Nga Murat Gecaj/
Tashmë, ,janë të njohura takimet e ndryshme, me kolegë, miq e dashamirë. Ato bëhen me raste festash, por dhe në përurime librash, në ditëlindje ose gëzime të tjera. Por mund të jenë edhe të rastësishme, pra kur takimet tona nuk janë planifikuar që më parë. Sigurisht edhe këto kanë kënaqësinë dhge bukurinë e tyre, pra na mbeten në kujtesë për disa kohë. Ndërsa janë fotografitë, që ato i fiksojnë dhe i ruajnë për një kohë shumë të gjatë.
Kërkoj ndjesë për lexuesit e këtyrë radhëve, pasi e kuptoj që u zgjata paksa, për të treguar për një nga këto takime tonat. Siç e thshë më lart, edhe ky ngjau fare rastësisht. Ja, si ndodhi…
Po kaloja në afërsi të Bibliotekës Kombëtare të kryeqytetit dhe në një lokal të thjeshtë aty, vërej mikun e kahershëm timin, vlonjatin e mirë, prof. Bardhosh Gaçe, pedagog, studiues e autor librash. U përshëndetën përzemërsisht dhe, sakaq, solla në kujtesë që ishim takuar jo një herë në Tiranë, edhe gjatë kohëve të fundit. Një nga ato takime ishte dhe kafja, që pimë bashkërisht me mikun e dashur Sadulla Zendelin (i njohur ndryshe, Daja), nga Gostivari dhe që jeton tash 50 vjet në Suedi. Ai vjen rregullisht në Panairet e Librit, që organizohen në Tiranë. Dhe jo si një vizitor i thjeshtjë, por duarplot. Pra, paraqet aty libra të rinj, me poezi ose prozë. Por ajo, që e ka bërë atë më të njohur, janë fjalorët suedisht-shqip dhe shqip-suedisht, ky i fundit, me 1.600 faqe.
Nuk e kam të saktë, se ku qëndron në Durrrës, Bardhoshi, kur vjen këtej nga Vlora. Por di që ai ka dëshirë të lerë takime në Tirhanë, sigurisht një ditë më vonë, me miq dhe të njohur të tij. Kësaj here, ai më befasoi me një lajm, sa të papritur, por dhe që më solli kënaqësi. Bardhoshi më tregoi se kishte kaluar një operacion, në Klinikën Gjermane të Tiranës. Po, për fat, kishte dalë me sukses të plotë dhe tani ndjehej shumë mire nga shëndeti. Ai më shfaqi dëshirën që dje, pra në ditën e fundit të majit të këtij viti, kur të vinte nga ai qytet bregdetar, të pinim kafe bashkë me kolegun dhe mikun e përbashkët, shkrimtarin e publicistin e njohur, Viron Kona. Gjithashtu, njoftova të ishte i pranishëm me ne edhe arsimtari e publicist, Sejdo Harka, me origjinë nga Prmeti dhe me banim familjarisht në Tiranë.
“Me të thënë e me të bërë”, është një shprehje. Kështu, në vendin dhe orën e caktuar, ne u bashkuam të katër. Për të bërë pak shaka me miqtë e mi, u thashë se, edhe pse dy nga ata janë vlonjatë, do t’i kisha nën “komandë”, si tropojan që jam (ha,ha). Bisedat tona ishin të këndshme dhe ato u sollën, sa për jetën tonë të përditëshme, për shkrimet e botimet, por dhe për tema shoqërore e historike.
Nga ky “tubim” i thjeshtë, tani ruajmë kujtim edhe një fotografi të përbashkët, të cilën po e bashkëngjes me këtë skicë modeste.
U ndamë, duke u përqafuar me njëri-tjetrin dhe duke uruar për takime të tilla, të shpejta e sa më të shpeshta. Sigurisht, tema e bisedave tona përsëri do të jetë e larmishme.
Kështu, ne e përcollëm ditën e fundit të majit me një kujtim të bukur. Por, sigurisht, presim që edhe qershori të na sjellë ditë e ngjarje tjera të këndshme, të shënuara e të gëzuara. Një nga këto, është edhe Festa e 1 Qershorit të sotëm, që për ne gjyshërit është gëzim, bashkë me nipat e mbesat tona.
Tiranë, 1 qershor 2015