Nga Astrit Lulushi/Washington/
Kur rrugëve sheh njerëz të rrudhur, kërrusur, të rënduar nga hallet a të alkoholizuar, të mbuluar me lecka a tesha të vjetëruara, duke lypur, por edhe nga ata me faqe të mbushura, të qeshur, barkfryrë, të vetë kënaqur (nga që ende nuk janë zbuluar për vjedhjet e tyre?), me makina luksoze, të veshur ‘firmato’, disa duke shfrytëzuar a shpërdorur pozitën, dhe të tjerët me paratë e prindërve të tyre, fillon të mendosh. Dikur, diku qeveria ka gabuar, sepse kjo gjendje tregon se nga vjelja e të ardhurave nga populli – baza e buxhetit të një shteti – shumë pak shpenzohen për njërën palë, dhe shumë shumë, për palën tjetër. Një ndarje e tillë është padrejtësi, njësoj si të parit me njërin sy dhe syrin tjetër të mbyllur, përbën diskriminim.
E keqja nuk lë pasardhës, por ajo vazhdon të trashëgohet dhe nga dita në ditë bëhet më e keqe. Ashtu si rezultate të shkencës herë-herë bien ndesh me arsyen, sepse duke prodhuar të kundërtën i jep vetes të drejtën të vazhdojë të mbetet në skenë edhe pse përballë një audience që e ri-fishkëllenë.
Edhe një zyrtar që qeveris vetëm me synimin për të mbetur në pushtet, dhe bën cdo gjë për ta ruajtur atë, është i pameritueshëm. Halli i tij nuk është i popullit, ndërkohë që natë e ditë, populli duhet të përbëjë të vetmin shqetësim të tij.