
Në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” u bë promovimi i librit “Reçaku, historia e një krimi lufte”, shkruar nga ambasadori William G. Walker
Nga dr. Sadik Elshani
Ditën e shtunë, më 7 shkurt, në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” në Philadelphia u zhvillua një veprimtari e rëndësishme dhe shumë e veçantë: promovimi i librit të ambasadorit William Walker, “Reçaku, historia e një krimi lufte”. Kjo veprimtari ishte konceptuar jo vetëm si një promovim libri, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimet tona ambasadorit Walker për rolin e tij vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Njëkohësisht, për t’u përkulur me nderim para viktimave të masakrës së Reçakut, si dhe para të gjitha viktimave të tjera të regjimit gjenocidal serb.
Nga gjaku i këtyre viktimave të pafajshme dhe nga gjaku i derdhur i dëshmorëve që luftuan me trimëri kundër pushtuesit serb lindi liria e Kosovës. Si në legjendat dhe baladat shqiptare, ata u bënë flijim (kurban) i lirisë dhe i ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Interesimi për këtë veprimtari ishte i jashtëzakonshëm. Edhe pse ishte dita më e ftohtë e këtij sezoni dimëror, salla ku u zhvillua veprimtaria ishte e stërmbushur me bashkatdhetarë që kishin ardhur edhe nga shtete të tjera: Nju Xhersi, Nju Jorku, Connecticut etj. Ambasadori Walker shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Nelly, si dhe nga dy veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, njëherësh bashkëpunëtorë të tij, Sab Gashi dhe Lulzim Shubiu.
Që në fillim të veprimtarisë u shfaq një reportazh që pasqyronte masakrën e Reçakut dhe rrjedhën e ngjarjeve në vitet në vazhdim, realizuar nga Radio Free Europe/Radio Liberty.
Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i cili i përshëndeti mysafirët dhe të pranishmit, duke i falënderuar për pjesëmarrjen. Ai falënderoi z. ambasador dhe i shprehu mirënjohje për angazhimin e tij në Kosovë dhe posaçërisht për zbardhjen e masakrës së Reçakut, si dhe për këmbënguljen e tij për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre. Jehona e saj alarmoi botën perëndimore, e cila më në fund duhej të angazhohej për shpëtimin e popullsisë shqiptare nga regjimi gjakatar serb.
Për vlerat e librit ishte caktuar të fliste z. Sadik Elshani, ish-kryetar i shoqatës dhe njëherësh shkruesi i këtyre radhëve, i cili kishte bërë një analizë të thuktë. Z. Elshani shprehu kënaqësinë që në mesin tonë kishim një mik të madh të shqiptarëve, një nga personat më të dashur e më të respektuar nga të gjithë shqiptarët, një diplomat par excellence, një njeri të mrekullueshëm. Emri i z. Walker për shqiptarët është bërë tashmë sinonim me Reçakun.
Para angazhimit të tij në Kosovë, ambasadori Walker ka shërbyer si diplomat kryesisht në Amerikën Latine dhe Amerikën e Mesme, ku ka mbajtur poste të rëndësishme, në fund edhe si ambasador në El Salvador. Këto pjesë të botës në atë kohë kanë qenë zona të trazuara me probleme sociale, ideologjike dhe konflikte të armatosura. Këto përvoja të ashpra e kishin bërë ambasadorin Walker kandidatin më të përshtatshëm për angazhimin e tij në Kosovë si shef i Misionit Verifikues.
Z. Elshani bëri edhe një pasqyrë të shkurtër të gjendjes së rëndë në Kosovë gjatë viteve 1989–1999, lëvizjen paqësore të dr. Rugovës dhe paraqitjen e luftën e UÇK-së – ngjarje që pasqyrohen edhe në faqet e këtij libri.
Pastaj erdhi masakra e Reçakut. Në momente të tilla dramatike është thelbësore që e vërteta të dëshmohet nga një person me integritet, dinjitet njerëzor dhe guxim; nga një njeri që i ka parë këto tmerre me sytë e tij. Ishte fat në fatkeqësi që në atë situatë tragjike ishte i pranishëm një diplomat amerikan me përvojë, i cili alarmoi botën perëndimore kur deklaroi publikisht se bëhej fjalë për krime kundër njerëzimit.
Sikur atë ditë në Reçak të mos kishte qenë i pranishëm ambasadori Walker, përfundimi mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe. Viktimat do të kishin mbetur thjesht numra në një listë të gjatë. Ambasadori Walker punoi pa u ndalur që këto viktima të mos vdisnin kot. Me veprimet e tij ai u dha atyre zë, dinjitet dhe drejtësi morale.
Pas kësaj masakre ndodhi Konferenca e Rambujesë dhe më pas bombardimet e NATO-s. Të gjitha këto zhvillime çuan në çlirimin e Kosovës. Megjithatë, Serbia ende nuk ka marrë përgjegjësi për këtë krim dhe për krimet e tjera të kryera në ish-Jugosllavi.
“Reçaku, historia e një krimi lufte” është një libër i fuqishëm, i shkruar me gjuhë të pastër dhe të drejtpërdrejtë, që sjell dëshmi të dorës së parë nga terreni dhe nga prapaskenat e diplomacisë. Është një monument i shkruar për kujtimin e viktimave të Reçakut dhe një referencë e rëndësishme për historianët dhe studiuesit. Njëkohësisht, është një doracak i vlefshëm për diplomatët dhe një mësim historie për brezat e rinj.
Shqiptarët janë popull mirënjohës, prandaj e falënderojmë ambasadorin Walker për kontributin e tij të pakursyer. Një statujë bronzi e tij qëndron pranë Memorialit të Viktimave të Reçakut.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë përshëndeti ish-kryetari i saj, z. Mhill Velaj. Dr. Doruntinë Rukiqi dhe zonjusha Jona Hajrullahu ndanë dëshmi personale prekëse për përjetimet e familjeve të tyre gjatë luftës.
Me shumë entuziazëm u prit fjala e ambasadorit Walker. Ai falënderoi organizatorët dhe foli për përvojën e tij si shef i Misionit Verifikues. Masakrën e Reçakut e cilësoi si pikë kthese në luftën e Kosovës.
Shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi ambasadorin me Certifikatën “Anëtar Nderi i Shoqatës”.
Veprimtaria vazhdoi me lexim poezie nga z. Lutfi Brami, me dhurimin e librit të z. Sulejman Dida dhe me një këngë folklorike kushtuar Reçakut, kënduar nga Sadik Krasniqi.
Në përmbyllje u shtrua koktel dhe u bë nënshkrimi i librave nga autori.
Ishte një veprimtari madhështore, e organizuar me profesionalizëm dhe përkushtim. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe miqësore. Ambasadori Walker mbetet ndër personalitetet më të respektuara dhe më të dashura për shqiptarët.
Ambasadorit i dëshirojmë pleqëri të mbarë, shëndet dhe suksese të tjera në të ardhmen.
Philadelphia, më 9 shkurt 2026
Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.