Nga Almarina Gegvataj/- “Propozimi fitues i studios XDGA mund të titullohet fare mirë “Vlora zgjim i bukur”, deklaroi mbrëmjen e të premtes Kryeministri Edi Rama.Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kreu i Ekzekutivit e konsideron projektin fitues fantastik, europian dhe autentik për Vlorën.
”Sot u zhvillua finalja e konkursit për vijën bregdetare të Vlorës ku pati pesë propozime të nivelit të larte ndërkombëtar.; një projekt sa fantastik aq edhe i thjeshtë, sa ëndërrimtar aq edhe i realizueshëm, sa europian aq edhe shumë autentik për Vlorën. Tani nis puna për detajimin e projektit dhe kthimin e tij në zgjimin e bukur të Vlorës së shekullit të ri”, shkruan Kryeministri Rama.
Projekti i Lungomare në Vlorë iu besua studios projektuese belge XDGA, të përfaqësuar nga arkitekti Xaveer de Geyter. Juria finale ndërkombëtare, e përbërë prej 9 anëtarësh, arkitektë e ndërtues të mirënjohur, përzgjodhi projekt-propozimin e kësaj studioje, si vizionin më të mirë për shndërrimin e Vijës Bregdetare të qytetit të Vlorës në njërën prej pikave më tërheqëse të Mesdheut.Qytetarët vlonjatë ndoqën nga afër sot, shpalosjen e 5 projekt-ideve më të mira, të përzgjedhura nga juria prestigjioze midis 45 propozimeve të paraqitura.
Sipas Jurisë, ky projekt përmbushte më së miri dy objektivat kryesore të përcaktuara prej saj; respektimin dhe shfrytëzimin e hapësirës prej 5 kilometrash të shëtitores së Vlorës, si dhe përshtatjen e projektit me elementët specifikë të kësaj shëtitoreje. Njëkohësisht, kjo juri përzgjodhi studion arkitekturore vendase “Metropolis”, si studion më të mirë, e cila do të jetë partner kryesor me studion e huaj për zhvillimin e projektit.
Fitues të vendit të dytë dhe të tretë u shpallën përkatësisht; studio zvicerane HFF, përfaqësuar nga Simon Hartmann dhe studio franceze L’AUC Paris, përfaqësuar nga Djamel Klouche.Ndonëse fituese kryesore është vetëm një studio, kryeministri tha më herët, në përshëndetjen e tij, se të gjithë pjesëmarrësit, me idetë e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. “Padyshim, çdo ide e vlefshme do të jetë pjesë e integruar në këtë projekt madhor për qytetin tonë, në projektin që hap siparin e Rilindjes për Vlorën.” u shpreh ai.
Të ftuar në Juri ishin edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Englantina Gjermeni.Studio XDGA, me qendër në Belgjikë, është e përqendruar në arkitekturë, projektim urban dhe projekte në shkallë të madhe. Fituese e disa projekteve në Belgjikë, XDGA ka marrë pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare në fushën e arkitekturës dhe projektimit urban.