
Sokol Paja/
New York, 22 Mars 2024 – Prof. Dr. Edmond Hajrizi themeluesi dhe rektori i institucionit privat të arsimit të lartë në Kosovë, UBT (University for Business and Technology) zhvilloi një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Prof.Hajrizi u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi, anëtari i këshillit të Vatrës z.Anton Raja, z.Dritan Haxhia, Editori i Diellit dhe gazetari Halil Mula. Në takim mori pjesë dhe z.Naim Dedushaj kryetari i rrjetit të bizneseve të diasporës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha vlerësoi punën e shkëlqyer të Prof.Hajrizit, të stafit akademik në Universitetin UBT, kërkimin shkencor, metodat inovative të mësimdhënies dhe infrastrukturën moderne në kampuset universitare. “Nga UBT ka përfituar e gjithë Kosova. UBT është një universitet i shkëlqyer në të gjithë hapsirën shqipfolëse në Ballkanin Perëndimor. Ju jam mirënjohës për bashkëpunimin e veçantë në festimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe sidomos respektin ndaj legjendës së shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Jim Xhema. Vatra është satelit i kombit dhe i të mirës së shqiptarëve në Amerikë” tha ndër të tjera z.Berisha. Më tej ai ekspozoi punën e Vatrës në Uashington dhe përpjekjet për transmetimin e atdhetarizëm te gjeneratat e reja shqiptare në Amerikë. Në fjalën e tij Prof.Hajrizi falenderoi Vatrën për bashkëpunimin dhe pritjen e ngrohtë dhe bashkëorganizimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Prishtinë: “Pa Vatrën e diasporën shqiptare në Amerikë ne sdo e kishim lirinë. UBT ka interes për ndërtimin e qendrës për studimet shqiptare-amerikane për të njohur kontributin politik, ekonomik dhe patriotik të diasporës shqiptare në Amerikë dhe kontributorëve të tjerë. Synojmë gjithashtu të themelojmë një qëndër serioze për studimet amerikane për të njohur aspekte të thelluara aspekte politike, ekonomike kulturore e diplomatike” tha ndër të tjera Prof.dr. Edmond Hajrizi. Gjatë takimit të ngrohtë e vëllazëror u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare në Amerikë ku Vatra ka rolin kryesor në të gjitha proceset patriotike në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.