





Prof. Luan Përzhita/
Monografia Qyteza dardane e Pecë- Kukës, është frut i një pune kërkimore shumë vjeçare, që fillon që në vitin 1985 me gërmimet arkeologjike sistematike në këtë monument. Materiali i zbuluar, gjatë gërmimeve pesëvjeçare, na lejoj që të krijonim një panoramë të zgjeruar dhe të plotë rreth zhvillimit të jetës në një qytezë që zë fill në periudhën prehistorike ilire e vazhdon deri në atë mesjetare ( arbërore). Zbulimi i dy periudhave, protourbane dhe urbane, shekujt VI-I para Kr., përbën dhe risinë arkeologjike të këtij vendbanimi për trevën dardane pasi shënon kështu qendrën e parë antike me tipare urbane në këtë territor.
Lënda arkeologjike që do të publikohet është gërshetuar me të dhëna të aspektit historik dhe urbanistik për periudhën e mbretërisë Dardane. Po ashtu me mjaft interes është shtjellimi i periudhës së shekullit IV-VI, ndarë në dy faza kryesore, në shekullin IV dhe në rindërtimet e Justinianit të shekullit VI, ku shënohet në dokumentacionin e kohës me emrin Pentza.
Në fazën e parë, shekulli IV, trajtohen muret rrethuese, kullat, muret e tarracimit si dhe gjetjet e shumta arkeologjike. Faza e dytë, shekulli VI, përmbledh studimin e kishës njëaniatëshe me ambientet e saj si dhe gjetjet arkeologjike që përkojnë me kohën kur vendbanimi kthehet në një qytezë paleobizantine në të gjithë aspektet e saj, tashmë si një qendër administrative dhe religjioze për pellgun e Drinit të Bardhë. Materiali i zbuluar arkeologjik gërshetohet me të dhënat historike të kohës duke dhënë kështu një panoramë komplekse të një qyteze të shekullit VI pas Krishtit për këtë zonë dardane.
Gjatë periudhës mesjetare, shekujt VII-XI, një vend të posaçëm zë transformimi i qytezës, si në aspektin urbanistik ashtu dhe ndërtimor. Qeramika dhe gjetjet e tjera, të analizuara me hollësi, sqarojnë disa probleme kronologjike të kulturës materiale në këtë vendbanim si dhe marrëdhëniet e ndërsjella me qendrat simotra të Shqipërisë, Kosovës dhe të Ballkanit Qendrorë.
Në përmbyllje, analizohen lidhjet kulturore me viset bregdetare dhe ato qendrore ballkanike gjatë tërë zhvillimit kohor prej 1500 vjetësh të funksionimit të qytezës, që nga shekulli VI para Krishtit e deri në shekujt e mesjetës së hershme.
Një studim i tillë mendojmë se për herë të parë hedh dritë mbi vlerat arkeologjike dhe historike të kësaj qytezë në harkun kohor nga Mbretëria Dardane e deri në transformimin e saj në periudhën paleobizantine e më pas në atë mesjetare.
Një pjesë e përpunimit të materialit të zbuluar i cili po publikohet në këtë punim është konsultuar në bashkëpunim me kolegë të huaj. Dëshiroj që të falënderoj në mënyrë të veçantë Prof. Dr. Fransua Baratte (Universiteti Sarbone IV, Paris-Francë) me të cilin publikuam në revistën e njohur Cahiers Archeologiques, llampën unikale të Pecës.
Vlerësoj shumë kontributin e Dr. Erik Follain në përgatitjen e dokumentacionit të ri gjatë vitit 2018-2020, i cili u realizua në kuadrin e rivitalizimit të sitit nga bashkia Kukës.
Në sistemin fortifikues të luginës së Drinit të Bardhë, përgjatë linjës së trasesë antike të shekullit II-III, në aksin Gabuleo – Theranda, ndodhet një ndër fortifikimet e studiuara të kësaj periudhë, Qyteza dardane e Pecës (Kukës), e cila ka një pozitë të rëndësishme strategjike në zonën që shtrihet pas Bushatit, nga Qafa e Morinit deri në Prizren. Kjo qendër e njohur me toponimet Kodra e Pecës, Guri i Kalasë dhe Çuka e Kalasë kufizohet sot në tre anët (veri–jug–perëndim) nga ujërat e liqenit të Fierzës, ndërsa ana lindore e saj lidhet me fshatin Përbregut nga një valëzim kodrash të buta.Gërmimet sistematike të kryera në këtë qendër sqaruan sistemin fortifikues dhe periudhat kohore të zhvillimit historik të këtij vendbanimi, që zënë fill në shekujt VI–V para Krishtit.
Në shekujt IV–II para Krishtit ky vendbanim rrethohet me mure që janë karakteristikë për qytezat e kësaj periudhe, duke pasqyruar njëherazi së bashku me Rosujën (Tropojë) qendrat e para që njëkohësisht lidheshin me mbretërinë Dardane.
Ndërsa në fund të shekullit III dhe fillim të shekullit IV Peca rifortifikohet sërish, por tashmë me një sipërfaqe më të madhe, duke fituar një rol të rëndësishëm strategjiko-ushtarak në pellgun e Drinit të Bardhë, gjë të cilën fillon ta humbasë më vonë në shekujt IX–XI.
Gjatë shekujve IV–VI, Peca u plotësua me banesa, kullë, tarracime të ndryshme, kishë etj. Nisur nga teknika e punimit të mureve, forma planimetrike e kështjellës dhe kryesisht nga lënda arkeologjike e zbuluar, është vërejtur se këto ndërtime u përkasin dy fazave;
Shekujve III–IV, në të cilët përfshihen muret rrethuese, kulla, banesat dhe tarracimet.
Shekulli VI, që përfshin kishën me mjediset e saj.
Muret rrethuese të kështjellës ndjekin vijat rrushkulluese të kodrës duke i dhënë asaj një formë të çrregullt e të ndërvarur nga terreni. Ato përfshijnë një perimetër prej 445 m, me sipërfaqe prej 1 ha, por gjurmë të vendbanimit janë vërejtur dhe jashtë sistemit fortifikues të kështjellës. Muri është ndërtuar me gurë gëlqerorë katrorë të përmasave mesatare, lidhur me llaç të një cilësie të dobët.
Karakteristikë është nivelimi i herëpashershëm i gurëve në fasadë me mbushës të trashë. Në pjesë të veçanta të sipërfaqes së gurit, veçanërisht në ato të brendshme, vihet re një dystim i lehtë në formë suvaje, teknikë kjo e njohur në Bushat, Vig dhe Pogradec. Trashësia e murit rrethues luhatet nga 1,20–1,80 –2,80 m. Për të rritur rezistencën e anës veriore, ndërtuesit në pjesët më pak të mbrojtura natyrore i kanë dhënë murit rrethues një trashësi prej 2,80 m që vërehet në dy skajet lidhëse te kulla. Teknika e ndërtimit të murit me llaç të dobët, si dhe shtresa kulturore mbi të cilën janë ngritur këto mure, flasin qartë për fundin e shek. III dhe fillimin e shek. IV, kjo nisur dhe nga krahasimet që mund të bëjmë me Bushatin apo me fortifikimet e tjera të kësaj periudhe të B. Currit, të pellgut të Dibrës, Korçës, të rrugës Egnatia.
Kështjella është përforcuar nga një kullë në trajtë U-je ndërtuar në kuotën më të lartë të kodrës. Ka planimetri të rregullt që e siguron nëpërmjet një harku të lehtë në pjesën ballore. Formon një mjedis të brendshëm me përmasa 2,90 x 4,90 m dhe të jashtëm 6,40 x 4,90 m, me trashësi muri 1,80 m. Në brinjën jugore të kullës, jashtë murit rrethues, është hapur porta me gjerësi 1,50 m, duke krijuar një korridor me hapësirë 1,80 x 1,50 m.
Hapja e portës jashtë murit rrethues me sa duket është e rrallë për Dardaninë e provincat e tjera të Ilirisë. Krahasimet më të mundshme i shohim me kullën në trajtë U-je të kastrës së Trezmirit në Bullgari të datuar në periudhën e Konstandinit. Faqes lindore të kullës i është mbështetur një trakt muri me drejtim jugor 3,80 m i gjatë dhe 1,10 m i gjerë që së bashku me faqen lindore të skajit të kullës, krijojnë një platformë të vogël të fortifikuar me sipërfaqe 24 m2. Për shtrimin e saj është përdorur një shtresë kalldrëmi (0,20–0,30 m), sipër së cilës rrafshohet një shtresë dheu (0,20–0,22 m) e përzier me thupra, ndërsa një cipë e hollë balte (0,10–0,12 m) ka sheshuar tërë sipërfaqen.
Kulla në trajtë U-je janë të përhapura në sistemin fortifikues të Drinit të Zi, siç është shembulli i Bushatit, por nisur nga elementet arkitektonike ndërtimore, mendojmë se ajo është e ngjashme me kullat e këtij lloji të Justiniana Secundës (Dardani), Skampisit (Epiri i Ri) dhe me kullat e disa kështjellave fushore të këtij tipi në provincat ballkanike.
Një element i ri i arkitekturës së kështjellës janë muret e tarracimit që shtrihen në hapësirën ndërmjet kullës dhe kishës. Qëllimi kryesor i ndërtimit të tyre ishte përshtatja graduale e pjerrësisë së kodrës për banim, duke mundësuar lidhjet ndërmjet kullës dhe mjedisit përreth.
U ndërtuan gjithsej pesë shkallare në formë tarracash të përmasave 5 x 10 m. Tarraca e parë me sipërfaqe 60 m2, ndodhet 1,20 m larg nga brinja lindore e kullës. Në thellësinë 0,97 m u dallua një shtresë e hollë djegieje (2–3 cm), që me sa duket lidhet me mbeturinat e shkallëve të drunjta, të cilat realizonin komunikimin e kullës me pjesët e tjera të brendshme të kështjellës. Duke u nisur nga mbetjet e arkitekturës, rezulton se shkalla ka qenë 1,00 m e gjerë me lartësi 1,10 m, gjë që e përforcon hapësira që krijohet në mes të faqes lindore të kullës dhe murit kufizues verior të tarracës së parë. Një e dhënë tjetër që plotëson këtë mendim është dyshemeja e shtruar me tulla të përmasave 0,30 x 0,30 x 0,05 m, e vendosur poshtë shtresës së djegur. Sipërfaqja e rrafshët e tarracave është shtruar me tulla të përmasave të mësipërme, duke krijuar hapësira dhe sheshe pushimi. Krahu i tyre verior lidhet organikisht me murin rrethues, gjë që tregon për njëkohëshmërinë e ndërtimit të tyre.
Banesat në Pecë janë vendosur në anën lindore të vendbanimit dhe janë të tipit alpin. Kanë planimetri katrore me përmasa 6 x 5 m, me mure të ruajtura në lartësinë 0,60–0,70 m. Hyrjet janë të hapura në anën veriore, 0,80 m të gjera, ndërsa në qoshe janë të punuara me kujdes. Dyshemetë i kanë të shtruara me kalldrëm, mbi të cilin është vendosur një cipë e hollë llaçi (0,07 m), teknikë që ngjason me ndërtimet e shek. IV në Bushat dhe Krujë. Nisur nga gjetjet e shumta të tjegullave, mendojmë se çatitë e banesave kanë qenë të mbuluara me këtë material. Për sa i përket konstruksionit të tyre, duke u mbështetur në mbetjet arkitektonike, mendojmë se banesat kanë qenë të ngritura me mure në një lartësi që nuk i kalonte 1,5 m, ndërsa pjesa tjetër e kësaj lartësie është plotësuar me lëndë druri, me çati të mbuluar me tjegulla.
Shek. VI në kështjellën e Pecës përmban në vetvete përveç kulturës materiale dhe ndërtime të reja. Në qendër të vendbanimit u ndërtua kisha njëaniatëshe me mjediset e saj, në bazë të një arkitekture që është karakteristikë për këtë periudhë. Gërmimet arkeologjike treguan se ky objekt kulti u zhvillua në dy faza kohësisht të ndryshme.
Në fazën e parë sipërfaqja e kishës ishte 16,80 m x 5,85 m. Pjesët përbërëse të kishës si naosi, apsida dhe pronaosi janë në simetri në raport me aksin e kishës, me përjashtim të një kapele të vogël ndërtuar në jug të naosit. Materiali i zbuluar gjatë gërmimeve e rreshton kishën e Pecës në objektet e kultit të shekulllit VI .
Në fazën e dytë, shekujt IX–XI, kemi ndryshime të dukshme që vërehen jo vetëm në planimetrinë e kishës, por në tërë vendbanimin, situatë që pasqyron një reduktim të jetës në këtë qytezë.
Gjetjet e shumta arkeologjike të zbuluara në shtresën e vonë antike paraqiten të njëjta për nga format tipologjike dhe njëkohëshmëria kronologjike me qendrat bashkëkohore fqinje. Në përbërje të tyre hasim elemente me një shtrirje kohore nga shekujt III–IV e deri në mesjetë. Interes të veçantë paraqet dekori i realizuar tek enët e përdorimit të përditshëm me motivin fshesor. Një vend të veçantë në masën e gjetjeve kanë 80 vegla pune të tipave të ndryshëm, si dhe objektet e importit, siç janë fibulat dhe llamba me karakter religjoz unikal për nga lloji i saj në Ballkan dhe më gjerë.
Ndërtimi i qytezës së Pecës përkon në kohë me fillimin e dyndjeve sllave, që sollën si domosdoshmëri për perandorinë bizantine rritjen e aktivitetit ndërtimor, kryesisht në luginat e lumenjve nga ku depërtimet ishin më të mundshme. Ky proces u ravijizua dhe në Dardani, dëshmi të të cilit kemi listën e P. Çezaresë “De Aedificis”, i cili përmend një sërë kështjellash që u ndërtuan ose u rindërtuan nga Justiniani. Kështu mendojmë se kështjella e Pecës mund të identifikohet me emrin e një kështjelle të rindërtuar në Dardani, të quajtur PENTZA.