-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pranon detyrën e kreut të Qeverisë/
-Qeveria e re zhvillon mbledhjen e parë ceremoniale. Kryeministri Kurti: Kjo është mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të zgjedhur mbrëmë, që mbahet më datë 23 mars 2021, mbledhje ceremoniale e cila shënon fillimin tonë të mbarë të punës së kësaj qeverie, e cila u votua dje, bazuar në vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme, të lira e demokratike të 14 shkurtit/
-Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*
PRISHTINË, 23 Mars 2021/Pas votimit të Qeverisë së re mbrëmjen e djeshme në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, sot paradite Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e kreut të ekzekutivit nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Sipas ceremonisë shtetërore dhe pas nderimit të himnit shtetëror, Kryeministri Albin Kurti dhe ish-Kryeministri, Avdullah Hoti kanë parakaluar para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Hoti vazhduan në ambientet e zyrës së Kryeministrit, ku ish-Kryeministri i uroi mirëseardhje dhe suksese në punën e tij, si dhe ia dorëzoi raportin e punës së deritashme të Qeverisë.
Ceremoni të dorëzim-pranimit të detyrës kishte edhe në ministritë e Qeverisë së Republikës Kosovës.
Po sot, Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e parë ceremoniale, në të cilën është zotuar për angazhim dhe veprime konkrete në përballje me sfidat që po kalon vendi ynë dhe qytetarët e Republikë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar kabinetin e tij për marrjen e përgjegjësive në drejtimin e vendit, duke shprehur besimin e tij në kapacitetin e të gjithë anëtarëve të këtij kabineti dhe ka kërkuar angazhim të menjëhershëm të kabinetit për identifikim të masave për përballje me situatën e pandemisë me COVID-19 dhe me recesionin e shkaktuar nga kjo gjendje në ekonominë e vendit.
Në vijim fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:
Të nderuar zëvëndëskryeministra Bislimi, Gërvalla dhe Rexhepi,
Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,
Kjo është mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të zgjedhur mbrëmë, që mbahet më datë 23 mars 2021, mbledhje ceremoniale e cila shënon fillimin tonë të mbarë të punës së kësaj qeverie, e cila u votua dje, bazuar në vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme, të lira e demokratike të 14 shkurtit.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Së pari, urime për mandatet që keni marrë secili. Ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë.
Po e fillojmë këtë mbledhje ceremoniale të qeverisë në një kohë të shqetësimeve të mëdha për qytetarët e si rezultat edhe i pritjeve të mëdha për punën e këtij kabineti tonë.
Jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Deri sot kemi mbi 83 mijë persona të infektuar dhe 1,776 të vdekur deri dje zyrtarisht. Vetëm në 24 orët e fundit kishim 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këto nuk janë thjesht numra dhe statistika por janë jetë njerëzish, janë familjarë, vëllezër e motra, prindër e gjyshër të cilët do të mungojnë në tavolinat e ushqimit në secilën shtëpi.
Andaj duhet të veprojmë me urgjencë që të ulim rastet dhe të eleminojmë vdekjet e reja si rezutat i virusit Covid-19, por duhet të ketë plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga Ministria e Shëndetësisë, e Ekonomisë dhe ministrive tjera.
Kërkohet punë konkrete dhe rezultate sa më të shpejta.
Këtu do të punojmë si ekip, por rezultateti i këtij kabineti varet nga puna e secilit nga ju dhe ekipit që ju ndërtoni. Ju takon juve që problemet që janë brenda ministrisë tuaj t’i ktheni në projekte për zgjidhje.
Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim në çdo kohë por do të ketë edhe veprim.
Qytetarët presin punë dhe angazhim, përfaqësim të dinjitetshëm dhe udhëheqje përmes shembullit.
Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime për vendime konkrete të cilat i kemi identifikuar me vite e të cilat kërkojnë zgjidhje.
Unë besoj në dijen dhe kapacitetet tuaja, por tash është koha që ju ta dëshmoni para qytetarëve se në pozitat që jeni vendosur, që jemi vendosur, jemi meritor.
Sfidat janë të mëdha.
Përtej veprimeve urgjente në menaxhimin e pandemisë, duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojmë vendet e punës dhe prodhimin.
Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të performancës. Aty ku gjejmë shkelje të ligjit dhe performancë të dobët duhet të veprojmë shpejt në kthimin e ligjshmërisë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti i cili ka aftësinë dhe vullnetin dhe vizionin që të kthejë ndërmarrjet publike në mbështetës të ekonomisë.
Pres që në tavolinën time të vij urgjent si plani për menaxhimin të pandemisë po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike.
Le të punojmë me nder dhe përgjegjësi.
Të udhëhiqemi nga parimet më të mira, nga zotimet tona dhe nga interesat e qytetarëve,
Të kërkojmë ndihmë dhe bashkëpunim nga të gjithë, dhe le t’i përvjelim mëngët e të fillojmë punët e mëdha që na presin neve dhe angazhimin e përditshëm që pritet prej nesh.
Urime dhe suksese të gjithëve dhe secilit. Na priftë e mbara.
Ju faleminderit.
AMBASADORËT E QUINT: KOSOVA KA NEVOJË PËR UDHËHEQËSI TË VENDOSUR
Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u dërgua sot kjo Deklaratë e ambasadorëve në Prishtinë të vendeve të QUINT-it:
Deklaratë e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri.
*Per me shume fotografi shih ne FB