeministri, që e kalon një pjesë të madhe të përditshmërisë së tij duke komunikuar në facebook me qytetarët, për të borohoritur sapo në rrjetën e merimangës së tij të komunikimit me publikun bie ndonjë emër i madh.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Ramës fa schifo, pse, qytetari dixhital, Skender Bucpapaj

Pse nuk e ka fajin korrupsioni

July 10, 2017 by dgreca

Dr.Ledian DrobonikuNga Dr. Ledian Droboniku*/

Ky artikull niset i shfavorizuar sepse drejtohet kundër një dogme që iu induktohet shqiptarëve në mënyrë sistemike prej 27 vitesh, se: “fajin e ka korrupsioni”/

Në shkrimet e mia i jam kundërvënë çdo dogme vendi apo importi duke preferuar analizën ndaj slloganeve. Karakteristikë e kësaj kaste nuk është fshehja e problemeve, por përmbysja e tyre, prandaj dhe beteja në radhë të parë është semantike, mbi kuptimin e vërtetë të fenomeneve. Kështu që dogmës së korrupsionit i duhet kundërvënë një karakteristikë e shteteve të botës së tretë si është ajo që në doktrinë njihet si “kapja e shtetit dhe ekonomisë”. Dy diagnoza të ndryshme që kërkojnë edhe dy receta të ndryshme.

Pavarsisht refuzimit instiktiv të lexuesve, dua të kujtoj se idetë nuk maten me numra dhe kile kurse liria e vërtetë, ngrihet aty ku duhet të thuash edhe atë atë që të tjerët nuk duan ta dëgjojnë. Besoj se kjo nuk aplikohet vetëm në filozofi, por kudo sepse asnjëri nuk do dëshironte të shkonte tek një mjek, që të thotë se çfarë ke qejf të dëgjosh dhe jo diagnozën e patologjisë. Për të kënaqur egon njerëzit shkojnë tek fallxhoret. Nëse jeni duke vazhduar leximin e këtij artikulli mendoj se nuk bëni pjesë tek këta të fundit.

Korrupsioni ka qenë një ndër flamujt e rremë të kastës së tranzicionit. Ai ka shërbyer si antitezë, si pjesa komplementare e tezës mbi integrimin e Shqipërisë. Dy entitete metafizike sepse nuk mund të kontrollohen, maten, gjetur përgjegjësit apo rezultatet. Metoda shkencore zëvendësohet me shprehjen kamomil “keni shënuar hapa pozitivë”. Nuk është as proçes, sepse fjala proçes në etimologjinë e saj latine do të thotë sekuencë të qartë aktesh e subjektesh të periodizuar në kohë.

Të gozhduar pas dogmës së korrupsionit, turrmat vijnë përqark duke pedaluar një biçikletë pa zinxhir. Qindra miliona euro, mijëra konferenca, qindra OJF, deklarata ndërkombëtare dhe kombëtare për luftën ndaj korrupsionit. Por sa më shumë flitet e mallkohet, aq më shumë ai shtohet. Pas 27 vitesh “betejash” pa sukses, të lind dyshimi legjitim se ndoshta po luftojmë me mullinjtë e erës, se ndoshta po na fshehin armikun e vërtetë?

Dyshimi metodik, është shtysa e zhvillimit të Perëndimit nisur prej Sokratit deri tek Kartezio dhe tek revolucionet moderne. Njerëzimi i fitoi sfidat duke u ndarë prej dogmave, duke mos u mjaftuar me njohurinë sensoriale por duke zhvilluar arsyen dhe analizën. Nga ana tjetër, thoshte Herakliti, të gjithë janë të pajisur me logosin edhe pse jo të gjithë arrijnë ta ndezin atë. Shumica e njerëzve dashurohen pas dogmave, sepse janë të thjeshta dhe shpjegojnë gjithçka pa u lodhur së menduari. Kjo tendencë përforcohet akoma më shumë kur një sistem i tërë e promovon, në dëm të së vërtetës dhe lirisë së popujve.

Nëse pyet sot një qytetar shqiptar, në çdo cep të vendit, se përse nuk zhvillohet Shqipëria, ai të përgjigjet rrufeshëm se “fajin e ka korrupsioni”. Pas kësaj aksiome, rrjedhin natyrshëm të gjitha të tjerat: se fajin e ka vetë populli, se nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë, se ne meritojmë qeverinë që kemi, se vetë i votojmë e kështu me radhë.

Shpjegimi është i thjeshtë dhe qarkor. Ai të çliron nga makthi i së panjohurës dhe detyrimi për ndryshim. Nëse do vazhdoje bisedën dhe pyesje, se vërtet vetëm shqiptarët janë të korruptuar, se përse shqiptarët në Europë prosperojnë, se përse të huajt që vijnë në Shqipëri korruptohen ose përse vende të korruptuara si Turqia zhvillohen, rrezikon ta çosh bashkëbiseduesin në tilt. Ai mbetet pa dogmën e tij, ai nuk arrin të kuptojë më botën përqark tij sepse nuk disponon instumenta analitikë. Kështu u shokuan popujt pas rënies së dogmës obskurantiste fetare, se gjithë të mirat vinin nga Zoti e gjithë të këqijat dhe sëmundjet nga djalli. U desh mundi, djersa dhe shpesh herë edhe gjaku i mendimtarëve dhe shkencarëve për të shpjeguar të kundërtën.

Korrupsioni është një istancë metafizike sepse ka shoqëruar shoqërinë në sfidat e saj për progres dhe zhvillim. Ai ka qenë kurdoherë dhe kudo pra dhe asgjëkundi, do thoshte Gorxha kur replikonte absolutizmin ekzistencial parmenidian. Duke qenë pjesë e natyrës humane ajo çfarë mund të bëhej, ishte ndërtimi i asaj arkitekture sociale dhe ekonomike që minimizonte veset dhe promovonte virtytet. Grekët shpikën etikën dhe romakët institutiones, pikërisht për të formuar një shoqëri të drejtë për të gjithë.

Këtu ndahen vizionet.

Ai liberal, që mendon se individi vetëbëhet dhe ai komunitarist që mbështet idenë se njeriu lind e zhvillohet vetëm në komunitet. Është cilësia e këtij komuniteti që farkëton një njeri të shëndetshëm e me virtyte apo një njeri të korruptuar e pre të veseve. Ky i fundit është dhe mendimi shkencor mbështetura nga sociologjia, psikologjia, antropologjia kulturore etj.

Pas rënies së regjimit komunist, në vend që të kalonim në një shoqëri iluminste, kaluam nga dogma komuniste në dogmën neoliberiste. Këtu duhet kërkuar dhe origjina e së keqes. Struktura ekonomike neoliberiste duhet të përputhet me sovratrukturën kulturore që anatemon çdo formë komuniteti (familje, shkollë, shtet, atdhe etj) duke projektuar vetëm vizionin individualist. Në të mirë apo në të keqe, është vetë individi përgjegjës për gjithçka ndodh përqark.

Nuk ka shoqëri por vetëm individë, do deklaronte Thatcher nën mësimet e teologut të saj, Hayekut. Njerëzit janë kafshë hobsiane dhe ata veç duhen drejtuar nga elitat. Kapitalizmi klasik u ngjiz  mbi një mëkat origjinal, sepe u ngrit mbi grykësinë e individit dhe përfitimin me çdo kusht. Është interesante se si në fillim, teologët e kapitalizmit në fillim me Rikardon apo Maltues, akuzonin të mjerët për padrejtësitë e sistemit. Në këtë drejtim, shkojnë dhe tezat e Spencer apo Darvinit, deri tek “fabula e bletëve” të Mandeville, që justifikonte korrupsionin si një e keqe e domosdoshme, sepse sistemi nuk funksionon me virtyre por me vese. U deshën dy luftra botërore, për të bindur qytetarët se kështu nuk ishte. Se një sistem nuk mund të ngrihet mbi padrejtësi, mbi themele vesesh, abuzime e privilegje. U desh largimi nga kapitalizmi klasik që solli si reagim fashizmin dhe komunizmin, për të instaluar një kapitalizëm keynesian human e social, ku kapitali nuk mund të dilte mbi punën dhe tregu mbi demokracinë.

Fatkeqësisht nga ky kurs, që i solli Perëndimit mirëqënie, një shtet social, shtresën e mesme, sindikata e të drejta sociale, do të largohej në vitet “70, për të risjellë në pushtet kapitalizmin kanibalesk mesjetar e bashkë me të dogmat e vjetra kundër qytetarit e pro elitave.

Nën këtë vizion, korrupsioni nuk shihet më si një dështim i arkitekturës institucionale qeveritare, por ves origjinal i individit i cili projektohet në çdo segment. Nëse ti indukton mbi një popull të tërë fajësimin për dështimet e sistemit, si efekt të menjëhershëm do kesh dizinteresimin dhe distancimin e tij prej pjesëmarrjes në vendimet e komunitetit. Ky është në fakt misioni i neoliberizmit: të largojë qytetarët nga pjesëmarrja dhe kontrolli i institucioneve politike-ekonomike sepse vendimmarrja e vërtetë duhet ti rezervohet “elitave” apolide e kozmopolite, pa fe e pa atdhe. Që ky sundim të bëhet i qetë dhe pa rezistencën e të sunduarëve, këta të fundit duhet të përpunohen për të kërkuar vetë, atë që elitat kishin paravendosur.

Historia e tranzicionit (jo vetëm shqiptar) është pikërisht kalimi nga një elitë e nomeklaturës komuniste në një elitë neoliberiste, ku vendimet ishin dhe mbeten përsëri pronë e një pakice autoreferenciale. Si pasojë kemi pezullimin e demokracisë, si pushtet i popullit mbi fatet e vendit dhe kapjen e shtetit dhe ekonomisë nga pak duar. Nëse formatimi i shoqërisë nuk do bëhej nga poshtë (si kërkon demokracia) sigurisht ajo do vazhdohej të bëhej nga sipër, nga “demijurgët” e rinj me rrënjë të vjetra. Këta do sundonin në ortakëri me lobe ndërkombëtare me të cilët do ndanin pasuritë publike e lumenjtë financiarë, falë fabrikës së konsensusit masiv.

Një mendje naive do të besojë që “modelet” mund ti krijojë gjithkush, si petullat me ujë. Fakti është që një sjellje bëhet model, vetëm nëse ajo futet dhe shpërndahet nga kanalet e komunikimit masiv. Nëse këto kanale janë në duart e kastës edhe modelet do ti shëmbëllejnë natyrës së kastës.  Kjo do të thotë që modelet (të shëndetshëm apo korruptivë) do krijoheshin me forcën e autoritetit si kishim eksperimentuar për 45 vjet. Shqiptarët ishin dhe mbetën spektatorë të fateve që i vendoste dikush tjetër për ta. Edhe pse rituali i votës vijonte si në komunizëm, populli nuk arrinte të kontrollonte dot shtetin e tij, partitë, sindikatat, pasuritë publike, reformat ekonomike, territoriale, shoqatat etj. E gjithë jeta ekonomike, politike, akademike, mediatike e kulturore ishte dhe mbeti pronë e partisë, si i vetmi subjekt real në vend. Të gjitha vendimet merreshin nga një grusht njerëzish jo për interes publik por atë klientelar. Të ndodhur përballë dështimeve të pamohueshme, kasta ka nevojë eminente që t’ia faturojë këto dështime vetë viktimave si një popull i korruptuar, injorant e dembel.

Këtu teoria e korrupsionit kthehet në funksionale ndaj vazhdimit të status quos-s sepse korrupsioni është kudo dhe asgjëkundi, ai perceptohet si ves i shoqërisë dhe jo ADN e një pushteti autarkik që vetëgjenerohet mes barbarisë dhe babëzisë. Beteja sot është kryesisht semantike, pasi neoliberizmi nuk fsheh problemet por përmbys vizionin dhe kuptimin e fjalëve. Nëse situatës në Shqipëri do i vinim emrin e duhur, pra kapje shteti, kjo nuk do linte indiferent askënd sepse 99% e qytetarëve do ngrihej, 97% e biznesit do reagonte e bashkë me ta studentët, punëtorët apo intelektualët e pakooptuar. Zaptimi i vendit do mbaronte e qytetarët shqiptarë do kontrollin shtetin dhe pasuritë e tyre kombëtare. Kjo do të përbënte vërtet rrezik për vijimin e marrëveshjes mes kastës shqiptare dhe lobeve transnacionale.  Në vend të kësaj, kasta dhe qarku mediatik apo ojf e huaja dhe ambasadorët, trumbetojnë vetëm “korrupsionin” duke relativizuar çdo problem me një term amorf, e bashkë me të duke neutralizuar opinionin publik pas një dogme. Ashtu si shprehej, Alain Badiou, sistemi flet për korrupsionin duke segmentizuar problemet si lokale për të shpëtuar totalitetin e tij ngritur mbi themele autarkie e antidemokratike.

Problemet e Shqipërisë vijnë nga kapja e shtetit dhe vënia e tij në funksion jo të mirëqënies së përgjithshme por të privilegjeve të një oligarkie. Njësoj si në diktaturën enveriste, për të mbrojtur figurën e diktatorit, përdorej shprehja se “uji lart buron qelibar por turbullohet poshtë”. Në këtë mënyrë, krijohej iluzioni sikur sistemi ishte në rregull atje “lart”, kurse e keqja qëndronte  gjithmonë “poshtë”. Koha provoi të kundërtën. Që ai sistem ishte i kompromentuar në thelb dhe nuk mund të arrnohej por vetëm rrëzohej. Përdorimi i të njëjtës frymë me metoda të reja është dhe retorika mbi korrupsionin sot. Ai krijon iluzionin se faji është përsëri poshtë dhe përsëri masat i besojnë ashtu si kishin besuar për 45 vjet. Vetëm fshehja e problemit prej analizave shkencore, politike, ekonomike dhe trasformimi i tij drejt dogmave antropologjike, arrin të mbajnë nën narkozë popullin më të varfër të Europës. Trasferimi i përgjegjësisë nga një kastë që kontrollon gjithçka drejt qytetarëve që nuk kanë në dorë asgjë, është kryevepra e propagandës së tranzicionit.

Kjo propagandë arriti të bindte popullin televiziv:

Se është faji i vetë qytetarit, që për të shpëtuar një të afërm, i jep rryshfet mjekut. Propaganda fajëson qytetarin sikur ky të kishte një alternativë (ashtu si pushtetarët mjekohen jashtë vendit), sikur këtë model ta kishte shpikur ai dhe jo vetë sistemi i kalbur i mjekësisë, sikur njeriu ka qejf të paguajë diçka që mund ta marrë si një e drejtë si në vendet normale. Fakti është se modelet krijohen nga ai që ka pushtet dhe korrupsioni u ngrit në model nga mjeku tek shefi i repartit deri tek ministri dhe lobet sepse është nevojë strukturore e kësaj kaste parazitare. Sigurisht qytetari mund edhe të bëhet stoik mos të japë rryshfet por rrezikon të humbasë nënën apo fëmijën, mund edhe të denoncojë apo të rrahë mjekun. Eksperienca ka treguar se kjo e fundit ka qenë zgjidhja më frekuente edhe pse jo shumë e suksesshme. Nga ana tjetër në burg nuk përfundon kurrë një mjek por gjithmonë të varfërit e të pambrojturit.

Duke kaluar tek drejtësia dhe parodia që po luhet me reformën në Drejtësi, krijohet përshtypja sikur faji të ishte përsëri i korrupsionit dhe jo një modeli barbar që vendosi kasta e tranzicionit. Kjo kastë nuk do kishte krijuar privilegjet nëse do zbatohej ligji ashtu si Kushtetuta kishte sanksionuar formalisht. Kaosi me pronën u dha mundësi njerëzve të kastës që të përfitonin mijëra hektarë, fabrika e pasuri të shqiptarëve në mënyrë të padrejtë. Të mjerëve iu kërkohet përsëri durim se këtë herë do vendoset drejtësia prej vërteti dhe hienat do bëhen vegjetariane.

Të njëjtën gjë mund ta thonim për vendet e punës, tenderat, studimin etj. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për korrupsion sepse ai duhet të ishte sporadik dhe jo rregull. Këtu bëhet fjalë për kapje të shtetit sepse vendet e punës i jepen vetëm besnikëve të partisë. Vetëm në këtë mënyrë sistemi riciklohet me privilegje dhe skllevër militantë e injorantë. Sot do të ishte çudi sikur një tender të bëhej pa rryshfete për vajisjen e makinerisë së sistemit. Bizneset afër kastës prosperojnë kurse të ndershmit janë të detyruara të dështojnë nëse nuk “përshtaten”. E njëjta propagandë e fëlliqur bëhet duke anatemuar studentët për rrënimin e shkollës. Sikur të ishin studentët që emëruan docentët injorantë  e militantë, sikur të ishin ata dhe jo kasta që mbushi vendin me fabrika çertifikatash, sikur të ishin ata dhe jo kasta që dhjetfishoi tarifat e rrëzoi cilësinë, që fut forumet partiake brenda shkollës, ku privilegjohen injorantët dhe goditet meritokracia.

Propaganda arrit të bindte popullin se faji qëndron përsëri poshtë, tek këta shqiptarë hajdutë e dembelë. Lufta duhej spostuar pra tek mikrokriminaliteti dhe jo bandat politiko-ekonomike-kriminale. Është kjo arsyeja se përse turrmat u ndërsyen kundër njëra tjetrës se kush paguante dritat e kush jo. Narkoza bënte të harronte që çuditërisht nuk goditeshin ata që kishin vjedhur hidrocentrale por vetëm të mjerët që vidhnin një llambë në errësirë, nuk goditeshin mediat, qendrat tregtare e bizneset e kastës që nuk kishin paguar kurrë dritat. Kasta shpiku komisarin digital për të denoncuar parkimet e paligjshme por që nuk mund të denoncoheshin ata që vodhën CEZ, konçesionet nëpër spitale, porte e aeroporte, banka e pasuri publike. Edhe kompromentimi i të vetmit institucion demokratik si është vota, i faturohet popullit sepse ai shet votën. Por kush e ble votën? Por mbi të gjitha çkuptim ka ajo ku listat dhe parlamenti mbushet me besnikë dhe eunukë të liderrrit? E Vërteta është se dhe vota është neutralizuar e ajo nuk shërben më as për te kontrolluar demokratikisht shtetin dhe as realizuar vullnetin dhe nevojat e popullit sovran. Ajo shërben vetëm për të legjitimuar sundimin e kësaj kaste barbare antikombëtare.

Kulmin arriti deri aty sa kasta rekrutoi kompani të huaja për t’iu konfirmuar shqiptarëve se “nuk bëhej Shqipëria me shqiptarë”. Kjo tezë fabrikuar në akademitë shoviniste serbe, iu propagandohet sot shqiptarëve me një efikasitet të parezistueshëm. Por realiteti i fakteve tregoi se etero-legjitimiteti i kastës nuk do e shpëtonte atë nga dështimet e paevitueshme. Ardhja e croën agents për doganat shqiptare, agjencisë angleze për arsimin shqiptar, studiove arkitekte të huaja për masakrën urbane, “ekspertë” diplomatikë e ekonomikë të huaj, diskredituan këtë tezë të fëlliqur antikombëtare. Sistemi është ngjizur mbi një ADN shkatërrimi e denigrimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Asnjë rekrut i brendshëm dhe i jashtëm që punon për llogari të kësaj kaste nuk do i shpëtojë shqiptarët. Popujt shpëtojnë vetë nëse marrin në kontroll shtetin, ekonominë dhe pasuritë e tyre kombëtare.

Rivendosja e kontrollit demokratik mbi shtetin, institucionet, ekonominë e financën është sot beteja e vërtetë kundër neoliberizmit, globalizmit dhe rendit të ri botëror që po instalohet sot me konsensusin pasiv të popujve. Trumbetuar sistematikisht prej 27 vitesh nga qarku politik, mediatik nga çdo pseudo intelektual e artist se fajin e ka vetë populli, në fund dhe budallai beson se është vërtet budalla dhe fajtor. Të sëmurë me sindromën e vetëfajësimit, të gjithë mendojnë në kor se jemi specie inferiore dhe prandaj duhet të qeverisemi nga të huajt.

Ky autoracizëm nuk ushqehet vetëm nga kanalet e brendshme por dhe ato të huaja.

Tashmë është instaluar një propagandë dhe brenda BE-së për të eklispuar kritikën ndaj modelit të saj neoliberist e antidemokratik, një propagandë për të diferencuar popujt nordikë si punëtorë e të zgjuar dhe ata të jugut, si dembelë, si të korruptuar, me vese etj (grupi PIGS). Teknika e manipulimit të masave bën që individi ti japë shpjegim botës duke u nisur nga vizioni i tij në mikro, se çfarë i thonë shqisat përqark tij e jo si funksionon sistemi. Duhen njohuri dhe të dhëna ekonomike, financiare, statistikore për të kuptuar që produktiviteti i një ekonomie nuk varet nga zelli për punë, por nga struktura ekonomike, nga niveli i saj teknologjik, nga fluski financiar, nga institucionet në mbrojtje të interesit publik etj. Pasi disponon këtë të dhëna arrin të kuptosh psh që punëtorët e Europës jugore bëjnë më shumë orë pune, arrin të kuptosh që borxhi i dhënë me “bujari” nga bankat gjermane-franceze shkonte për importet e mallrave të këtyre vendeve duke shkatërruar ekonominë e prodhimit të vendeve të prapambetura, arrin të kuptosh që pasuria e kombit u përqendrua në pak duar dhe depozituar përsëri në bankat e Europës veriore. Kurse popujt e jugut duhet të paguajnë interesat, duhet të rriten taksat, privatizohet pasuria publike dhe ulen rrogat. Vende të tilla shkojnë drejt kolonizimi ekonomik dhe për pasojë dhe humbjes së sovranitetit politik. Ky nuk është komplot, por realizim i një ideje ekonomike-politike njohur si neoliberizëm ku tregu dhe kapitali global zëvendëson shtetet dhe aksionin publik. Gjithçka që është publike duhet të privatizohet duke kushtëzuar me lek çdo shërbim që deri dje ishte i aksesueshëm për publikun. Shqipëria nuk është e izoluar por pjesë e këtij projekti antidemokratik që përqendron pushtetin politik-ekomomik e mediatik në pak duar. Vijimi i këtij projekti mundësohet falë makinës së propagandës dhe blerjes së intelektualëve që preferojnë ti shërbejnë sistemit duke mbjellë vrer kundër popullit si i korruptuar, dembel, injorant, pabuks e kokëpalarë.

Dalim nga ky kurth pskologjik, që na mban të burgosur në atdheun tonë. Shqiptarët nuk janë as inferiorë dhe as superiorë ndaj “rracave” të tjera. Jemi si çdo popull tjetër me të mirat e këqijat tona, që arrijmë të punojmë, studjojmë e prosperojmë atje ku sistemi është i lirë dhe promovon ndershmërinë dhe gjenialitetin.

Por si këta popuj, edhe ne duhet të bëjmë betejat tona për marrë në kontroll shtetin dhe ekonominë tonë prej duarve të një kaste barbare e antikombëtare. Çrrënjosja e një sistemi ngritur mbi partitë drejt  një shoqërie ngritur mbi demokracinë pjesëmarrëse që mundëson vendimin dhe kontributin e çdo shqiptari për atdheun dhe shtetin e vet – është beteja e vërtetë. Vetëm një shtet i tillë i tokëzuar me qytetarët do arrijë të mbrojë interesat e qytetarëve, vetëm kështu do realizojmë dhe ato politika ekonomike që na kthejnë nga një koloni importi në një ekonomi prodhimi e punësimi, vetëm kështu do nuk do lejojmë më as oligarki politike e as monopole ekonomike, as parti dhe as lobe e masoneri.Vetëm kur të luftojmë betejat e duhura, do arrijmë të krijojmë një Shqipëri Normale, që nuk duhet më ta braktisim por ta jetojmë e shijojmë ashtu si kemi bërë ndër shekuj në këto troje autoktone.

*Bashkëthemelues i ShqipON

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Ledion Droboniku, n korrupsioni, nuk e ka faji, pse

VEZHGIM NE KOMUNITET: DY FESTIVALE FEMIJESH NE NJE DITE! PSE?

May 30, 2015 by dgreca

Te Dielen e 31 Majit 2015 organizohen dy veprimtari te emertuara si Festivale Femijesh. Njeri, eshte per nga mosha, nje vit me i madh se tjetri,dhe eshte emertuar”Festivali i Zerave te rinj” dhe ka per organizatore artisten Pranvera Cobo, tjetri eshte nje vit me i vogel dhe eshte emertuar si “Festivali i Shkollave Shqipe”. Ky i fundit u organizua per te paren here vitin e shkuar ne Bronx, nen kujdesin e Ish Konsullit te Pergjithshem te Republikes se Kosoves ne New York, diplomatit te shkelqyer Bekim Sejdiu, i cili eshte nga diplomatet me te mirepritur nga komuniteti shqiptar i te gjitha trevave ketu ne SHBA. Duke perfshire dhe femijet e vet ne kete ngjarje artistike, diplomati Sejdiu, pati perkrahje te gjere dhe veprimtaria pati pjesmarrje masive. Nje problem qe ha te diskutuar eshte emertesa e kesaj veprimtatrie artistike si”Festival”. Ai i ploteson kjo veprimtari kriteret e nje festivali apo eshte thjesht nje koncert me pjesmarrjen e grupeve te shkollave shqipe te Treshtetshit?! Ndoshat do te ishte me udhes te cilesohej si nje koncert festiv ne mbyllje te vitit shkollor sepse edhe programi i ndertuar, se paku ai i vitit te shkuar, pra Festivali i Pare, ishte konceptuar si i atille?! Gjithesesi eshte e drejte e organizatoreve qe t’i pagezojne veprimtarite ashtu sic u pelqen atyre,por duke qene se ky festival lindi nje vit pas Festivalit te Zerave te rinj, do te ishte mire qe te respektohej ai si me i hershmi.
Festivali i Zerave te Rinj, sipas organizatoreve, qe kane bere edhe disa takime me komunitetin shqiptar ne Nju Jork, synon qe pervec te kenduarit ne gjuhen e bukur shqipe dhe kercimit te valleve tradicionale shqiptare, te kete edhe nje lloje konkurimi, pra ka krijimtari te mirefillte te krijueseve shqiptare, ketu ne Diaspore, por edhe nga vendlindja. Do te kete cmime per artistet femije. Juria ka ne radhet e veta artiste te mirfillte te njohur ne kulturen Kombetare Shqiptare. Sivjet, kete Festival, pervec Televizioneve dhe medias se Komunitetit, do ta regjistrojne edhe TV amerikane dhe Televizioni Shteteror Shqiptar. Deri ketu gjithcka duket e rregullt, po cili eshte shqetesimi? Veprimtatri te tilla organizohen nje here ne vit dhe si te tilla marrin vlere, jo vetem ne syte e femijeve. Do te ishte mire qe femijet te ishin spektatore masiv ne te dy Festivalet. Mirepo kjo nuk eshte e mundur pasi organizatoret kane menduar te krijojne nje precedent perplasjeje; te dy ne te njejten dite, ne 31 Maj. E pyetem z. Gjergj Dedvukaj, pjesmarres ne Festivalin e Shkollave Shqipe, i sapokthyer nga Festivali Kombetar i Gjirokastres; se cfare mendonte ai per kete perplasje? A ishte normale qe te dy festivalet te organizoheshin ne te njejten dite? Natyrisht qe jo, tha ai, dhe shtoi: Nuk e di pse u krijua kjo perplasje. Une per vete nuk kam dijeni.
Pyetem organizatoret e Festivalit”Zerat e Rinj” se perse eshte krijuar kjo perplasje. Pergjigja e tyre: Nuk eshte faji yne, qe ne Shkurt, ne kemi cuar projektin tone ne Konsullaten e Kosoves, pasi ata jane marre me keto veprimatri dhe ne menyre te vecante me shkollat shqipe, dhe nuk paten asnje kundershtim. Nuk e dime se pse e lejuan kete perplasje?
Deshirojme qe kjo perplasje te mos ndodhe me vitin e ardhshem sepse femijet spektatore dhe prinderit e tyre mund t’i ndiqnin te dy veprimtarite, por jane vete organizatoret qe kane krijaur perplasjen. Kujt i intereson kjo perplasje? Kush fshihet pas kesaj? Hamendjet jane te shumta, por kush e ka mizen ne kesule le te kruhet. Mos e percani me komunitetin. Se paku, jo me femijet. Xhelozirat i hidhni pas shpine!(DIELLI)

Filed Under: Komente Tagged With: DY FESTIVALE FEMIJESH, në një ditë, pse

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT