Astrit Lulushi-Në lashtësi, shumica e filozofëve ishin ose në favor të demokracisë ose nuk kishin ndonjë mendim për të. Disa, si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, thuhet se ishin kundërshtarë të demokracisë. Por sa i saktë është ky perceptim?
Shumë pak dihet për atë që Sokrati mendonte për demokracinë. Gjithçka që dimë për Sokratin vjen nga shkrimet e dy studentëve të tij, Platonit dhe Ksenofonit. Platoni në veçanti duket se ka përdorur karakterin e Sokratit si një lloj “bordi” për ide dhe mendime të ndryshme, kështu që, në shumicën e rasteve, kur Platoni i atribuon një ide Sokratit, është shumë e vështirë të thuash nëse është me të vërtetë një nga idetë e Sokratit, një nga ato të Platonit, një kombinim i tyre, ose thjesht një ide me të cilën Platoni po eksperimentonte.
Platoni thotë në Republikën e tij se nuk i pëlqen shumë forma e demokracisë që u krijua në qytetin e tij të lindjes, Athinë. Ai argumenton se qeveria ideale, e përsosur, duhet të drejtohet nga një “mbret-filozof”, një njeri shumë i mençur, inteligjent dhe racional dhe që i merr të gjitha vendimet në dobi të të gjithëve.
Platoni ndoshta do të kishte shumë admirim për qeveritë e shumicës së vendeve moderne demokratike, të cilat veprojnë në një formë shumë të ndryshme nga ajo që ekzistonte në Athinë gjatë kohës së Platonit. Athina në shekullin IV pes ishte një demokraci e drejtpërdrejtë, që do të thotë se qytetarët votonin drejtpërdrejt për të gjitha çështjet. Kjo krijonte problem, sepse shumica e njerëzve nuk i kuptonin çështjet dhe nuk ishin në gjendje të merrnin vendime të informuara për to.
Aristoteli ndonjëherë është portretizuar si armiqësor ndaj demokracisë, por, në fakt, ky është një keqkuptim i teorisë së tij komplekse dhe erudite. Në Politikën e tij, Aristoteli shpjegon se ekzistojnë tre forma kryesore të qeverisjes ideale: Monarki, të cilën ai e përcakton si një qeveri të sunduar nga një njeri (ide e ngjashme me atë të “mbretit filozof” të Platonit), jashtëzakonisht i kualifikuar, i cili sundon për të mirën e të gjithëve; Aristokraci, të cilën ai e përcakton si një grup i vogël i njerëzve më të mirë dhe më të kualifikuar, që sundon për përmirësimin e të gjithëve;
Qeveri kushtetuese, të cilën ai e përcakton si një qeveri të drejtuar nga të gjithë qytetarët e lirë për përmirësimin e të gjithëve.
Aristoteli shprehet se, nga tre format ideale, monarkia është më e mira sepse është më e efektshmja, por ai pohon se të tre format e qeverisjes ndryshojnë dhe korruptohen me kalimin e kohës. Ai shpjegon se një monarki rrëshqet në tirani, dmth., në qeveri e drejtuar nga një njeri vetëm për përfitimet e tij. Një aristokraci kalon në oligarki, që është qeveri e drejtuar nga disa njerëz vetëm për përfitimet e tyre. Më qeveria kushtetuese rrëshqet në demokraci, ose në qeveri e drejtuar nga shumica vetëm për përfitimet e tyre.
Aristoteli arsyeton se nga këto tre forma qeverisjeje, demokracia është e keqja më e vogël, sepse rezulton në numrin më të madh të njerëzve të lumtur; ndërsa tirania është forma më e keqe e qeverisjes sepse rezulton që vetëm një njeri (tirani) të jetë i lumtur. Pra, Aristoteli ishte në favor të demokracisë, jo sepse i pëlqente domosdoshmërisht, por më tepër sepse ishte forma më pak e tmerrshme e qeverisjes që mund të mendonte.