Prof. Shemsi Krasniqi/
Kam nderin dhe kënaqësinë të flas për librin e Enver Dugollit “Qark i (pa) mbyllur burgjesh. Masakra e Dubravës”, jo vetëm për faktin se fillim e mbarim, bëhet fjalë për një rrëfim rrënqethës, por edhe për faktin se rrëfimi është i bazuar mbi përvojën personale të autorit; pra është rrëfim mbi ngjarjet dhe situatat të cilat i ka përjetuar një i burgosur politik, e pastaj peng i luftës, për më shumë se katër vjet, në hiq më pak se shtatë burgje. Rrëfimi pra është histori personale, por pasqyron përvojën edhe të qindra e mijëra të burgosurve tjerë të cilët u mbajtën, u rrahen dhe u torturuan pafundësisht, e disa prej tyre edhe u vranë, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse donin lirinë e vendit të tyre, Kosovës tonë të dashur.
Ndihem i nderuar të flas për këtë libër edhe për faktin se autori Enver Dugolli, është një aktivist i çështjes kombëtare që nga rinia e tij e hershme. Pas dy burgosjeve shumëvjeçare, pasi që ka mbijetuar nga torturat e panumërta, pasi ka mbijetuar edhe nga masakra e Dubravës, mbasi që është liruar nga burgu gati dy vjet pas çlirimit të Kosovës, ai ka kryer funksione të rëndësishme publike dhe shtetërore. Sot është deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje. Enveri është një zë i arsyeshëm i cili kontribuon vazhdimisht për të mirën e vendit.
Unë mund të numërojë edhe arsye tjera pse jam i nderuar të flasë në këtë rast, por më duhet ta përmend edhe diçka që për mua është mjaft domethënëse. Enveri ka qenë student në Departamentin e Sociologjisë dhe unë kam pasur kënaqësinë të isha profesor i tij. Anipse dallohej me moshë nga studentët tjerë, ai dallohej edhe me sukses, e sidomos me dinjitetin dhe modestinë që tregonte duke mos e imponuar kurrë autoritetin e tij të një të burgosuri politik të dikurshëm apo të një ushtaraku të FSK-së, të mëvonshëm. Ishte i njerëzishëm dhe shumë miqësor si me studentët, ashtu edhe me profesorët dhe për këtë falenderoj!
Thash se bëhet fjalë për një rrëfim të bazuar në përvojë reale dhe personale. Rrëfimi fillon prej datës 26 janar 1997, ditën kur morri vesh për arrestimin e disa shokëve të tij dhe mbaron me datën 9 mars 2001, ditën kur u lirua nga burgu. Rrëfimi pra i referohet një periudhe më shumë se katërvjeçare. Mes këtyre dy datave, janë gjithsejtë 1502 ditë, të cilat për Enverin, e sigurisht se edhe për shokët e tij në burg, kanë qenë ferr i vërtetë! Ferr po, por ja që sot Enveri gjen forcën dhe qetësinë, e besa edhe mjeshtërinë e një rrëfimtari të vërtetë, për të treguar me hollësi krejt ato momente të cilat i ka përjetuar në burg. I përshkruan me hollësi, por jo me tepri. I rrëfen qartë dhe me stil, jo vetëm si një dëshmitar që ka kujtesë të freskët e të plotë, por edhe si një letrar me stil shkrimi, që përveç skenave dramatike dhe tragjike, ofron edhe çaste reflektuese, interesante si nga aspekti psikologjik e filozofik, ashtu edhe nga ai politik e historik. Ngjarjet që na i rrëfen autori të shtyjnë të mendosh se çka mund të bëjë urrejtja njerëzore të cilën e ka riprodhuar pandërprerë regjimi shtypës, vrastar dhe gjenocidal i Millosheviqit; të bëjnë me dije se çka kanë vuajtur shqiptarët nga regjimi serb dhe jugosllav, për pothuajse një shekull. Ama, këto të shtyjnë të mendosh edhe për diçka tjetër, për atë se çka mund të durojë njeriu i cili ka një ideal të fortë, ka një qëllim, ka një vizion, i cili ngritet shumë përtej vetës personale dhe arrin deri tek vetja kolektive, te ajo që quhet komb ose çlirim kombëtar.
Zonja dhe zotërinjë,
Nuk është lehtë të flitet për një libër, ku secila faqe e tij mund ta prodhojë një libër tjetër. Prandaj më së miri është që të lexohet e të kuptohet se sa kanëi vuajtur shqiptarët nën regjimin serb, e sidomos të burgosurit politikë, si edhe të shihet se sa e nevojshme është që krijuesit tjerë, mbi këto rrëfime, të bëjnë film, teatër ose edhe letërsi, pra vepra tjera të cilat do të mund t’i pasqyronin çastet milimetrike të jetës njerëzore, të ekzistencës dhe fatit njerëzor.
Përfundime:
• Libri i Enver Dugollit “Qark i (pa) mbyllur burgjesh. Masakra e Dubravës” është burim dokumentues si për ngjarjet, ashtu edhe për gjendjen e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe. Është një rrëfim mjaft emocional dhe është njëfarë arkivi i kujtesës mbi një përvojë tepër të veçantë. Ky libër pasuron letërsinë tonë – zhanrin e saj që sot quhet “letërsia e burgut”.
• Torturat çnjerëzore deri në shkallë sadizmi, më shumë sesa nga abuzimi me pushtetin, burojnë nga urrejtja patologjike, nga politika dhe praktika gjenocidale e regjimit serb ndaj shqiptarëve.
• Mungesa e drejtësisë dhe pandëshkueshmëria e krimit, jo vetëm se është padrejtësi e dytë ndaj viktimave, por është edhe potencial dhune edhe për raste tjera, kudo qofshin ato. Prandaj drejtësia është parandalim, është mësim. Në këtë aspekt, Enveri është përpjekur ta vë drejtësinë në vend duke përgaditur padi për masakrën e Dubravës. Faleminderit Enver!
• Përkthimi dhe botimi frengjisht I këtij libri, pas atij anglisht të botuar më herët, I jep mundsi lexuesit frankofon, të kuptojë më mirë realitetin kosovar nën sundimin e regjimit serb. Faleminderit Sébastien!