TIRANË, 13 Korrik/– Kryeministri Edi Rama priti të hënën pasdite në një takim Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Rama ripërsëriti në një prononcim pas këtij takimi edhe një herë zotimin e mazhorancës për të përfunduar në vjeshtë reformën në drejtësi.
“Folëm për sfidat që ka vendi, ku kryesfida është reforma në drejtësi dhe ne këtë kryesfidë do ta kalojmë në vjeshtë”, tha Rama.Kreu i qeverisë shtoi se, kjo reformë shërben për ta transformuar një herë e përgjithmonë Shqiperinë, për ta kthyer në një vend të gatshëm për t’u bërë pjesë e BE.
Ndërsa kreu i PE, Schulz, theksoi se ishte kënaqësi që mbajti premtimin e bërë për të ardhur për herë të parë në Tiranë.
“U nisa sot në mëngjes nga Mynihu vetëm pak minuta pasi u arrit marrëveshja në Bruksel me Greqinë”, tha Schulz, i cili shtoi se, “me anë të kësaj marrëveshje u arrit të shmanget një krizë edhe më e thellë e BE”.
Schulz theksoi se, “ky është një lajm i mirë, pasi kriza do të prekte edhe Shqipërinë dhe është lajm i mirë për të gjithë BE-në, pasi tashmë mund të vazhdojmë punën për të hartuar një paketë tjetër për Greqinë dhe për të ecur përpara”.
“Pata një shkembim të hapur dhe të mirë me z. Kryeminsitër dhe ramë dakord për çdo gjë”, tha Schulz, i cili vlerësoi rolin konstruktiv që luan Shqipëria në rajon dhe në veçanti ai falenderoi Kryeministrin për rolin që luan qeveria e tij në këtë fushë.
Po ashtu, Schulz falenderoi Kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për mbështetjen tepër të qartë që i ka dhënë BE-së për marrëdheniet me Rusinë, ku Shqipëria ka mbajtur të njëjtën linjë si ajo e BE. Gjithashtu, Schulz ka falenderuar Kryeministrin Rama edhe për transformimin që i ka bërë Kryeministrisë duke treguar se është një njer i artit dhe që e vlerëson shumë artin
Presidenti Nishani priti Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz/
TIRANË, 13 Korrik/ -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot dhe zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
Presidenti Nishani uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite të Presidentit Schulz në Tiranë, duke përkuar me një moment të rëndësishëm si për BE-në, ashtu edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pasi përcolli përgëzimet për marrëveshjen e arritur sot në mëngjes me Greqinë, Kreu i Shtetit u ndal gjerësisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.
Presidenti Nishani theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të vetmen alternativë dhe zgjedhje për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe në këtë kontekst kjo ambicie shërben si një shtysë e fuqishme për realizimin e reformave të thella që nevojiten në të gjitha fushat.
Ai informoi mbi përpjekjet për zbatimin e 5 prioriteteve, duke e u ndalur në veçanti në fushën e zbatimit të ligjit, dhe posaçërisht tek reforma në drejtësi. “Si Kreu i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbetem plotësisht i angazhuar për të bërë çdo përpjekje për realizimin cilësor dhe me ritmin e duhur të kësaj reforme kyçe për vendin”, theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe procesi i integrimit evropian mbeten mekanizmi më i shkëlqyer garantues për suksesin e reformave të nevojshme për vendin, që nisin me ndërtimin institucional dhe vihen në funksion të konsolidimit të demokracisë në vend.
Duke u ndalur tek zhvillimet në rajon, Presidenti Nishani cilësoi se Ballkani Perëndimor sot është përpara një shansi historik për të ndërtuar mbi mentalitetet e përparuara të shoqërive tona. Dhe në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka një rol kyç në ndërtimin dhe inkurajimin e këtij realiteti pozitiv nëpërmjet proceseve respektive të anëtarësimit.
Presidenti Schulz përcolli vlerësimet për zhvillimin që ka njohur Shqipëria, parë edhe nga këndvështrimi i një qytetari evropian që i ka përjetuar ndryshimet e mëdha historike. Ai theksoi se dy ishin mesazhet që donte të përcillte nëpërmjet kësaj vizite: ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi.
Në këtë kontekst, zoti Schulz veçoi se në rrafshin e brendshëm pret që Shqipëria të shënojë përparim në vendosjen e shtetit ligjor, në të gjithë elementët e tij, përfshirë reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, si dhe në vendosjen e kulture evropiane të dialogut politik. Në kontekstin rajonal Shqipëria vazhdon të luajë një rol shumë pozitiv për ndërtimin e një dialogu konstruktiv e ripajtues. Këto dy elementë do të rrisin besueshmërinë dhe rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu edhe në raport me Bashkimin Evropian, dhe Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer për ta arritur këtë.
Presidenti Nishani, duke falënderuar për mesazhet inkurajuese dhe të gjithë mbështetjen që Parlamenti Evropian dhe vetë Presidenti Schulz kanë dhënë në vazhdimësi për Shqipërinë, e siguroi edhe një herë për të gjithë angazhimin e tij personal për t’u fokusuar në agjendën integruese në përgjigje edhe të pritshmërive të mëdha që kanë qytetarët shqiptarë ndaj këtij procesi. Njëkohësisht Kreu i Shtetit shqiptar siguroi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe do të vijojë të bashkërendojë politikat e sigurisë me ato të Bashkimit Evropian.