Prishtinë, 11 nëntor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces.
“Masa e përkohshme e marrë nga Gjykata Kushtetuese është procedurë normale dhe e pezullon zbatimin e Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme / Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.
Për ta siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshja si e tillë në pikën 2 e ka paraparë shqyrtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese”, thekson komunikata e qeverisë kosovare.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miratoi dje Masë të përkohshme për marrëveshjen Kosovë – Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./b.j/