Nga Ilir Levonja/
Ilir Meta karakterizohet si një politikan i qetë. Madje nga goja e tij kanë dalë edhe fjalët, me qetësi e maturi. Megjithatë kohët e fundit e ka humbur këtë cilësi? Ndihet i sikletosur, nevrik dhe cinik.
Jam duke ndjekur intervistën e tij tek VOA, seksioni shqip. Dhe po shoh se edhe webe të shumta në Shqipëri po e publikojnë.
Ka shumë shmangie nga pyetjet që të bëjnë të vësh duart në kokë. Ka shumë arrogancë. Ka shumë mëndjemadhësi shqiptare. Duket sikur është gati t’i gërmushet gazetares. Përse?
Ndërsa ka gjithë mëngjesin që publikon foto me Nensi Peloshin, lideren në ikje të demokratëve.
Ajo sot, rreth orës 11 të paradites I dorëzoi detyrën republikanit Paul Ryan. Shtrënguan duart.Gjë që kurrë nuk e bëri Meta dhe klasa politike në Shqipëri, përgjatë ndërrimit të pushteteve.
A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë pyetjeve në lidhje me çështje kaq të ndjeshme, si prona, të ardhurat, përfoljen për afera korruptive? Për luksin e tyre karshi një populli të varfër? A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë pyetjes për ikjen alarmante të qytetarëve shqiptarë? Ndërsa ai pretendon qeverisje dhe koalicion të sukseshëm? A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, pyetjes se përse ka kaq shumë korrupsion në administratën shqiptare?
Dhe a duhet të përgjigjet kështu: Nuk jam këtu për të folur për gjëra personale. Mos e ulni gazetarinë në këtë nivel. Unë kam vetëm makinën e shtetit. Nuk jam mësues të vë nota. Shqiptarët ikin pasi edhe në vendet e BE ka lëvizje populiste etj. Asesi që jo.
Por kjo ndodh. Ndodh ditën me diell. Një politikan apo lider shqiptar nuk e ka për gjë t’i mësojë gazetarinë edhe VOAs. Ai gjykon se ky intsitucion prestigjoz i fjalës së lire, është prone e ndonjë ndërtuesi shqiptar. Nuk e ka për gjë të quaj çështje personale, pronën apo edhe jetën private. Kur dihet botërisht se në demokracitë perëndimore, ligjvënësi nuk ka një të tillë. Deri sa votohet, është i detyruar të japi shpjegime.
Përse e bën këtë karshillëk, ky pasha modern pikërisht në vendin e demokracisë.? Ku pushteti është plotësisht i votuesve?
E thjesht…, ka humbur qetësinë.
Por keqardhja më e madhe në Shqipëri është se, edhe opozita, ka humbur qetësinë dhe qartësinë. Merret me riciklimin e humbësve. Mbrohet me ta, bën aleanca të heshtura. Me siguri për të mbuluar gjynahet e njëritjetrit.
Për dreq edhe populli e ka humbur udhën.