Nga prof.dr. Eshref Ymeri*/
Me profesorin e nderuar të historisë, zotërinë Rasim Bebo, jam njohur vite më parë përmes faqeve të internetit. Më pati lënë mbresa të thella formimi i tij, si një intelektual i brumosur nacionalist, i cili, në publicistikën e tij atdhetare, ka folur vetëm me gjuhën e së vërtetës. Kuptohej vetvetiu që ai ishte rritur dhe edukuar në një mjedis familjar që shqiptarinë e ka pasur si një Yll Karvani.
Profesor Rasimi tani është në një moshë mjaft të nderuar. Ai ka lindur në fshatin Shalës të Konispolit. Që në moshë të njomë, ai u mëkua me ndjenjat e atdhedashurisë. Gjyshi i tij, së bashku me nipin dhe me dhëndrin, pati marrë pjesë në Luftën e Janinës. Atje u vra dhëndri i gjyshit, Xhelo Neimi, kurse vetë gjyshi ndërroi jetë pas plagëve të rënda që pati marrë në atë luftë. Babai i Rasimit, që njihej si një pronar i pasur dhe që pasurinë e kishte vënë me djersën e ballit, pati vdekur para kohe, duke e lënë të birin foshnjë, në moshën 4-vjeçare, dhe djalin tjetër 2 vjeç. Djemtë i rriti dhe i edukoi nëna e tyre e dashur. Në vitin 1938, ai përfundoi shkollën fillore me pesë klasë në fshatin e tij të lindjes.
Kur filloi lufta antifashiste, Rasimi ndodhej në moshën e pararinisë (e adoleshencës). Figura të njohura, si Tahir Demi, Sadete Demi, Mufit Sejko, Selim Islami e të tjerë që qenë lidhur me lëvizjen antifashiste, bënë thirrje për t’u ngritur në luftë për çlirimin e atdheut. Kjo thirrje i frymëzoi të rinjtë e fshatit, nga radhët e të cilëve dolën 15 partizanë. Ishte viti 1942, kur Rasimi sapo kishte mbushur 16 vjeç. Komisari i batalionit, Dilaver Poçi, Rasimit i pati ngarkuar detyrën e korrierit që të lidhte batalionin “Çamëria” me grupin IV në Theollogo dhe me Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër që ndodhej në një fshat të Përmetit. Rasimi ka marrë pjesë në të gjitha aksionet luftarake të batalionit “Çamëria”. Më 20 mars 1944 ai ka luftuar me armë në dorë kundër trupave gjermane në betejën e Konispolit, si edhe në betejën e Delvinës që u zhvillua më 21 korrik 1944. Në atë betejë të rreptë, në krah të djathtë dhe të majtë të Rasimit, ranë dëshmorë respektivisht Jani Çavo nga Lefterhori dhe Nasho Marto nga Smineci dhe u plagos komisari i kompanisë, delvinjoti Kamber Haxhiu. Në atë betejë Rasimi u plagos dhe u shtrua në spitalin partizan që ndodhej në Leshnicë.
Viti 1945 Rasimin e gjeti në Bilisht, në Batalionin III të Brigadës II sulmuese, në detyrën e përgjegjësit të rinisë së batalionit. Asokohe, shefi i sigurimit të divizionit në Korçë, u pati propozuar strukturave përkatëse në Tiranë që Rasimi të dërgohej për studime në shkollën e sigurimit në Bashkimin Sovjetik. Rasimi nuk e pranoi një propozim të tillë. Në vitin 1946, në moshën 20-vjeçare, Rasimi mbante detyrën e sekretarit të rinisë në Brigadën II sulmuese në Pogradec. Në tetor të po atij viti, së bashku me 40 ushtarakë, ai u dërgua në Jugosllavi për të vazhduar studimet në shkollën e tankeve të armatës jugosllave. Në prill të vitit 1948, të diplomuar, ata u kthyen në atdhe. Kur u krijua regjimenti i tankeve “Vojo Kushi”, me komandant Myslim Ketën dhe me komisar Rexhep Dodën, Rasimi 22-vjeçar ishte njëri ndër oficerët me diplomë “shkëlqyeshëm” për armën e tankeve.
Me rastin e festimeve të 10-vjetorit dhe të 15-vjetorit të ushtrisë, u shpërndanë dy dekorata për oficerët shembullorë: urdhri “Ylli i Kuq” dhe “Urdhri i Skënderbeut” i klasës II. Rasimin e vlerësuan me të dy këto urdhra. Por në vitin 1956 ngjarjet do të merrnin një tjetër drejtim në jetën e oficer Rasimit. Në maj të atij viti, vëllai i Rasimit, Xhemili, arratiset së bashku me të shoqen dhe përfundon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në qershorin e vitit 1957, Rasimin e larguan nga reparti i tankeve dhe e çuan në repartin e punës. Katër muaj më pas e transferuan në Shkollën e Bashkuar të oficerëve, me detyrë zëvendëskomandant i teknikës. Në nëntor të vitit 1959, kur Rasimi ishte në prag të marrjes së gradës “major”, atë e thirri komandanti i Shkollës së Bashkuar, gjeneral Qazim Kapisyzi, i cili i pati shprehur keqardhjen se e kishin vënë në “rrethin e kuq”, duke e akuzuar si pjesëtar të grupit të Teme Sejkos. Në ato rrethana të rënda për jetën dhe për familjen e tij, Rasimi shkoi e trokiti në zyrën e kolonelit Dilaver Poçi, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili, pa hezituar për asnjë çast, ndërhyri menjëherë për ta nxjerrë nga “rrethi i kuq” i dyshimeve për lidhje me Teme Sejkon. Falë ndërhyrjes së Dilaver Poçit, Rasimin e nxorën në lirim të plotë, si oficerë rezervë në pension, në moshën 33-vjeçare. Paskëtaj, strukturat e partisë, duke filluar nga Komiteti Qëndror, Komiteti i partisë i Tiranës e më poshtë, vendosën që Rasimi të kryente studimet e larta në degën e historisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.
Pas përfundimit të studimeve universitare, Rasimi ndoqi kursin 3-vjeçar për gjuhë gjermane në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Pas kryerjes së këtij kursi, e emëruan mësues në shkollën e sigurimit në Sauk dhe më vonë në disa gjimnaze të Tiranës. Kur nisi fushata e qarkullimit e vitit 1966, Rasimin e qarkulluan në gjimnazin e Delvinës, ku dha mësim deri në maj të vitit 1969, kur u sëmur dhe u shtrua në spitalin e Tiranës. Meqenëse kishte qenë në qarkullim 3 vjet, ai nuk u kthye më në Delvinë. Moskthimin në gjimnazin e Delvinës, autoritetet shtetërore e vlerësuan si “braktisje të detyrës”. Që prej asaj kohe, kundër Rasimit filloi fushata e “gjuetisë së shtrigave”. Në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl”, ku Rasimi kishte shtëpinë, tabelat në këmbësore u mbushën me fletërrufe kundër tij. Mbledhja e frontit të lagjes doli me propozimin për ta internuar familjarisht. Ky propozim nuk u mor parasysh, por u kalua në një masë ndëshkimi të heshtur, duke e lënë dy vjet pa punë. Atij ia ndaluan botimin e artikujve në shtypin e kohës. Gjatë asaj kohe ai u mor me përkthime nga gjermanishtja për emisionin e Radio-Tiranës “Vende dhe popuj”, për të kompensuar sadopak mungesën e rrogës mujore. Më vonë, autoritetet shtetopartiake dhanë porosi që Rasimi të sistemohej në punë si hamall në depon e barërave dhe pas tre muajsh i caktuan detyrën e kontrollorit të ilaçeve sipas fletëshpërndarjeve. Aty punoi deri në vitin 1981, kur doli në pension të plotë, duke marrë edhe një shtesë prej 1000 lekësh, si veteran i luftës.
Me shpalljen e pluralizmit, Rasimin e zgjodhën kryetar të Partisë Demokratike për lagjen 17. Në këtë detyrë ai mbulonte edhe lagjet 18 dhe 19. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, në ato tri lagje fitoi Partia Demokratike. Nga Partia Socialiste i erdhën kërcënime me vdekje. Një mbrëmje gushti të vitit 1992, Rasimin e rrahën keqas sambistët e dërguar nga Partia Socialiste. Djemtë e Rasimit i shkuan natën në shtëpi kryesambistit dhe e rrahën në sytë e prindërve, të cilët ishin mjaft të pakënaqur prej tij. Të nesërmen, sambistët e Partisë Socialiste kapën djalin e dytë të Rasimit dhe e torturuan. Shpëtoi në saje të ndërhyrjes së shokëve të tij që i shkuan menjëherë në ndihmë. Por kërcënimet nga radhët e Partisë Socialiste në adresë të Rasimit dhe të familjes së tij nuk reshtën asnjëherë. Në këto kushte, Rasimi, për të mos vënë në rrezik edhe jetën e djemve të martuar dhe me fëmijë, u detyrua të emigronte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atje ai punoi 10 vjet, duke kryer punë të rënda. Deri sa fitoi një pension, sipas ligjeve amerikane.
Zoti Rasim ka gëzuar vazhdimisht respektin e veçantë të fshatrave çame të krahinës së Konispolit. Me rastin e 71-vjetorit të batalionit “Çamëria” dhe të 100-vjetorit të pavarësisë, Komuna e Mekatit, me kryetar Ismail Myrtaj, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”, me këtë motivacion:
“Aktivist me kontribut të shquar patriotik. Nder i krahinës së Çamërisë me shkrimet e tij historike”.
Gjatë viteve që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rasimi është marrë me publicistikë. Në faqet e internetit janë botuar me dhjetra e me dhjetra shkrime, analiza dhe refleksione për probleme nga më të ndryshme, në shërbim të Çështjes Kombëtare Shqiptare. Shkrimet e tij me theks të veçantë analitik janë me të vërtetë tërheqëse. Më ka rënë në sy sidomos faktologjia befasuese që karakterizon analizat e tij shkencore për probleme të rëndësishme kombëtare dhe sidomos për figura të shquara të historisë sonë.
Ai është dëshmitar i mjaft ngjarjeve tronditëse që ka përjetuar mbarë kombi shqiptar, por sidomos popullsia martire e Çamërisë. Kjo është edhe arsyeja që tema e Çamërisë përbën njërin nga boshtet kryesore të publicistikës së tij shkencore. Faktet tronditëse që ai ka sjellë në publicistikën e tij, zbulojnë lakuriq veprën kriminale që shovinizmi grekomadh kreu kundër një popullsie me tradita të kahmotshme fisnikërie. Këto fakte të këtij profesori të nderuar dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se shovinizmi grekomadh, në qëndrimin që mbajti ndaj popullsisë çame në vitin 1944, u radhit përkrah barbarisë nazifashiste, për çka ka mbetur ende i pandëshkuar edhe sot e gjithë ditën.
Në publicistikën e tij, Rasimi ka hedhur dritë mbi shumë figura të shquara të kombit tonë që kanë dalë nga treva e Çamërisë
Këtë profesor të nderuar e ka dëshpëruar dhe vazhdon ta dëshpërojë pa masë qëndrimi i heshtur, deri në servilizëm, i shtetit shqiptar ndaj çështjes çame, qoftë gjatë periudhës së sundimit komunist, qoftë gjatë viteve të pluralizmit. Prandaj edhe ky fakt përbën një tjetër bosht të rëndësishëm të analizave shkencore që ai shpalos herë pas here në faqet e internetit.
Lashtësia e kombit shqiptar dhe argumentimi i saj me fakte shkencore, është një tjetër temë interesante që autori e shtjellon në publicistikën e tij. Fqinjët tanë jugorë dhe veriorë kanë bërë ç’është e mundur për të na falsifikuar historinë, për ta nxirë të kaluarën tonë të lavdishme, e cila ka shërbyer si një truall i fuqishëm për mbijetesë kombëtare, përballë furisë së tërbuar asimiluese të grekosllavizmit. Grekosllavët janë munduar dhe mundohen vazhdimisht të shpifin kundër kombit shqiptar, të shtrembërojnë të vërtetat historike, të na vjedhin historinë, duke na i shitur si heronj të tyre figurat të shquara që kanë dalë nga radhët e kombit shqiptar. Për ketë qëllim, ata shfrytëzojnë edhe mercenarë shqiptarë, si pseudoprofesori dhe pseudoakademiku Kapllan Resuli që çirret në të gjitha udhëkryqet e shovinizmit serbokaragjoz se nuk na ekzistuaka komb shqiptar, se Kosova na paska qenë dhe duhet të jetë Serbi dhe se u dashka kthyer, demek, në gjirin e Serbisë! Serbët deklarojnë pa pikë turpi se Konstandini i Madh na qenka serb. Por, çuditërisht, korit të korbave serbokaragjozë që krrokasin si të ndërkryer për përkatësinë serbe të Konstandinit të Madh, vjen e i bashkohet edhe presidenti italian Serxho Matarela, i cili, më 25 maj 2015, nga folëtorja e parlamentit serb, deklaroi se, demek, 17 perandorë romakë na paskan qenë me prejardhje serbe, duke dëshmuar kësisoj gjysmakësinë e vet në formimin intelektual. I gjori president italian! Në qoftë se këtë deklaratë nuk e ka bërë me dashakeqësi në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, le të marrë mundimin të bëjë ndonjë kurs kualifikimi për histori, që ta marrë vesh një herë e mirë se ku banonin asokohe serbët kur ata perandorët me prejardhje nga Iliria qeverisnin Perandorinë Romake të Perëndimit.
Ja, kundër shtrembërimeve dhe falsifikimeve të tilla skandaloze të të vërtetave historike, profesori i historisë Rasim Bebo ka ngritur vazhdimisht zërin e tij të fuqishëm.
Në të njëjtën kohë ai ka argumentuar me fakte se është e pamundur të jesh edhe maqedon, edhe sllav. Sepse Maqedonia e ka zanafillën në lashtësi dhe Aleksandri i Maqedonisë s’ka asnjë lidhje absolutisht me sllavët e tanishëm që jetojnë në Maqedoni. Por duke shkelur mbi të vërtetat historike, klika sunduese e Gruevskit dhe e stanit të tij sllav, duke ngritur një monument madhështor, Aleksandrin e Madh e shesin për hero të sllavëve, të cilët kanë zbritur në gadishullin tonë në shek. VII.
Këtë vijë arsyetimi të profesorit të historisë Rasim Bebo, ndjek edhe profesori Saimir Lolja në një analizë shkencore me titull “Maqedonët janë shqiptarë maqedonë, domethënë shqiptarë vendës”, të botuar në faqen e internetit më 04 qershor 2015. Në analizën e vet, profesor Lolja thekson:
“Historikisht është e pamundur më qenë njëkohësisht edhe maqedon edhe sllav. Një maqedon, i cili i përket vitit 300 p.e.r., ndahet me 1000 vjet nga një sllav i ardhur në vitin 700 e.r.”.
Njëra nga figurat e shquara të historisë sonë kombëtare është edhe ajo e mbretit Ahmet Zogu. Historiografia komuniste bëri ç’është e mundur për denigrimin e kësaj figure madhore të kombit tonë. Në gjurmët e Enver Hoxhës, në qëndrimin ndaj mbretit Ahmet Zogu, vazhdojnë të ecin edhe sot ca historianë të indoktrinuar që u ka mbetur ora ende në periudhën e sundimit komunist. Profesori Rasim Bebo hedh dritë shkencërisht mbi figurën e Ahmet Zogut dhe nxjerr në spikamë rolin e tij të padiskutueshëm në themelimin e shteti shqiptar të periudhës së mbretërisë.
Një tjetër temë interesante që rrihet në publicistikën e Rasim Bebos e përbëjnë ngjarjet që janë zhvilluar në harkun kohor mbinjëzetvjeçar të periudhës së pluralizmit politik. Vëmendjen e këtij profesori të nderuar e tërheqin ca fakte tronditëse rreth marrdhënieve me shtetin shovinist grek. Megjithëse Greqia, zyrtarisht, është në gjendje lufte me ne, sepse ajo deri më sot nuk e ka abroguar ende ligjin paradoksal të luftës, të dekretuar që në vitin 1940, shteti shqiptar i periudhës së pluralizmit i ka bërë asaj lëshime pas lëshimesh të paprincipta, të cilat kanë dëmtuar rëndë interesat tona kombëtare. Fakti që telefonia e lëvizshme, sistemi bankar dhe mjaft sektorë të tjerë jetikë janë në duart e shovinizmit grekokaragjoz, përbëjnë një shqetësim të përhershëm të profesorit Rasim Bebo.
Në publicistikën e vet nacionaliste, Rasimi ka reaguar me forcë për sabotimin e ndërtimit të Korridorit 8 nga ana e qeverisë shoviniste greke, në bashkëpunim me qeverinë socialiste të Fatos Nanos. Ai Korridor, për ndërtimin e të cilit idenë e hodhi i pari Presidenti Bill Klinton, do të kishte pasur një rëndësi jetike për ekonominë e vendit tonë. Siç thekson me shumë të drejtë profesori i nderuar i historisë, për shkak të marrëdhënieve të ngrohta që kishte vendosur me Greqinë, qeveria e Fatos Nanos nuk deshi dhe matje e sabotoi leverdinë që do të kishte pasur vendi ynë nga ndërtimi i atij Korridori, nëpër të cilin do të transportoheshim mallra me një vlerë prej 450 milionë dollarësh, çka do ta bënte Tiranën njëherësh faktor të politikës ballkanike dhe evropiane.
Profesorin e nderuar të historisë Rasim Bebo, vazhdimisht e ka shqetësuar problemi i marrëdhënieve me shovinizmin grekokaragjoz. Në publicistikën e tij bie në sy sidomos “çështja Janullatos”. Kjo çështje, mjaft e mprehtë për çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, në publicistikën e tij trajtohet me objektivitet shkencor. Autori e vë theksin te domosdoshmëria e largimit të Janullatosit nga Shqipëria, sepse qëndrimi i tij në Tiranë përbën një fyerje të rëndë kombëtare për traditën e shquar atdhetare të ortodoksisë shqiptare, si pjesë e pandarë e pasurisë shpirtërore të popullit shqiptar. Janullatosin ai e trajton si pasardhës të “Shën” Kozmait, për misionin e të cilit në Shqipëri ai citon historianin Zhan Klod Faveirial:
“Murgu Kozma ka qenë tepër rrënimtar për kombin shqiptar. Është fakt se ai ishte një agjent politik dhe, duke shkuar fshat më fshat, nuk predikonte ungjillin, por kërcënonte me shkishërim nga patrikana greke të gjithë shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht”.
Është për të theksuar që ky historian i shquar dhe mjaft i përkushtuar, kontributin e vet në shërbim të Çështjes Kombëtare Shqiptare e ka përmbledhur në disa libra, të cilat sot lexuesit i kanë nëpër duar. Janë për t’u përmendur dy librat shkencorë “Dodona, tepmpulli i lashtë i Shqipërisë dhe “Zeusi”. Kurse publicistika e tij nacionaliste është përfshirë në tri libra: “Artikuj dhe ngjarje” (vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë) dhe “Shqipëria në gjurmët e kohës (përmbledhje artikujsh historikë)”.
Për qëndrimin e tij të patundur në llogoret e publicistikës nacionaliste dhe për të vërtetat shkencore që ai ka mbrojtur dhe vazhdon t’i mbrojë në fushën e historiografisë shqiptare, profesori i historisë Rasim Bebo është bërë edhe objekt sulmesh dhe shpifjesh të ulëta nga ana e atyre që nuk kanë këllqe të maten me erudicionin e tij të admirueshëm, që është karakteristik për një intelektual me formim akademik. Megjithatë, intelektuali Rasim Bebo nuk i ka lejuar vetes të zbresë në moçalin ku notojnë mjeshtërit e shpifografisë, duke i lënë ata të bëhen edhe më të shpifur në mjerimin e tyre patologjik. Sepse një fjalë e urtë thotë: nuk ngjit qimja në kadife.
*Ne Foto Rasim Bebo Tiranë, 05 qershor 2015