Poezi e Fatmir Terziut/
Pa fjalë ngel njeriu, kur lexon vargje si poezinë “Nëntë Malet e Dibres” të Fatmir Terziut./
Shkruan:Hasan Muzli Selimi/
Pa fjalë krejt i pakun ngela unë deri sa lexova këto vargje. Nëntë malet e Dibrës, i hëngra gati menjëherë. I thashë vetes, vjen nga se unë e dua traditën. Ndoshta se jam pak nostalgjik në të bukurën odë. Ndoshta se e dua shumë institucionin e Teqes. Ndoshta se kam qef të jam mal, e në shpinën time të lodrojnë e të fshihen gjithfarë gjanash, të fshihet ujku i natës deri tek sorkadhja, të fshihet miu deri tek luani, të dalin për gjah gjahtari sportiv edhe gjahtari i pangopun. Të mësojnë fluturimin skifteri, pëllumbi dhe shqipja, të gjejnë jatak edhe lypsari, edhe zëngjini, të shetitin ylberi dhe dashuria, të zbardhet hana e të skuqet dielli, yjet të lodrojnë në mua si lodrojnë qengjat në fund të majit. Burrat të fshehin fjalën edhe ndorexhin, nuset të heqin duvakin dhe të rrokin bajrakun. Të bahet be në mua mal dhe mallkimi të përzhitet. Të luten në mua mal si dikur perënditë dhe lutja të kthehet në gëzim.
E kështu poeti nisi rrugën e rinisë së vet nga qyteti në kërthiz të Shqipërisë për të lënë djalërinë dhe për fillim burrninë në shtat malet. Male që qyteti i djaloshit, sikur i mban në shpatullat e veta dhe sikur ju ndërron edhe stinët. Ja kanë borxh njëri-tjetrit se komshinj janë edhe Dibra edhe Elbasani i mimozave dhe i selvive..
E kështu nisi rrugëtimi im i vrazhdë në vargjet e Fatmirit edhe mal, edhe poet, edhe Elbasanli, edhe Dibran. E nuk ka mbetë kot thënia e hershme “Kam qënë tek Terziu”. Pra, kjo për një mendim, punë dhe fjalë të kualifikuar. E ja tek “Nëntë malet e Dibrës “ të Fatmirit jemi duke u ngjitë si alpinistat, Fatmiri në rini e unë në pleqëri. Nuk rri dot në fund se ban hije ky lloj mali dhe nuk sheh diell kurrë. E poeti në rininë e tij qëndroi për shumë kohë në malet e Dibrës dhe u ba maje. Në ngjitje urojmë mos të ketë shumë as borë, as bar se mund të rrëshqasish dhe këput qafen njëherë e përgjithmonë.
Me këput qafën në malet e Dibrës nuk ka as Teqe, as oxhak që të rikoperon për tu bërë për një dhjetë minutësh, sa me u përshëndet me dikënd të zakonshëm. Me u përshendet në këmbë pa u ul para burrnimit e mendjes hollë dibrane.
Nëntë malet e Fatmirit Dibran të ri, vijnë në këtë poezi si kapak historie të hapur dhe kurrë të mbyllur, jo se nuk ka kush i mbyll, por i kanë hapur për të mos i mbyllur kurrë. Kështu që ajo ditë krejt e zakontë si dita, kur Poeti Fatmir Terziu ndërtoi poezinë e vet me temë dhe shtjellim për nga tradita, burrnina dhe mendja dibrane, që kur burrat ndertuan edhe malet, edhe teqet, edhe odat. I ndertuan aso kohe për të kënduar poeti dikund nga anët e botës, me ndjesinë dhe mallin e kushtëzuar tek rinia e tij. I mësuar atje me mjegullën e dendur, gati gjithmonë pa diell i erdhi në përfytyrimin e qënies, diçka e kohës më të ëmbël që tronditi edhe sistemin tim nostalgjik.
“Retë krihen e rrufetë rendin macallug / llovrak tërhiqet qielli mbi fushë /
kanë zbritur yjet, kanë dalë në rrugë”/
Gjithnjë rrufetë pa bari kanë kullotë në ato male. E ato male jo të shkreta për kuaj të verbuar. Por në ato male janë ngjitur burrat deri tek retë dhe kanë marrë rrezet e nxime dhe i kanë nëpërkëmb si kanë deshtë. Rrufetë e nxime e plot zhurmim e kanë munduar këtë kombin tonë, bile edhe janë ba të merzitshmë dhe nga përplasja me ne dhe me Dibranin, janë ba maçarung me plagët e motit. Hala të pa sherume plagët e para nga përplasja e rradhës janë hapur plagë të reja. Plagë pas plage e prapë plagë, gjithmonë të paharrueme lavrek të vjetrat janë ba të rejat. Kaq afër kanë qënë në kohë plagët sa të gjitha të reja quhen.
Nga plaga e parë tek e dyta kanë detyruar të tërhiqen edhe qiejt. Të tërhiqen qiejt llavrek si kafshë e plagosur nga një pritë në mbrojtje. E tash kanë lind yjet dhe në rrugëtim të historisë kanë lënë mbrapa epopen e lavdisë dhe sakrificës, jo vetëm fizike, por më e çmuara ishte ajo mendorja Dibrane. Kaq shumë e ka frymëzuar birin e Dibrës historia sa ka detyruar përenditë të krihen në pasqyrën e historisë Dibrane e asaj Shqiptare..
Ja çfarë i banë autori hanës sa e llucit me një furkë. E ta detyrosh hanën furkë dhe të tjerrish lesh reshë në qiellin e trazuar të një krahine si ajo, ku poeti shtrinë frymëzimin nuk është punë fëmijësh, por punë e tjerrun në oda si ato të asaj krahine. Eh, odë e burrave të gjithkah Shipërisë që ditën të ndërtojnë epokë e të mos individualizojnë unin. Kjo ka ndodh, kur është fryrë Drini breg në breg e tmerron edhe malet, pa lere ma njerëzit, por kurrë odat, kurrë teqet. Në këtë moment poeti i ka nxe aq shumë burrat e maleve sa i ka ba prush. E me prushin e burrave ka tha Drinin e ka ba të pa kënun e dukej hakubet krejt cullak. Në kohën, kur burrat nxehen në oda si dikur me fletët e historisë pa mbyllun, ka ditë me e nda qimen në dyshë për së gjati. Ku ka me shkue Drini pa u tha në këtë moment,të peshës mendore.
“Llurbë e fjalës pluskon ngjeshur në boshllëk, hiçi i hiçtë frymon gjallërisht në plotësi, çdo metaforë sjell pas një kallabëllëk, kënga e trishtë blirët ka nxirë, ‘s’po i dilet me këtë soj arnautllëk, bërtet Pashai barkfryrë’ “
Në tërë historinë me kapak të mbyllun e me histori me kapak të hapun gjënë llurbë fjalësh, që bien edhe në boshllëk. Gjënë njerëz që e kuptojnë dhe nuk e kuptojnë, se çka flitet. Në odën e Dibrës ku poeti ka shtrirë ndjesinë dhe frymëzimin e vet nuk ka shumë llafe. Aty flitet jo në kallabllëk. Në atë trevë dhe gati në tërë Shqipërinë nuk flitet, kur nuk të dëgjojnë. Por ka edhe që të detyrojnë të dëgjosh e për këtë është e normuar në të drejtën zakonore të maleve. Ka që edhe hiç do të jetë dikushi, por vjen nga hiçi dhe mbetet hiç. Ka edhe, kur vlon Drini e mbushet deri në gushë të gjithë janë gati të bahen hiç me një fjalë. Fjalë që rradhitet nga më të mençurat dhe është përzgjedh për të fol e pri. Të diskutohet nën drejtimin e të parit dhe të konkludohet nga i pari. Bile edhe të anullohet nga i pari. E për këtë thotë Fishta “zhyt e mytë e ten zall”. Për këtë konkludon kanuni “ Si i miri edhe i keqi “. Pra, të gjithë jemi tokësor, mendojmë, veprojmë e jetojmë në bashkësi.
Autori ka parasysh edhe metaforat shpesh ju themi sllogane që janë dalë si domosdoshmëri e kohës në shërbim të çeshtjës, siç është Atdheu. Kur pasha ka mbingarkesën delirante të pushtetit e shprehet se nuk i delet me këtë lloj arnautllëku. Këto janë ngjarje që e kanë kalitur popullin tonë në fushat e mbrojtjes së vetvetës. Ja edhe pasha dhe kabineti i tij nuk i dilet as me malet, as me odat, as me teqet shqiptare. Gjendja e poetit këtu ka parasysh edhe historinë kapak hapur. Po është historia vetëm historia si shkencë që vazhdon të shkruhet çdo ditë. Harrojnë se shkruhen edhe ngjarjet e sotme bile me saktësi. E tash fitimtari ndërron pozitë e nuk mund të shënohet si po don.
“Të nënta ngrihen në këmbë / shkrihen një / shtatë Teqe, katër Oxhaqe, bëhen pale / mes vargut vërtet janë të heshtura / pa zë, kapakëve të historisë mbetesh pa fjalë / Nëntë Malet e Dibrës s’i nxë, as edhe muzeumi më i madh” /.
Në hirarkinë zakonore të bajraqeve ka qënë, se cili bajrak ishte numërikisht më i madh duhej të jetë i parë në çfarëdo lloj takimi si paqësor edhe agresioni nga jashtë. Këtu bahet fjalë për të thirrë kushtrimin në mbrojtjen e interesave të mbijetesës. E nuk ka problem se cili e thërret kushtrimin. Ka rëndësi të thirret dhe të jemi të gjithë aty. Në Dibër, kjo ndryshon pasi edhe e drejta zakonore ndryshon nga e drejta zakonore e pjesëve të tjera të vendit tonë. Kanuni i Dibrës nuk ka norma që janë të fiksueme si në kanunin e maleve që ne i themi kanunit të Lekë Dukagjinit. Ky kanuni i Dibrës është lloj i preçidentit, siç është ajo norma juridike anglosaksone. Në këtë zonë ka ndodhë ngjarja, kjo ngjarje është gjykuar nga burrat e oxhaqeve, është vendos zgjidhja dhe më këtë lloj zgjidhje janë zgjidhë të gjitha ngjarjet anologe të mëvonshme . Pastaj kjo është bërë normë e detyruar. Në këso rastesh dhe në të gjitha rastet burrat e oxhaqeve janë të bashkuar dhe kanë një marrëveshje aleance të heshtur. Piqen,shkrihen në mendime, në mistik dhe në luftë tok.
Nisur nga se thotë poeti se historinë e Dibrës nuk e nxënë asnjë muzeum ka të drejtë, kur shpërthen nga ofuria e kësaj arritje të oxhaqeve, që në gjithçka e gjithmonë mendja e dibranëve ka qënë bashkë dhe e heshtur. Gati gjithmonë e gati për çdo gjë heshtja është më e vlefshme se gjithçka. Burrat në odat e tyre, që ka qënë protokolli më i rëndësishëm për fjalën dhe veprimin burrëror, burrat kanë ditë të flasin me heshtje, kanë ditur të bajnë një histori të tërë me një fjalë, me një lëvizje, me pozicionin e mbajtjes së cigares së duhanit, të mbajtjes së pushkës, të lëvizjes së qeleshes. me dhënien e kutisë së duhanit dhe se si jua ka kthyer mirseardhjen. Këtu është marrë përgjigja në mes të mençurve. E thotë populli, lum ai që ndodhe aty, kur zihen burrat.
“Madem i gjallë është krejt mjedisi / e shenjtë është fjala / e artë besa / kur flet burri, nuk flet mexhlisi / nga e shkuara ndoshta ka pak kthesa / se modën ka ndërruar edhe lisi / por kush i pa e s’i lanë mbresa”/.
Mbijetesa kombin tonë e ka detyruar të mësoj dhe të organizojë vehten në mënyra të ndryshme. Nuk po ka as datë fikse, as mendim kolegjial se, kur populli ynë bani para e mbrapa. Këto zbatica pa batica e kanë ngatërrue popullin tonë që mua nuk më pëlqen të them gjymtuar. Edhe poeti kështu shpërthen me dallgë,më mendore,me dallgë njerëzore, me dallgë e dallgë.
Historinë e popullit tonë e ka paraprirë besa si fjalë e dhënë. E ka ndjek ky akt besimi, e ka ndjek ky virtyt i cili u ba institucion i paprekur në rrugën e mundimshme të historisë. Ky akt besimi në mes njerzëve u nënshkrue verbalisht dhe nuk pati kurrë nevojë të shkruhet as të nënshkruhet nga palët, as të bahet një i tretë garantë për mbajtjen e fjalës së dhënë që është quajtur besë. Ka shumë llafe dhe shumë ngjarje që janë ndodhi të kohërave dhe ne nga pesimizmi ose dëshpërimi shpesh themi se shqiptari pra, ne jemi të pabesë. Këtu numërojmë edhe kalanë e Rozofatit edhe Hamzan të nipin e Gjergj Kastriotit edhe deri në ditët tona.
Në shkojmë edhe më larg se paskemi pas qënë të pabesë dhe është detyruar Lekë Dukagjini të investohet dhe ta kodifikoi në kanun që ky lloj akti të bahet pjesë e popullit tonë si virtyt. Ndodh gjithçka dhe ky mendimi i fundit se qenka detyruar Leka ta bajnë normë kanunore, mendoj që nuk i qëndron, sepse besa e Shqiptarit është shumë kohë para se Leka të vendoset në krye të principatës së Dukagjinasve. Se Shqiptari në virtytin e lindur ka në themel bamirësinë dashurinë atërore dhe humanitetin, ka në pronësi të vet besimin dhe besimin në një zot edhe, pse ka shumë rite pagane, por nuk e kanë larguar nga besimi në një zot.
E nisur nga gjithë kjo, ne duhet t’i japim të drejtë poetit që thotë se fjala dhe besa janë të arta. Në mexhlic kanë fol burrat dhe, kur në një numër burrash të mbledhur që ka fol dikush nuk ka patur nevojë që të flas dikush tjetër, pasi fjala ka qënë e pjekur dhe e patolerueshme. Përgjithësimi me negativet nuk ka shumë peshë në historinë brilante të atij vendi ku shkruhet në këtë poezi.
Ne jemi të prirur të anojmë nga negativja, jo për tu ba palë me të, por për ta demaskuar atë. Për ta demaskuar si shembull të keq në mënyrë që të nxjerrim mësime për të ardhmen,por jo të individualizojmë gjithë qënien tonë me një rast në njëmijë vjet.Autori ka të drejtëse historia traditore e maleve lenë mbresa gjithkund e për gjithkund.
“E struka mes vargut bukurinë e tyre, shoh si ngrihen në bedena mrekullitë, janë si nëntë gonxhe trëndafili para syve, dhe kur ‘kursehen’ të flasin poezitë, Nëntë Malet e Dibrës janë copëza pasqyre, ku krihen ditënatë edhe Perënditë”.
Poeti i struk malet në poezi.Por flet të vërtetën, kur thotë se kursehen të flasin poezitë. Poeti i dha jetë këtij vendi, i shtoj bukurinë dhe unë gjatë kohës si po shkruaj dhe gjatë kohës që kam lexuar këto vargje të mësuara përmendsh mbajta parasysh atë vend bjeshkë të pa krahasuar për nga bukuria e dhënë prej Zotit, atë pozitë gjeografike krejt të ashpër dhe të devotshme me ba histori, me ba burra, me rritë e ngritë male e mendje të pa llogaritshme, atë odë me emër burrnimi që ka rritë burra dhe ka ba emër në të gjitha kthesat e historisë, ata burra, burra që nuk maten as me malet male, e ato gra që kanë lindur e rritë male.
Nuk gjënë fjalë as nga eposi, as nga folklori, as tek Iljada, as tek Sadiu, as tek britmat e fëmijës së lindur tani, as tek gërhama e dekës që ta zgjidhish njëherë me një fjalë poetike. Ta quash më të pamundurën, por mund t’i bien për shtat çfarëdo llafi e figure letrare, apo artistike që mund të quhet i pa kapërcyem për nga mjeshtria, leksiku dhe fjalori i poetit që përdor në këtë poezi.
Poeti Fatmir Terziu i ka detyruar perënditë që, kur ka le njeri e deri sot të shkoj e të krihen dhe të bajnë paradë mode në pasqyrën Dibër. Ai ka dhënë secilës perëndi nga një pasqyrë. Nuk ke besë për fjalë goje se si është krijuar ngjarja. Duhet ta kishe pa si Fatmiri, se si kriheshin dhe banin kopje perënditë. Banin kopje malet e Dibrës që të dalin të bukura ose tu ngjanin atyre.
E cili muzeum e nxënë historinë e popullit tonë në përgjithësi dhe të Dibrës në veçanti. Po, ja cili libër mund të përfundoj më poezinë e Fatmir Terziut si atëherë në Dibër, i ri. Jo asnjëherë nuk ka mundësi të mbyllen kapakët e shkrimit në zbërthim të kësaj poezie.
Të kësaj poezie me shumë pak fjalë, të kësaj poezie më figura pedente, të kësaj poezie me një stabilitet kreativ, të kësaj poezie me një ndjesi të pakufishme, të kësaj poezie thirrje, të kësaj poezie mall, të kësaj poezie që gjithnjë troket tradita, troket kërkesa për kah e mbara dhe e mira.
Këtu është nisur dhe vazhdon filozofia e popullit dhe e poetit.