Nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu/
Stabiliteti politik i shtetit shqiptar në vitet ’20-’30 të shek. XX ishte kusht i domosdoshëm për prosperitetin e mëtejshëm të vendit në një proces historik normal të zhvillimit të tij. Ky proces historik është i lidhur me Mbretin Ahmet Zogu “një prej figurave më të rëndësishme politike në historinë e Shqipërisë moderne”[1].
Agresioni fashist italian i 7 prillit 1939, për fat të keq, e ndërpreu në mënyrë arbitrare këtë proces historik normal të ecjes së Shqipërisë. Kjo ngjarje tronditi thellë pozitën politike të Mbretit Ahmet Zogu dhe të sensit të marrëdhënieve italo-shqiptare. Edhe pse gjatë marrëdhënieve italo-shqiptare, në vitet ’30-të, Ahmet Zogu ndoqi një politikë koncesionesh ndaj Italisë, ai nuk pranoi koncesione të atilla që cenonin apo rrezikonin sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Qëndrimi i Ahmet Zogut dëshmonte jo vetëm vullnetin e tij për të ekzistuar politikisht, por edhe për një shkallë të lartë patriotizmi të tij.
Duke parë vendosmërinë e Zogut ndaj Italisë, për të mos lejuar që ajo të kontrollonte krejtësisht Shqipërinë, Italia shfrytëzoi mjetin e fundit, agresionin, për pushtimin e saj. Mbështetur në këtë fakt historik, të pushtimit ushtarak të Shqipërisë, njëherësh kjo një provë e suksesit politik të Ahmet Zogut, në mbrojtje të sovranitetit të vendit, kuptohet absurditeti i historiografisë së mëparshme shqiptare që, pushtimin fashist të Shqipërisë, e ka cilësuar “si përfundim logjik të politikës antikombëtare dhe antipopullore të Ahmet Zogut”[2].
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste ishte rezultat i planeve strategjike të fashizmit për sundim botëror. Me anë të dhunës, fashizmi do të vinte në pozita ekzili jo vetëm Mbretin Zog në Shqipëri, por dhe figura të tjera të larta politike.
Vetë qëndresa politiko-diplomatike e Ahmet Zogut dhe qeverisë së tij, për të mos pranuar ultimatumin italian të fillimprillit 1939, për vendosjen e protektoratit italian mbi Shqipërinë, ishte një rezistencë politike në mbrojtje të integritetit të shtetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë.
Përballë një raporti disproporcional të forcave shqiptare me ato të pushtuesit italian, pa asnjë mbështetje të fqinjëve dhe të fuqive evropiane, Zogu u bind se, pushtimi i Shqipërisë ishte i pashmangshëm. Organizimi total i bashkatdhetarëve në një konflikt të përgjakshëm, pa asnjë mundësi reale për fitore, ishte veçse një aventurë. Veç kësaj, prania e tij në këtë pushtim të pashmangshëm, do të kompromentonte legjitimitetin e sovranitetit të shtetit shqiptar. A.Zogu nuk preferoi të mbetej një kukull në duart e italianëve, duke pranuar humbjen e pavarësisë së vendit. Ai u pozicionua, që në fillim dhe deri në fund të luftës, si një kundërshtar i pushtimit italian, në mbrojtje të pavarësisë së vendit. Që më 8 prill 1939 u kërkua nga qeveria shqiptare që Këshilli i Lidhjes së Kombeve të merrte qëndrim për pavarësinë e Shqipërisë, mbështetur në nenet 10, 11 dhe 17 të Traktatit të saj[3]. Ahmet Zogu rezervoi gadishmërinë për veprim në jetën politike shqiptare, për rifitimin e pavarësisë në kushtet e reja të Luftës Botërore.
Duhet thënë se, qëndrimi i A.Zogut, pas pushtimit fashist të vendit, duke kaluar në ekzil politik, u përcaktua dhe nga rrethana të tjera, të disfavorshme për qëndrimin e tij në Shqipëri.
“Politika e mosndërhyrjes” që ndoqën Fuqitë e Mëdha i lanë dorë të lirë fashizmit italian të sulmonte Shqipërinë. Kryeministri britanik, Çambërlen, më 6 prill 1939, deklaronte se Britania e Madhe nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri”[4]. Ndërsa, më 8 prill 1939, qeveria britanike arrinte në përfundimin se Shqipëria duhej të sakrifikohej “për hir të paqes evropiane”[5].
Ky qëndrim i qeverisë britanike ndaj agresionit italian në Shqipëri do të reflektohej edhe në qëndrimin e saj ndaj Mbretit Zog, gjatë azilit në Angli. Ahmet Zogut iu dha përgjigje pozitive për strehim në Angli “si person i shquar privat”, por, nuk iu njoh statusi i mbretit, që të gëzonte “imunitetin e sovranit” të shtetit shqiptar.
Qëndrimi i diplomacisë dhe i politikës britanike ndaj Mbretit Zog, duke i vënë kusht që të mos merrej me politikë, do të reflektonte në fakt qëndrimin britanik ndaj statusit të ardhshëm të Shqipërisë. Sipas politikës britanike, “konsiderohej gabim nxjerrja në pah e emrit të Zogut, si figurë e rifitimit të pavarësisë së Shqipërisë, duke mos e angazhuar veten për statusin e ardhshëm të Shqipërisë”[6]. Sipas kësaj politike, deklarohej se “ne nuk do të angazhohemi ndaj rikonstruktimit të një Shqipërie të pavarur, mbasi “Statusi i ardhshëm i Shqipërisë është një çështje që do të zgjidhet në Konferencën e Paqes”[7].
Megjithë këtë pozitë të pafavorshme politike, Ahmet Zogu nuk rreshti përpjekjet, për të luajtur rol aktiv në interes të Shqipërisë. Madje, në letrën drejtuar presidentit amerikan, Rusvelt duke iu referuar Deklaratës së Atlantikut, të janarit 1942, i kërkonte mbështetjen, që Ahmet Zogu të njihej si përfaqësues legal i Shqipërisë[8]. “As morali ndërkombëtar, as të drejtat e njeriut, as oportuniteti politik i çastit… – thuhej, ndër të tjera, në letër – nuk mund të justifikojnë një trajtim të ndryshëm për Shqipërinë nga ana e Fuqive të Mëdha Aleate”. Dhe më tej vazhdonte: “Zbatimi i parimeve të pranuara për gjithë kombet e robëruar, pa bërë një përjashtim për Shqipërinë, do t’i heqë një armë të fuqishme propagandës së armikut”. Kështu, ai, me këtë qëndrim, e rreshtonte veten dhe Shqipërinë në anën e Kombeve të Bashkuara, në luftën kundër armikut të përbashkët të demokracisë.
Edhe pse, Ahmet Zogu ishte pozicionuar qartë në krahun antifashist të luftës, politika britanike evitonte çdo angazhim të saj për njohjen e Mbretit Zog me statusin e tij apo çdo angazhim për të ardhmen e Shqipërisë. Dukej qartë se, politika britanike ndaj Shqipërisë u ndikua nga interesat politike greke, duke iu përmbajtur postulatit, sipas të cilit, asnjë veprim nuk do të ndërmerrej në Shqipëri pa marrë pëlqimin e qeverisë greke ose të paktën pa diskutuar me të[9]. Vetë ministri i Jashtëm britanik, A. Eden ishte shprehur se “grekët dhe jugosllavët kishin synime (ndaj Shqipërisë – M.D.) që i kanë shprehur me forcë dhe që ne duhet t’i marrim parasysh, në momentin dhe mënyrën e duhur”[10]. Qëllimi i qeverisë greke ishte, që, duke shpërfillur autoritetin e A. Zogut, si vazhdues i ruajtjes së legjitimitetit të shtetit shqiptar, të vepronte me duar të lira për aneksimin e Shqipërisë së Jugut pas luftës. Kjo ishte arsyeja që Greqia mbajti një qëndrim refraktar ndaj të gjitha ofertave që i bëri A.Zogu, për të jetësuar bashkëpunimin e dy vendeve në luftën kundër fashizmit[11]. Këtë qëndrim të Greqisë e adaptoi dhe politika britanike, me arsyetimin se, “në mbarim të luftës mund të jetë e vështirë të gjendet për grekët një kompensim tjetër territorial, përveç krahinave shqiptare[12].
Këmbëngulja e Ahmet Zogut për njohjen e vazhdimësisë së legjitimitetit të shtetit shqiptar gjatë luftës dhe për rivendosjen e sovranitetit të shtetit të paraluftës, u shpërfill jo vetëm nga faktorë të jashtëm, por edhe nga forcat politike shqiptare që vepronin në Shqipëri. Këta të fundit, duke shpërfillur legjitimitetin e shtetit shqiptar, të përfaqësuar nga mbreti i përzënë me dhunën e armëve të pushtuesit, vunë në diskutim jo vetëm formën politike të shtetit shqiptar të pasluftës, por edhe vetë pavarësinë e Shqipërisë.
Me këtë qëndrim përjashtues ndaj Mbretit, forcat politike shqiptare në mënyrë të tërthortë ishin në një linjë qëndrimi politik e propagandistik me atë të pushtuesit në qëndrimin ndaj Mbretit shqiptar. Në programin e forcave politike u shpall si detyrë strategjike përveç luftës kundër pushtuesit, edhe shkatërrimi i shtetit të vjetër shqiptar dhe vendosja e organeve të reja të pushtetit. Me fjalë të tjera, propaganda dhe programet e këtyre forcave politike, për bashkim të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, mbetej një refren propagandistik, duke përjashtuar nga ky bashkëpunim një krah të fuqishëm, të rezistencës shqiptare, Mbretin shqiptar, dhe përkrahësit e tij me peshë të madhe për mobilizimin e shqiptarëve në luftë kundër fashizmit. Mosbashkëpunimi i faktorit të brendshëm politik shqiptar me faktorin e jashtëm, me Mbretin shqiptar, minoi organizimin e një fronti të bashkuar të shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, të cilët duhet të kishin si mision zgjidhjen e një detyre të përbashkët strategjike – rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë së paraluftës. Duke nënvlerësuar mbështetjen e faktorit të jashtëm shqiptar, qoftë edhe në planin politiko-diplomatik, forcat politike në Shqipëri e cenuan rëndë detyrën e përbashkët strategjike për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë të paraluftës.
Shkaku i këtij mosbashkëpunimi duhet kërkuar në faktin se forcat politike në Shqipëri, në verë të vitit 1943, konsideruan si detyrë prioritare çështjen e marrjes së pushtetit. Pikërisht për këtë, “në vjeshtë të vitit 1943 lufta për çlirim kombëtar u shkri me luftën civile, që mori karakter të përgjithshëm”[13].
Lufta civile në Shqipëri, në kushtet e luftës për çlirim kombëtar, minoi dhe përçau, në përmasa kombëtare bashkimin e të gjithë shqiptarëve, duke rrezikuar seriozisht rivendosjen e pavarësisë.
Krejt ndryshe, nga lufta politike për pushtet që zhvillohej në Shqipëri nga forcat e brendshme politike, Ahmet Zogu, edhe në kushtet e kufizimit për veprimtari politike, u vendos qartë, për një politikë bashkëpunimi, me të gjithë rrymat e emigracionit politik shqiptar, për të gjetur rrugën më të mirë të rivendosjes së pavarësisë së Shqipërisë në fund të luftës. Përballë rrezikut që i kanosej Shqipërisë nga fqinjët, emigracioni politik shqiptar kërkoi të krijohej një unitet kombëtar shqiptar. Figurë qendrore e këtij uniteti ishte Ahmet Zogu. Noli dhe F.Konica shprehën qëndrimin e tyre me një deklaratë, në të cilën thuhej: “Mbreti Zog është më i shquari personalitet shqiptar i gjallë dhe përjashtimi i tij do t’i hiqte fuqinë lëvizjes që propozohet të bëhet”[14].
I bindur për këtë rol politik qendror, që duhej të luante Ahmet Zogu, Fan Noli e kushtëzonte vlerën e Deklaratave të dhjetorit 1942, të Fuqive të Mëdha, për pavarësinë e Shqipërisë, “me njohjen zyrtare të mbretit Zog si kryetar legjitim dhe logjik i qeverisë shqiptare në mërgim, së cilës t’i garantohej dhe një vend në Konferencën e Paqes”[15]. Noli për bindjen e ndonjë emigranti, kundërshtar të Mbretit, se, “Në rrethanat e tanishme ata që janë kundër Mbretit Zog, po luajnë pa dyshim lojën e armiqve të Shqipërisë”[16].
Për hir të bashkimit kombëtar, në përpjekjet për krijimin e qeverisë shqiptare në mërgim, F. Nolit iu ofrua posti i kryeministrit. Ndërsa, A. Zogu nga ana e tij, po për këtë qëllim, deklaronte se, forma e qeverimit do t’i nënshtrohej verdiktit të popullit.
Kapërcimi i divergjencave politike midis dy kundërshtarëve politikë, për hir të interesave kombëtare, përbënte një shembull ideal për forcat politike shqiptare, se si duheshin kapërcyer të gjitha ndasitë, në shërbim të kombit, për rivendosjen e sovranitetit të shtetit të paraluftës.
Ahmet Zogu dhe Fan Noli, si përfaqësues të dy rrymave të opinionit shqiptar, konsideroheshin nga shqiptarët si simbole të bashkimit të tyre. Me bashkimin e tyre mendohej se, “asnjë nuk do të mund të pretendojë se shqiptarët janë të përçarë”[17].
Qeveria britanike ngurroi dhe nuk e përkrahu idenë e krijimit të qeverisë Shqiptare, sepse, në bazën e politikës së saj, kishte shqetësimet për të zgjidhur pretendimet e Greqisë dhe të Jugosllavisë në drejtim të Shqipërisë.
Madje, Greqia shfrytëzoi dhe situatën ndërkombëtare të pasluftës, për të shpalosur në forume ndërkombëtare pretendimet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke përdorur si “argument”, tezën e preferuar të saj, sipas së cilës, “mbreti Zog kishte qenë një instrument i penetrimit italian në Ballkan”. Ish-ministri britanik në Shqipëri, Robert Hodgson, e hidhte poshtë këtë tezë, duke vënë në dukje se, “grekët kishin harruar faktin esencial, që ky sulm u krye pikërisht se Mbreti Zog nuk pranoi të jetë një instrument i tillë”[18].
Qëndrimi i Ahmet Zogut, kundër pushtimit fashit të Shqipërisë, u minua si nga faktorët ndërkombëtarë ashtu dhe nga faktorë të brendshëm. Secili prej këtyre faktorëve vepronte për interesin e vet dhe aspak për interesat kombëtare të Shqipërisë. Rezultante e veprimit të përbashkët të faktorëve që goditën përfundimisht pozitën politike të Ahmet Zogut në arealin e politikës shqiptare, në fund të luftës, ishte Kongresi i Përmetit (24 maj 1944).
Vendimi i tij, për të ndaluar ardhjen e Zogut në Shqipëri, si dhe vendime të tjera që lidheshin me të, ishin një goditje vendimtare kundër legjitimitetit të shtetit shqiptar të paraluftës. Ai Kongres spekuloi, për këtë problem, me slloganin “vullnet i popullit”, i cili nuk mund të shprehej lirisht në kushtet e një partie të vetme që kishte në dorë pushtetin.
Pushteti i dalë nga Kongresi i Përmetit, përbënte një diktaturë të një partie të vetme, ardhur në fuqi me dhunën e armëve, kundër të gjithë kundërshtarëve politikë të saj, përfshirë dhe zogistët. Në se më 1939, Mbreti Zog u detyrua të largohej nga Shqipëria me dhunën e armëve të një fuqie pushtuese të huaj, në vitin 1944, ishte dhuna e pushtetit komunist, që u vendos në Shqipëri, që i dha goditjen përfundimtare pozitës politike të Mbretit Zog në fund të Luftës Botërore. Në këtë rezultat historik kishte ndikuar tërthorazi edhe politika e aleatëve, të cilët duke u bazuar vetëm në interesat e tyre ushtarake, kishin furnizuar forcat partizane me armë, të cilat u përdorën në mënyrë efektive që PKSH të mposhtte rivalet e saj politike. Pa dyshim në këtë ndërmarrje kanë pjesën e përgjegjësisë dhe aleatët që ndihmuan me armë për ardhjen e komunistëve në pushtet. Patriotët shqiptarë, dhe mbështetës të A. Zogut, do të reagonin ndaj aleatëve se “ishte një veprim prej qorri dhënia e armëve në duart e atyre, (komunistëve – M.D.) që do t’i përdornin për të asgjësuar të gjithë ata që drejtojnë sytë nga perëndimi[19]. Departamenti Jugor i Forin Offisit britanik do të bindej, për A. Zogun, vetëm në fund të vitit 1944, që “Nuk ka arsye të dyshojmë për bindjet e tij proangleze dhe ndikimi ynë në Shqipëri do të ishte shumë i fuqishëm me atë si mbret se sa me një qeveri të Frontit Nacionalçlirimtar (Komunist)”[20]. Britanikët u bindën për qëndrimin proanglez të Ahmet Zogut, por ishte tepër vonë për ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve.
[1] Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë, 1996, f. 320.
[2] Historia e Shqipërisë, III, Tiranë: 1984, f. 446.
[3] Ufficio Storico, Ministero Affari Esteri Italiano, Affari Politici (më tej: US, MAEI, AP) (Albania), B.90, fasc. 1, Telespresso 2175/ 5 i Konsullatës së Përgjithshme të Italisë për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Gjenevë, 24 maj 1939.
[4] Arkivi i Institutit të Historisë (më tej: AIH), Dokumente britanike PRO-FO 371, Albania 1939, File nr. 23712.
[5] Po aty. Procesverbali i mbledhjes së posaçme të qeverisë Britanike mbi qëndrimin e saj kundër “aksionit italian” në Shqipëri.
[6] Foreign Office (më tej: FO) 371/ 24866/ 7677. Telegram i P.Dixon, 18 shtator 1940.
[7] Po aty, 23 nëntor 1940.
[8] Oxhaku famëmadh Zogu, Tiranë: SHB “Dardania”, 1995, f. 22.
[9] Beqir Meta, Tensioni greko-shqiptar (1939-1949), Tiranë: 2002, f. 416.
[10] FO 371/ 29711. Relacion i A.Edenit për kryeministrin Çërçill, 31 tetor 1941.
[11] Elisabeth Barker, British Policy in South-East Europe in the Second World War, f. 50; FO 371/ 24868/ 6586/ 90. Bisedë e Rajanit me Zogun, 8 nëntor 1940. A. Zogu i bëri ofertë Greqisë për të hapur një front lufte kundër Italisë në Selanik, ku ai të vihej në krye të 14.000 shqiptarëve.
[12] FO 371/ 24868/ 8783. Protokolli i takimit midis zyrtarëve të FO dhe SOE, 2 dhjetor 1940.
[13] Ndreçi Plasari, “Disa tipare themelore të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë…”, në: Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike (Tiranë 15-21 nëntor 1962), Tiranë, 1965, f. 617-625.
[14] Gazeta Dielli, Boston, nr. 5550, 28 nëntor 1942.
[15] AIH. Dokumente britanike A.V.139, 70.371/ 37136. Telegram i Nolit drejtuar Anton Logorecit.
[16] Po aty.
[17] Mehdi Manç Bushati, “Pse nuk u krijua Qeveria Shqiptare në mërgim”, në përmbledhjen: 100 vjetori i lindjes së Mbretit Zog I, Tiranë, 1995, f. 65.
[18] FO 371/ 43569. Letër e R. Hodgson dërguar botuesit të gazetës “Chicago Sun”, shtator 1944.
[19] AIH. Dokumente diplomatike, viti 1944, vëll.III (Marrëdhëniet e Jashtme të SHBA). Tel. i Kirk, Këshilltar politik pranë Komandës së Forcave Aleate, në Kazerta, drejtuar ministrit të Jashtëm të SHBA, 13 nëntor 1944.
[20] Elisabeth Barker, Politika britanike në Europën Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesa: “Shqipëria, Britania dhe rezistenca”, f. 173.