NGA ALFONS GRISHAJ/
Mbyllni sytë vetëm për një minut, jo vetëm si besimtarë, por dhe si natyralistë, e do shikoni sa madhështor është Zoti…Ateistët do pyesnin me cinizëm: “Ku është Ai?” Hipokritët do rrudheshin si këmisha të shtrydhura, dyshuesit do silleshin si pëllumbat që humbin udhën, pseudo-predikuesit do fërkonin gishtat e bërë kallo , besimtarët do shkriheshin si pikat e ujit në shkretëtirë, ku më pas do çelnin bimë të gjelbërta.
Duke u shkëputur prej fallsitetit kulmues të njeriut në univers, si një formë jete rrethanore dhe jo si krijesë burimore, zogjtë na tregojnë me gjuhën e tyre se ku e ka burimin misteri i jetës. Asnjë qenie tjetër nuk e ka privilegjin që të fluturojë, të notojë dhe të ecë me dy këmbë siç janë shpendët. Ata kanë një gjuhë të përsosur, jo pasthirrma instiktive që njeriu nga një herë i ka për qejf! Por, gjuhë komunikuese si njerëzit. Provojeni në një rreth natyror të egër dhe filloni të hidhni farë të ndryshme, do shikoni se në bazë të shërbimit të ushqimit që afroni do shikoni dhe llojet e zogjve. Ata thërrasin njëri- tjetrin në mënyrë origjinale. Zogu i agimit është Kardinali. Ai zgjon zogjtë e tjerë me zërin e tij melodioz që ekzekuton simfoninë e zgjimit, kur speciet janë ende të vdekura në gjumë. Një kod i pashkruar! Trumcakët zgjohen dy tre orë pas lindjes së diellit njëlloj si dhe gargujt, që shkojnë grumbull si jeniçerët duke dëmtuar më tepër sesa duke u ushqyer vetë. Ashtu si dhe llojet e zogjve që flirtojnë me natyrën dhe begatinë e saj, njeriu shijon mrekullinë e krijuar, por duke mos kuptuar që asgjë rreth tij nuk është e tepërt dhe e rastësisshme. Sikur, njeriu të mendojë vetëm një minut në ditë, që ai është sa mision aq dhe përgjegjës e jo rrethanë, bota do ishte në Golden Age. Pra, misioni është si forca e gravitetit, ku nëse qendron brenda rrethit ciklik nuk humb, nuk vetëshkatrrohesh, por ruan forcën matematike të ekzistencës. E, ekzistenca nuk është rastësi !!!
Vëtëm një minut mbyllni sytë dhe mendoni se, sa punë iu desh Krijuesit, që ta bëj sa më të larmishme dhe më të bukur e interesante jetën e njeriut. Ai vendosi me mjeshtëri çdo gjë në vëndin e vet … Vendosi dhe konfliktin që jeta të mos bëhej bori, por dhe t’i shërbente shembëlltyrës së vet. Ne shohim frymorët katërkëmbësh (kafshët), në një amfiteater tragji-komik që nuk mbaron kurrë…Për një moment, le të marrim shkopin magjik dhe ta zhdukim këtë amfiteatër me frymorët aktorë katërkëmbësh, sëbashku më to dhe shpendët, peshqit dhe insektet …, çfarë do t’i mbetej njeriut?
E pra, në kulmin e marrëzisë njerëzore, në kulmin e mosbesimit na duhet një pushim. Një minut për të reflektuar, për t’u zhveshur nga pabesia, babëzija, arroganca dhe mosmirnjohja… Vetëm për një minut duhet të kujtohemi se jemi njerëz dhe të mendojmë për njeriun në skamje që lufton për të mbijetuar. Të sëmurin që shpreson në mrekullinë e qiellit sesa atë të doktorëve johumanë. Për tragjedinë e rastit që krijohen nga përsonat e velur nga jeta. Për luftërat që nuk kursejnë as shenjtërinë. Vetëm një minut të mendojmë për vajzën që nesër bëhet zonjë, proces prej nga varet ripërtëritja e vetë njerëzimit! Vetëm një minut të mendojmë për gjuhën e zogjve pa të cilën nuk do të kishte as muzë e as muzikë.
Vetëm njjë minut të mendojmë për hijet e pemëve që do të dukeshin si hije vdekje pa velin e gjelbër të gjetheve. Vëtëm një minut të mendojmë për frymorët katërkëmbësh, për universin e me rradhë… Dhe së fundi dhe si fillim, vetëm një minut të lutemi me mirnjohje të sinqertë për Urdhërin e Epërm …
Duke numëruar kështu njerëzisht minutat e mirësisë të virtytit hyjnor do zbresë tek ne paqe , duke rënë në gjumë pa pasur kohë për orët e energjisë negative!
Dikush, mund të thotë: “Ah dhe ti, bën si moralist ! Ke dëshirë që njeriu të jetojë si filozof, si zbatues i një platforme që nuk ekziston, apo të një rregulloreje të dalur boje që ishte për të humburit. Njeriu është qendra, të tjerat janë kotësi !”
Mos o Zot, ta bëj unë një gabim të tillë aspak “etik”. Unë nuk mundem të jem aq i “moderuar” sa Niçja dhe pasuesit e tij, cilët, në njëren anë kanë arsyen e kulluar kritike dhe në anën tjetër kanë kazmën për ta varrosur atë.
Pikërisht se njeriu është në qendër të tokës, unë kërkoj që gjerat të rrotullohen natyrshëm rreth infinitit dhe jo rreth “supernjeriut” mortor.
Mendoni vetëm për një minut…! Dhe do shikoni se si jeta juaj do ndryshojë përgjithmonë!