
Bekim Adili/
Diskriminimi etnik në Maqedoninë e Veriut nuk shfaqet vetëm në nivelin qendror, por shpesh reflektohet edhe në pushtetin lokal. Në këtë kontekst, lind pyetja pse partitë shqiptare hezitojnë të artikulojnë më qartë idenë e autonomisë politike në nivel lokal si një opsion për sigurimin e barazisë. Rasti më i fundit lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila përcaktoi që të gjithë qytetarët e regjistruar, përfshirë diasporën, duhet të trajtohen si “rezidentë”. Megjithatë, KSHZ-ja nën ndikimin e qeverisë, morri një vendim në kundërshtim me Kushtetutën, duke e kategorizuar diasporën si “jo-rezidente”. Ky veprim uli përfaqësimin dhe buxhetet e komunave shqiptare. Nga ana tjetër, vendimi për ligjin e “balancuesit”, i cili cënon interesat e shqiptarëve u respektua pa asnjë vonesë nga qeveria. Ky standard i dyfishtë në zbatimin e vendimeve kushtetuese ngre shqetësime serioze mbi koherencën juridike dhe tendencën selektive të normave kushtetuese.
Në këtë situatë, kur mekanizma si Badenteri shpesh anashkalohen dhe ku retorika antishqiptare gjen terren politik, reagimet deklarative të partive shqiptare duken të pamjaftueshme. Nëse synohet mbrojtja reale e barazisë, nga subjektet shqiptare kërkohet një aksion politik i qartë, serioz dhe i strukturuar. Kështu një nga opsionet që mund të shqyrtohet është një platformë për autonomi të zgjeruar lokale. Jo si akt ndarës, por si mekanizëm institucional për të garantuar vetëqeverisje efektive dhe barazi substanciale. Modele të ngjashme ekzistojnë në Zvicër, Belgjikë dhe Spanjë, ku autonomitë rajonale, kantonale apo lokale shërbejnë për të balancuar ndarjen e buxhetit, pluralizmin etnik, gjuhësor dhe kulturor. Kësaj klime politike, për një nisëm të kësaj natyre i shërbejnë edhe qëndrimet e kryeministrit Mickoski, i cili shfaq tendenca dominuese përmes prishjes të raporteve kushtetuese. Deklarata për emërimin e kryetarëve të komunave në rast të moskalimit të censusit dhe prononcimi provukues me tone urdhëruese, duke dhënë porosi për partitë shqiptare (në këtë rast për BDI), që nëse nuk ndjekin ‘leksionet’ e tij, atëherë ata nuk do të kenë vend në qeveri.
Është demostrim i përdorimit të një gjuhe në cilësin e padronit të këtij vendi, ku le të krijohet një perceptim se ai nuk njehë legjitimitetin etnik dhe për të nuk ka rëndësi shprehja e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhje. Sinjale të cilat partitë shqiptare nuk mund t’i injorojnë. Ku, një ndër arsyet kryesore që e bën të domosdoshme hapjen e një debati mbi vetëqeverisjen lokale të avancuar dhe të shoqëruar me decentralizim të plotë fiskal, lidhet edhe me realitetin demografik që rëndon mbi pozitën e shqiptarëve. Migrimi i lartë ka prodhuar pasoja të ndjeshme, duke reduktuar jo vetëm praninë e tyre në vend, por edhe fuqinë politike të përfaqësimit vendor. Me kalimin e kohës, lidhja mes brezave në diasporë dhe atyre në vendlindje dobësohet gradualisht, gjë që rrezikon të zvogëlojë ndikimin e diasporës si faktor politik dhe ekonomik. Në këtë kontekst, krijimi i mekanizmave institucionalë për vetëqeverisje lokale dhe decentralizimi fiskal shfaqet si strategji e domosdoshme për të ruajtur barazinë dhe fuqinë e përfaqësimit të shqiptarëve. Që do të thotë se fitoret tona politike me votën e diasporës nuk do të zgjasin edhe për shumë kohë. Andaj, nëse nuk ndërmerret sot një hap serioz për jetësimin e një platforme të till, atëherë rreziku rritet që pas një dekade të humbasim komuna si Kërçova me rëndësi strategjike për shqiptarët. Një situat e cila do ndikonte në shuarjen e shpresës për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të barabartë në këtë vend.