
Dr. Dorian Koçi/
Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dëshiroj të sjell në vëmendje një copëz të vogël qeramike e ekspozuar në Muzeun Castromediano të Lecce- e quajtur qeramika e Devollit. Është një dëshmi e vogël por me një rëndësi të madhe pasi rrëfen për teknikën e prodhimit të saj që fisi ilir mesap e solli nga përtej detit. Në foton 3 është një vazo e qeramikës devollite që ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Vazoja i përket kohës së bronzit (3.100 – 1.050 vjet para Krishtit)
Koha e bronzit paraqitet ndoshta si epoka më dinamike në zhvillimin shoqëror, ekonomik, shpirtëror të popullsisë së hershme ilire. Një nga treguesit më të rëndësishëm të periudhës së bronzit është qeramika e pikturuar e stilit devollit. Kjo lloj qeramike është quajtur devollite, sepse lindi e u zhvillua në pellgun e lumit Devoll. Karakteristike për qeramikën devollite është pikturimi me ngjyrë kafe. Është qeramikë me cilësi shumë të mirë, e bërë nga deltinë e pastër dhe e pjekur plotësisht. Vazot tashmë kishin dy vjega të ngritura mbi lartësinë e buzëve. Në muzeun Castramediano ne Lecce ka dhe shumë mbishkrime mesape me alfabet latin e grek ende të padeshifrueshëm.