Pr/ligji për regjistrimin e emigrantëve, Rama: I hapim rrugë mundësisë së çdo shqiptari për të votuar/
TIRANË, 11 Dhjetor/ATSH-Gjergji Mima, I. Vata/ – Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e diskutimit për “Projektligjin për regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë”.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë nënvizoi se, “me këtë pr/ligj ne i hapim rrugë pas 25 vjetësh si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda, por edhe jashtë atdheut për trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësiën, ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij”.
“Nga ana tjetër ky është një proces, fatkeqësisht historik, edhe për faktin se jemi i vetmi vend i Europës dhe besoj nga të paktët vende të botës, pa sistem adresash. Jemi i vetmi vend i Europës dhe besoj nga të paktet vende të botës me një sistem, ku tjetërkund je , tjetërkund banon dhe tjetërkund shfaqesh”, tha Rama.
Kjo, u shpreh ai, “është detyra më parësore e një shteti. Ta dijë ku i ka njerëzit e vetë dhe t’u japë shërbimet e merituara”.
Kudo në botën normale, e cila rëndom propagandohet gabimisht se ne i përkasim, ata që emigrojnë në kërkim të një ëndrre për të realizuar një shpresë, janë një pasuri që asnjë shtet dhe asnjë shoqëri nuk ka luksin ta lërë jashtë inventarëve”, theksoi Kryeministri.
Shqipëria, vijoi Rama, “për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që këtë pasuri të paçmuar e ka lënë jashtë inventarëve dhe që shqiptarët jashtë atdheut i ka trajtuar njësoj si shetas të huaj”.
“Na duhet t’i bëjmë gjërat me themel dhe nëse kërkohet që t’i bëjmë gjërat me themel kërkohet kohë. Po bëjmë një proces që brenda dy vjetësh vendi ynë të bëhet normal një shtet që ka të regjistruar çdo individ, që ka çdo adresë për çdo frymë të gjallë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe kjo sigurisht është ekonomi, veç të tjerave, sepse bën kapërcim epokal me një kohë tjetër, ku detyrimet që shteti merr janë të barabarta dhe ku barra ndahet mes të gjithëve”, tha Rama.
Tahiri: Regjistrimi dixhital i adresave për emigrantët një detyrim për tju shërbyer qytetarëve
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri prezantoi projektin për “rregjistrimin e shtetasve shqiptar që jetojnë jashtë Shqipërisë”.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në fjalën e tij u shpreh se, “Një pikë e fortë është dhe regjistrimi i emigrantëve për të gjitha shërbimet që i nevoiten dhe që shteti t’i shërbejë është të regjistrohet, se kjo është kontrata e re që ne ofrojmë që nëpërmjet regjistrimit shteti t’i shërbejë qytetarit dhe të ndryshojmë mardhëniet me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Lëshimi i çertifikatave për emigrantët jashtë Shqipërisë është njëra mundësi, por gama është më e gjërë në shërbime, po ashtu shërben si dritare e re patriotike e shtetit shqiptarë dhe emigrantëve”.
“Regjistrimi i emigrantve është shumë i thjeshtë, pasi nga kompiuteri mund të aplikojë dhe shteti shqiptar merr detyrën për ta regjistruar. Si dhe ekziston mënyra e regjistrimit fizik pranë institucioni, por ajo që është më modernia dhe koherentja është regjistrimi dixhital. Sigurisht regjistrimi është falas, një detyrë patriotike dhe ndihmon për të bërë një bazë themeli të shtetit shqiptar”, tha Tahiri.
Shqipëria numëron mbi 4.4 milionë banorë të regjistruar në gjendjen civile dhe prej këtyre një pjesë e madhe jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve shtetërorë. Shifrat e shtetasve shqiptarë në emigrim përllogariten në mbi 1 milionë, por asnjëherë nuk ka patur një shifër të saktë të tyre në 25 vitet e fundit.