-Platforma e Rugovës për Kosovën shtet euroatlantik u bë e gjithë shqiptarëve
-Në 10 vjetorin e shuarjes së Presidentit të parë e historik të Kosovës, kryeministri kosovar Isa Mustafa foli në akademinë përkujtimore organizuar nga partia e themeluar nga Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Janar 2016/ Platforma për Kosovën shtet euroatlantik e Presidentit historik Ibrahim Rugova u bë program i të gjithë shqiptarëve, tha sot kryeministri Isa Mustafa. Në 10 vjetorin e shuarjes së Presidentit të parë e historik të Kosovës, kryeministri Mustafa foli në akademinë përkujtimore organizuar nga partia e themeluar nga Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Qeveria e Republikes së Kosovës sot po punon me përkushtim të veçantë për realizimin e prioriteteve të saj, të cilat në vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar para më shumë se 10 vjetësh Presidenti historik Ibrahim Rugova”, tha kryeministri kosovar.
Mustafa u shpreh se, qeveria e Kosovës sot e ka në preambulën e veprimit të saj fuqizimin e partneritetit dhe miqësisë së përhershme me SHBA-të dhe me vendet e tjera perëndimore evropiane.
“Presidenti Ibrahim Rugova krijoi platformë politike për Republikën e pavarur të Kosovës anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo platformë u bë program politik i të gjithë shqiptarëve të Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa në akadminë përkujtimore, ku foli edhe nënkryetari, nga LDK, i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti.
Kosova po kujton dhe nderon sot Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.
Një akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik Rugova, organizohet edhe në mbrëmje në Prishtinë, nën patronazhin Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që po bëhen homazhe në vendin e prehes në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit, dhe po zhvillohen edhe veprimtari të tjera.
Gjatë pasditës kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në ekspozitën dokumentare me fotografi të Presidentit historik Ibrahim Rugova në Bibliotekën Kombëtare dhe në hapjen e Ekspozitës së Përhershme në Shtëpinë e Bardhë, aktivitet që zhvillohet në Shtëpinë e Pavarësisë, ku ishte selia institucioneve të Republikës së Kosovës të Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe të Referendumit për shtet sovran e të pavarur të fundshtatorit 1991, si dhe të zgjedhjeve të para shumëpartiake presidenciale e parlamentare kosovare të 24 Majit 1992.
KABINETI QEVERITAR BËRI HOMAZHE
Prishtinë, 21 janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe pranë varrit të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 10-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.
Pas homazheve, kryeministri Isa Mustafa, vlerësoi lartë punën dhe kontributin e palodhshëm të Presidentit Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Mustafa theksoi se angazhimi i Presidentit Ibrahim Rugova për shtetndërtimin e Kosovës, por edhe lidhjet e fuqishme që ka krijuar me vendet mike, sollën deri te liria dhe pavarësia të cilën po e gëzojmë sot.
“Sot dolëm me kabinetin qeveritar t’i bëjmë nderime Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e 10-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim. Qeveria e Republikës së Kosovës, sikurse edhe të gjitha institucionet tjera respektojnë fuqishëm veprën dhe kontributin e presidentit Rugova në shtetndërtimin Kosovës, në miqësinë që ka krijuar ai me të gjitha vendet mike dhe në të gjitha proceset që na kanë sjellë deri këtu, që Kosova sot të jetë shtet i pavarur, të jetë shtet sovran, shtet i pranuar nga mbi 110 vende anekënd botës dhe që rinia dhe populli i Kosovës sot e gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka çmuar lart përpjekjet e gjithanshme politike, institucionale dhe akademike të Presidentit Ibrahim Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi sot së bashku me kryeministrin, siç do të jenë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për të nderuar dhe vlerësuar me respektin më të lartë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për vlerat euroartlantike që i ka vendosur në skenën politike kosovare, për kontributin e tij për rendin demokratik, perspektivën euroatlantike, për lirinë e vendit. Gjithashtu për të gjitha përpjekjet e gjithanshme politike, institucionale dhe akademike”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.