-Ministri Tahiri viziton Komunën e Bujanocit/BUJANOC, 18 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga Ambasadori Valdet Sadiku, vizituan Komunën e Bujanocit, ku u takuan me Kryetarin e kësaj Komune, Shaip Kamberi.Gjatë takimit, Ministri Tahiri shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin në mes institucioneve të Kosovës dhe komunave të Luginës së Preshevës, veçmas në fushat që lidhen me mirëqenien e qytetareve të kësaj zone. Ministri Tahiri u zotua se Qeveria e Kosovës do të ketë qasje me aktive ndaj Luginës së Preshevës, të cilën institucionet e Kosovës do ta konkretizojnë me hapa të matshëm. Përveç kësaj, Ministri i inkurajoi banorët e Bujanocit që të vazhdojnë të jetojnë në vendin e tyre dhe të mos shpërngulen, sepse përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për ta nuk do të mungojë.
Në anën tjetër, Kryetari Kamberi shprehu falënderimin e veçantë për Ministrin Tahiri me rastin e vizitës, të cilën e konsideroi si shenjë inkurajimi për të gjithë banorët e Luginës së Preshevës. Ai njoftoi Ministrin për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Bujanocit dhe Luginës në përgjithësi, dhe shprehu pritjet dhe gatishmërinë e komunave të Luginës për të rritur bashkëpunimin në fushat socio-ekonomike dhe kulturore.
Ministri Tahiri takoi edhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar me të cilët ndanë perspektivat e përbashkëta për rritjen e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit kulturor dhe edukativ të qytetarëve të kësaj ane.