Arbër Hadri
AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).
Abstrakt
Ky punim paraqet të dhënat kryesore të dokumenteve zyrtare amerikane lidhur me spastrimin etnik dhe krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, gjatë vitit 1999. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përpjekjet diplomatike për parandalimin e luftës, si dhe më pas në formë të drejtpërdrejt në bombardimin ushtarak të Serbisë milosheviçiane, rezultoi me angazhimin zyrtar të Departamentit të Shtetit në paraqitjen faktografike të barbarizmave të luftës së ushtrisë dhe policisë serbe ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Në këtë prizëm, si dhe të arsyetimit të domosdoshmërisë së përfshirjes së saj në luftë, Qeveria amerikane prezantoi në formë të argumentuar dhe të përpiktë mizoritë dhe krimet e luftës serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe nivelin dhe shtrirjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të drejtës e katastrofës humanitare.
Në periudhën kohore mars-qershor 1999, Departamenti i Shtetit dokumentoi mizoritë serbe në një sërë publikimesh zyrtare, duke përfshirë raportin e titulluar “Çrrënjosja e historisë: Spastrimi Etnik në Kosovë”, si dhe të “Raporteve javore të spastrimit etnik në Kosovë”. Raporti përfundimtar “Spastrimi Etnik në Kosovë: Dëshmi”, i botuar në dhjetor të vitit 1999, paraqet të dhënat e përditësuara të krimeve serbe në Kosovë, të kryqëzuara edhe me gjetjet në terren të institucioneve ndërkombëtare, Gjykatës së Hagës, si dhe ato të instaluara në Kosovë, KFOR dhe UNMIK. Faktet e përmbledhura, rezultuan me këto të dhëna: 11.000 (njëmbëdhjetë mijë) të vrarë në 529 varreza të identifikuara masive dhe të skenave të krimit. Vrasjet ishin vetëm njëra faqe e gjenocidit të orkestruar serb në Kosovë. Dokumentet amerikane pohojnë se më shumë se 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës, 90 % e popullatës së saj, ishin dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë. Në këtë kuadër, gjatë luftës në Kosovë, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, zbatuan një fushatë sistematike për spastrimin etnik të Kosovës nga popullata shqiptare.
Këto veprime të paramenduara gjenocidiale të Serbisë, përfshinin: ekzekutime në masë, djegien e trupave, zhvarrosje të varrezave masive dhe shkatërrimin e trupave njerëzore, dëbimin me dhunë të civilëve shqiptarë, plaçkitjen e shtëpive dhe bizneseve, djegien në masë të shtëpive, përdorimin e mburojave njerëzore, veçimin dhe arrestimin e meshkujve, dhunime, shkelje të neutralitetit mjekësor, çrrënjosje të identitetit etj. Këto dokumente zyrtare, të bazuara në burimet qeveritare amerikane, dëshmitë e refugjatëve, dokumentimin e organizatave joqeveritare, shtypin dhe burimet e organizatave ndërkombëtare, përmbajnë të dhëna objektive historike dhe statistikore dhe janë të një rëndësie të veçantë për historiografinë e Kosovës.
Fjalët çelës: Spastrimi etnik, Lufta në Kosovë, Departamenti i Shtetit, mizoritë serbe.
Argumentimi dhe prezantimi i fakteve lidhur me gjenocidin e organizuar shtetëror të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999, është një detyrë e rëndësishme për të gjitha sferat e shkencave shoqërore të Kosovës dhe më gjerë, e veçanërisht të historisë dhe juridikut. Dokumentet dhe të dhënat e kohës që janë në dispozicion për këtë dimension të rëndësishëm për zbërthimin e ecurisë dhe përfundimit të luftës në Kosovë, me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të saja të sigurisë për ndaljen e gjenocidit në qendër të Evropës, kryesisht janë në dispozicion si rezultat i angazhimit dhe përcaktimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dokumentimin dhe paraqitjen e këtyre barbarive serbe në prag të shekullit XXI. Ky veprim amerikan ishte në funksion të një përgjigjeje ndërkombëtare ushtarake ndaj Serbisë që orkestruan këtë gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë, si dhe për grumbullimin e të dhënave për gjykimin ndërkombëtar të kriminelëve serbë në krye me Milosheviçin.
Ky punim paraqet të dhënat kryesore të dokumenteve zyrtare amerikane gjatë vitit 1999, lidhur me spastrimin etnik dhe krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, si dhe veprimet e politikës së jashtme amerikane kundruall saj.
Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përpjekjet diplomatike për parandalimin e luftës, si dhe më pas në formë të drejtpërdrejtë në bombardimin ushtarak të Serbisë milosheviçiane, rezultuan me angazhimin zyrtar të Departamentit të Shtetit në paraqitjen faktografike të barbarizmave të luftës ndaj popullit shqiptar në Kosovë, nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe. Në këtë prizëm, si dhe të arsyetimit të domosdoshmërisë së përfshirjes së saj në luftë, Qeveria amerikane prezantoi në formë të argumentuar dhe të përpiktë, mizoritë dhe krimet e luftës serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe nivelin dhe shtrirjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe të katastrofës humanitare në terren. Në periudhën kohore mars-qershor 1999, Departamenti i Shtetit i dokumentoi mizoritë serbe dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë në një sërë publikimesh zyrtare, duke përfshirë raportin e titulluar “Çrrënjosja e historisë: Spastrimi etnik në Kosovë”(Erasing History: Ethnic Cleansing in Kosovo) botuar në maj të vitit 1999, si dhe të “Raporteve javore të spastrimit etnik në Kosovë”. Raporti përfundimtar “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi” (Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting), i botuar në dhjetor të vitit 1999, në të cilat paraqiten të dhënat e përditësuara të krimeve serbe dhe gjenocidin në Kosovë, të kryqëzuara edhe me gjetjet në terren të institucioneve ndërkombëtare, Gjykatës së Hagës, si dhe ato të instaluara në Kosovë, KFOR-it dhe UNMIK-ut, është dokumenti zyrtar më kredibil, i hartuar nga një Qeveri ndërkombëtare, me të dhëna të sakta, gjithëpërfshirëse me qëllim të dokumentimit të shkeljes së të drejtave të njeriut, ligjit humanitar dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Rrethanat që ndikuan në përpilimin e këtyre raporteve ishin të ndërlidhura me gjendjen në Kosovë dhe relacionin që në këtë kuadër kishte politika e jashtme amerikane. Për këtë shkak, në këtë punim do të elaborojmë shkurt edhe qëndrimin e saj.
Eskalimi i situatës së sigurisë në Kosovë në pjesën e dytë të vitit 1998, kyçi politikën amerikane në formë direkte me synim të parandalimit të luftës në Kosovë, vendosjes së paqes dhe gjetjes së një zgjidhjeje politike për statusin e ardhshëm të Kosovës. Interesat e sigurisë kombëtare amerikane ishin prekur, meqë kontingjenti ushtarak i saj gjendej në afërsi të Kosovës, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Po ashtu, kredibiliteti i institucioneve politike e ushtarake ndërkombëtare ishte vënë në pikëpyetje, shenjat e katastrofës humanitare ishin evidente në terren në Kosovë, si dhe kishte presion të jashtëzakonshëm medial ndaj qeverisë amerikane për veprim. Ashpërsimi i situatës rrënuese në terren si rezultat i ofensivave ushtarake serbe, shënon një kaptinë të veçantë në aspektin e vendosmërisë së politikës amerikane drejt ndalimit të mizorive të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe nxitjen e intervenimit ushtarak të NATO-s (Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut – North Atlantic Tractact Organization). Kjo qasje, ishte në linjë me krijimin e një platforme dhe mundësie përfundimtare politike, për ndërprerjen e luftimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqësore.
Situata në terren në Kosovë në këtë kohë ishte shpërthyese. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe Lëvizja Paqësore, ishin kategorikisht kundër çdo zgjidhjeje që parashihte autonominë përpos pavarësisë së plotë të Kosovës. Qëndrime diametralisht të kundërta kishte shteti i Serbisë, i cili e shihte popullin shqiptar në Kosovë, si një kërcënim për projeksionet e saja nacionaliste dhe ekspansioniste në Ballkan. Ky synim u dëshmua që nga fillimi i viteve 80, me instalimin e aparteidit shtetëror serb dhe shtypjen e lirive të njeriut në Kosovë; ndrydhjen e identitetit kulturor, arsimor e shkencor; suprimimin e autonomisë politike të Kosovës; spastrimin etnik dhe vrasjet makabre, si dhe aktet gjenocidiale që pushteti serb në formë të organizuar e të qëllimshme i realizoi në Kosovë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, regjimi serb i Slobodan Milosheviçit kishte për qëllim zbatimin e misionit të tij për rikonfigurimin etnik të Kosovës, në favor të Serbisë.
Sjellja në një linjë e këtyre qëndrimeve diametralisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë, ishte një sfidë e madhe edhe për politikën e jashtme amerikane, e cila ishte në një presion medial të brendshëm për veprim, me qëllim të ndaljes së katastrofës humanitare dhe masakrave të popullit shqiptar të Kosovës, si dhe parandalimit të rrezikut për destabilizim në rajon dhe Evropë. Një element i rëndësishëm që ndikoi në përkushtimin dhe determinimin e administratës amerikane për ta ndalur luftën dhe tʾi japë kah zgjidhjes së Kosovës, ishte eksperienca jo e mirë me Bosnjën ku kishte më shumë se njëqindmijë persona të vrarë dhe fytyra e nacionalizmit milosheviçian ishte demaskuar tërësisht. Qëndrimi i prerë i Presidentit Klinton, ishte se “nuk do të lejonte një Bosnjë të dytë të ndodhte në zemër të Evropës në prag të shekullit XXI”.
Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si superfuqia e vetme botërore, vepruan duke shfrytëzuar potencialin e saj diplomatik, ushtarak dhe mekanizmat e saj në institucionet ndërkombëtare NATO, OSBE, OKB dhe Grupin e Kontaktit, që Aleatët e saj dhe Bashkësia Ndërkombëtare ta kenë një zë në atë situatë, si dhe të ushtrojnë trysni qenësore ndaj regjimit serb të Milosheviçit për parandalimin e eskalimit të mëtutjeshëm të luftës dhe akteve gjenocidiale ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Me gjithë përpjekjet e pareshtura diplomatike, Serbia në krye me Milosheviçin nuk ndalej në ushtrimin e dhunës në terren në Kosovë, që rezultoi me fillimin e përgatitjeve të Administratës Amerikane për mundësinë e përgjigjes me intervenim ushtarak, nëse nuk pranoheshin kushtet e Bashkësisë Ndërkombëtare.
Çështja e intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë ishte vu në radhitjen prioritare të politikës së jashtme amerikane. Tani më, kjo agjendë ishte në binarë të zgjidhjes politike dhe ushtarake, e në këtë aspekt u përfshinë në lëvizje edhe agjencitë ndërshtetërore duke vepruar me zhvillimin e udhëzimeve të duhura për Misionin e Shteteve të Bashkuara në NATO, me qëllim të inicimit të procesit formal të gjenerimit të operacioneve ushtarake ajrore.
Përpjekjet e fundit të diplomacisë shtrënguese amerikane të shoqëruara me kërcënim kredibil të përdorimit të forcës, me synim arritjen e një zgjidhjeje diplomatike para përfshirjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ndaljes së luftimeve në terren, si dhe kthimit të të përndjekurve në shtëpitë e tyre, rezultuan me sukses vetëm në tetorin e vitit 1998. Me gjithë përpjekjet pasuese të diplomacisë shtrënguese amerikane Serbia milosheviçiane nuk pranoi propozimin e paqes në Rambuje dhe me këtë filloi edhe bombardimi 78 ditor i saj. Sulmet ajrore nxitën edhe nisjen e zbatimit të planit gjenocidial të Serbisë për shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët. Më shumë se 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës (rreth 90% të popullatës), sipas raporteve amerikane u dëbuan me forcë nga vendi i tyre, në kuadër të zbatimit të fushatës sistematike të Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. ShBA-ja tani më kishin hyrë në luftë dhe ishte e domosdoshme që të faktohej edhe arsyeshmëria e këtij veprimi. Në këtë kuadër, Departamenti i Shtetit Amerikan ndërmori publikimin e një sërë raporteve zyrtare me qëllim të demaskimit të akteve gjenocidiale të orkestruara të Milosheviçit dhe Serbisë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
Informacionet në këto raporte zyrtare amerikane u bazuan në të dhënat e ICTY (The International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia- Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë) dhe KFOR-it ndërlidhur me eksumimin e trupave dhe të dhënat për varrezat masive, dëshmitë e refugjatëve, dokumentacionin e OJQ-ve, dëshmitë e shtypit dhe informacione të deklasifikuara nga burime të qeverive dhe organizatave ndërkombëtare. Mizoritë kundër shqiptarëve të Kosovës të dokumentuara në këtë raport kanë ndodhur kryesisht ndërmjet marsit dhe fundit të qershorit 1999. Përmbajtja e raportit përfundimtar “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi” (Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting), konsiston në kapitujt më se vijon: Përmbledhja e përgjithme; Prezantimi; Vështrim i përgjithshëm; Dokumentimi i mizorive; Procesi i intervistimit të refugjatëve; Paslufta; Mizoritë dhe krimet e luftës sipas vendndodhjes; si dhe Shtojcë: Lista e faqeve të internetit me shënime përkatëse.
Një ndër çështjet thelbësore të trajtuara në raport është numri i viktimave të shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga ana e forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Shumë prej trupave u gjetën nga KFOR-i dhe ICTY-i kur hynë në Kosovë në qershor të vitit 1999. Provat e prezantuara janë fuqiplota, meqë pos të dhënave të tjera janë shoqëruar edhe me gjetjet profesionale dhe mjekësisë ligjore të ICTY dhe KFOR-it, duke konkluduar se forcat ushtarake-policore serbe kryen një fushatë sistematike për të djegur dhe shkatërruar trupat, për të varrosur trupat, si dhe më pas për rivarrosjen e tyre për të fshehur provat e krimeve makabre serbe. Departamenti i Shtetit, në këto raporte zyrtare paraqiti përfundimin se të paktën 6,000 shqiptarë të Kosovës ishin viktima të vrasjeve masive, nga një numër dyfish më i madh i viktimave të përgjithshme duke përfshirë edhe vrasjet individuale, dhe një numër të panjohur trupash të djegura ose shkatërruara nga forcat serbe gjatë gjithë luftës.
Departamenti i Shtetit Amerikan në këtë dokument, po ashtu, paraqet edhe konkluzionet e Zyrës së Kryeprokurores së ICTY-së Carla Del Ponte me rastin e prezantimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 10 nëntor 1999, se në Kosovë kishte më shumë se 11,000 persona të vrarë në 529 varreza masive dhe lokacione të vrasjeve të raportuara në Kosovë. Prokurorja theksoi se zyra e saj kishte zhvarrosur 2,108 trupa nga 195 prej 529 varrezave masive të njohura. Nga këto të dhëna Departamenti i Shtetit sugjeron se janë rreth 6,000 trupa në varreza masive në Kosovë, nëse bazohet në faktin se 334 varreza masive të paekzaminuara deri më tani përmbajnë të njëjtin numër mesatar të viktimave.
Këto fakte të përmbledhura të Departamentit të Shtetit të ShBA-së, rezultuan me këto të dhëna: 11.000 (njëmbëdhjetë mijë) të vrarë në 529 varreza të identifikuara masive dhe të skenave të krimit. Vrasjet ishin vetëm njëra faqe e gjenocidit të orkestruar serb në Kosovë. Dokumentet amerikane pohojnë se më shumë se 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës, 90 % e popullatës së saj, ishin dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë. Rreth 600.000 mijë prej tyre ishin zhvendosur brenda Kosovës në kushte çnjerëzore, gjersa pjesa tjetër ishte dëbuar me dhunë në shtetet fqinje, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe në Mal të Zi. Në këtë kuadër, gjatë luftës në Kosovë, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, zbatuan një fushatë sistematike për spastrimin etnik të Kosovës nga popullata shqiptare. Këto veprime të paramenduara gjenocidiale të Serbisë, përfshinin: ekzekutime në masë, djegien e trupave, zhvarrosje të varrezave masive dhe shkatërrimin e trupave njerëzore, dëbimin me dhunë të civilëve shqiptarë, plaçkitjen e shtëpive dhe bizneseve, djegien në masë të shtëpive, përdorimin e mburojave njerëzore, veçimin dhe arrestimin e meshkujve, dhunime, shkelje të neutralitetit mjekësor dhe çrrënjosje të identitetit.
Pjesa më e madhe e këtyre raporteve “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi”, “Çrrënjosja e historisë: Spastrimi etnik në Kosovë” dhe “Raporteve javore të spastrimit etnik në Kosovë”, përshkruajnë vendet e vrasjeve dhe varrezave masive të raportuara në mbarë Kosovën që nga fundi i marsit 1999.
Pjesë e raportit “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi (Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting)”, është edhe pjesa e ndërlidhjes së akteve gjenecodiale serbe me lokacionet përkatëse në Kosovë, e titulluar “Mizoritë dhe krimet e luftës sipas lokacioneve (Atrocities and war crimes by location)”.
Pjesa më e madhe e këtij raporti përshkruan vendet e vrasjeve dhe varrezave masive të raportuara në mbarë Kosovën që nga fundi i marsit 1999. Ekipet mjeko-ligjore dhe hetuesit e krimeve të luftës nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe një numër i qeverive që punuan në emër të ICTY, si dhe nga ana e Forcës së Kosovës (KFOR), kanë realizuar hetimin e vendeve të vrasjeve dhe varrezave masive. Lokacionet janë paraqitur si vende të “raportuara”, që konsiderohen raporte të besueshme të vrasjeve ose vendeve të varrezave masive, si dhe vende të “konfirmuara” që janë vende të raportuara ku janë kryer dhe përfunduar hetimet në terren të mbështetura nga ICTY apo KFOR-i.
Raporti i lokacioneve në formë përmbledhëse paraqet të dhëna se në Kosovë janë më shumë se 500 varreza masive dhe lokacione vrasjesh të cilat janë regjistruar nga ICTY, KFOR-i dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Numri i përgjithshëm i personave të vrarë të raportuar në ICTY në më tepër se 500 varreza është më shumë se 11.000. Nga këto 500 lokacione, ICTY ka konfirmuar përfundimin e hetimeve në terren në rreth 200 vende, që nga fillimi i nëntorit 1999. Më shumë se 2.100 njerëz të vrarë janë konfirmuar se janë gjetur nga hetuesit në më tepër se 160 lokacione. Raporti sugjeron se duke marrë parasysh të dhënat e parashtruara, numri i përafërt i personave të vrarë në varrezat e identifikuara ishte më shumë se 6.000.
Raporti i klasifikon viktimat në tri kategori: “1. Viktimat e varrosura në varrezat masive, vendndodhja e të cilave nuk dihet; 2. Numri i vendeve ku numri i saktë i trupave nuk mund të numërohen; si dhe 3. Viktimat, trupat e të cilëve janë djegur apo shkatërruar nga forcat ushtarake, pjesë e programit të shkatërrimit të provave nga forcat serbe në mbarë Kosovën dhe në Serbi”. Raporti paraqet në formë të detajuar në 72 faqe, lokacion për lokacion dhe për çdo komunë të Kosovës, numrin e varrezave dhe viktimave, të shoqëruara në disa raste edhe me fotografi satelitore. Në përfundim, ky dokument i Departamentit të Shtetit konkludon se “numri i viktimave trupat e të cilëve janë djegur ose shkatërruar nuk mund të dihet me saktësi, mirëpo ka prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës janë vrarë nga forcat serbe”.
Relacionet dokumentare të Departamentit të Shtetit Amerikan, ndërlidhen edhe me një sërë dokumentesh të deklasifikuara të “Këshillit të Sigurisë Amerikane” (NSC) gjatë luftës në Kosovë, pjesë e së cilës ishte dhe vetë Departamenti, në të cilën në formë të hollësishme pasqyrohet kontributi i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara për ndaljen e luftës dhe gjenocidit në Kosovë, katastrofës humanitare, planifikimin dhe realizimin e bombardimeve të NATO-s në krye me ShBA-në, si dhe rikthimin e trajektores së historisë me kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre, lirisë, rekonstruimit të shtëpive dhe jetëve të tyre.
DOKUMENTIMI I MIZORIVE
Departamenti i Shtetit në pjesën pasuese të raportit, sipas tematikës paraqet dokumentimin e krimeve dhe mizorive të luftës, shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare, të drejtave të njeriut dhe akteve gjenocidiale të raportuara në gjithë Kosovën.
Zhvendosja e dhunshme e civilë shqiptarë
Departamenti i Shtetit i ka dhënë një hapësirë të veçantë pasqyrimit të spastrimit etnik të Kosovës nga ana e Serbisë, si një fushatë e zhvendosjes së detyruar të popullsisë shqiptare në një shkallë që nuk ishte parë në Evropë që nga vitet e Luftës së Dytë Botërore. Raporti thekson se ushtria dhe policia serbe dëboi shumicën dërrmuese të popullit shqiptar nga shtëpitë e tyre. Me këtë rast hidhen poshtë pretendimet e regjimit serb se kjo zhvendosje e popullsisë ishte rezultat i largimit nga frika e sulmeve ajrore të NATO-së. Theksohet me këtë rast se viktimat vazhdimisht raportuan se ishin “dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe nën kërcënimin e armëve, ndryshe nga luftimet e vitit 1998, kur pjesa më e madhe e personave të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët u larguan për t’i shpëtuar ofensivës serbe ose për të shmangur raprezaljet nga forcat serbe të sigurisë. Një pjesë e popullatës u futën në trena dhe mjete të tjera transportuese në formë të organizuar dhe u dëbuan nga Kosova. Përveç kësaj, forcat serbe dëbuan shumicën e shqiptarëve të Kosovës nga zonat urbane. Refugjatët deklaruan se ata që u detyruan të qëndronin prapa u përdorën si mburoja njerëzore.”
Me këtë rast, në raport theksohet po ashtu, se forcat serbe gjithashtu u maskuan si refugjatë për të parandaluar shënjestrimin nga avionët e NATO-s. “Refugjatët pohuan se më 6 maj 1999, forcat serbe të veshura me kapela të bardha dhe xhaketa me logot e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe lëvizën ndërmjet Gjakovës dhe Brekovcit me kolona të civilëve të dëbuar. Për të fshehur ngarkesën e tyre ushtarake, forcat serbe i mbuluan vagonët e tyre me goma plastike të marra nga OJQ-të”. Departamenti i Shtetit vë në dukje se ndryshe nga viti 1998, kur forcat serbe të sigurisë sulmuan fshatra të veçanta, njësitë e Ushtrisë Jugosllave dhe civilët e armatosur serbë në vitin 1999 iu bashkuan policisë në dëbimin sistematik të shqiptarëve nën kërcënimin e armëve nga fshatrat dhe qytetet më të mëdha të Kosovës. “Autoritetet serbe detyruan shumë refugjatë të nënshkruajnë deklaratat e mohimit duke thënë se po largoheshin nga Kosova me vullnetin e tyre të lirë. Viktimat raportuan gjithashtu se forcat serbe konfiskuan sendet e tyre personale dhe dokumentacionin, duke përfshirë letrat e identitetit kombëtar, dhe u tha atyre që të hidhnin një vështrim të fundit përreth sepse nuk do të ktheheshin më në Kosovë. Shumë nga vendet e shënjestruara nuk kishin qenë skena të mëparshme luftimi apo e veprimtarisë së UÇK-së. Ky është një fakt se dëbimet serbe ishin një ushtrim i spastrimit etnik dhe jo pjesë e një operacioni legjitim të sigurisë ose kundër kryengritjes, por ishte në fakt një plan për të spastruar etnikisht Kosovën nga popullsia etnike shqiptare”.
Plaçkitja e shtëpive dhe bizneseve
Raporti thekson se sipas deklaratave të shumta nga viktimat dhe shtypi, forcat serbe ndërmerrnin aksione ushtarake shtëpi për shtëpi duke plaçkitur banorët para se t’u digjnin shtëpitë. Përveç kësaj, viktimave shqiptare forcat serbe ua grabitën të gjitha sendet e tyre personale para se të kalonin kufijtë.
Djegia e përhapur e shtëpive
Departamenti i Shtetit thekson se më shumë se 1200 zona të banuara me shqiptarë, duke përfshirë më tepër se 500 fshatra, u dogjën pas fundit të marsit 1999, ndërsa shtëpitë dhe dyqanet serbe mbetën të paprekura gjatë luftës. Shkatërrimi ishte shumë më i gjerë dhe më i plotë se ajo që ndodhi në verën e vitit 1998. Shumë vendbanime u shkatërruan plotësisht në një përpjekje të dukshme për të siguruar që popullata shqiptare e Kosovës të mos mund të kthehej, si dhe të zbatohej spastrimi etnik. Po ashtu, raporti thekson se forcat serbe “dogjën të gjitha shtëpitë e dhëna më parë me qira të OSBE-së në Vushtrri, Shtime dhe Mitrovicë”.
Përdorimi i mburojave njerëzore
Departamenti i Shtetit lidhur me përdorimin e e popullatës shqiptare si mburojë njerëzore, vë në pah se forcat ushtarake dhe policore serbe i detyruan shqiptarët e Kosovës që të shoqërojnë autokolonat ushtarake serbe dhe objektet e mbrojtjes në të gjithë Kosovën. Civilët u përdorën për të mbrojtur asetet ushtarake, po ashtu njësitë serbe gjithashtu shoqëronin ose grumbullonin shqiptarët e Kosovës gjatë operacioneve ushtarake. Kjo dukuri në këtë raport pasqyrohet me disa raste, sikurse kur forcat serbe përdorën burra shqiptarë të Kosovës, nga mesi i prillit 1999, për të mbrojtur autokolonat ushtarake nga sulmet ajrore të NATO-s. “Forcat serbe i larguan të rinjtë shqiptarë kosovarë nga kolonat e refugjatëve dhe i detyruan të formojnë një zonë tampon rreth autokolonave serbe. Dëshmitarët pohuan se kanë qenë mburojë ushtarake në rrugët ndërmjet Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës”. Po ashtu, në raste të tjera sikurse në Korishë, ushtria dhe policia e Serbisë pozicionuan qëllimisht shqiptarët në vende që ata besonin se ishin objektiva të sulmeve ajrore të NATO-s, brenda zonave të shënjëzuara të NATO-së për të gjeneruar viktima civile për të cilat mund të fajësohej NATO-ja.
Paraburgimet
Paraburgimet gjatë luftës në Kosovës karakterizohen me faktin se forcat policore dhe ushtarake serbe kanë ndarë nga popullsia sistematikisht shqiptarët e moshës ushtarake-duke filluar nga mosha 14 deri në 59 vjeç-ndërsa dëbuan nga shtëpitë e tyre shqiptarët, me qëllim që të spastrohet etnikisht Kosova. Të dhënat e paraqitura në relacionet e Departamentit të Shtetit, në fillim të prillit, marrin shembuj të këtyre krimeve sikurse rasti kur forcat serbe përdorën fabrikën e Ferronikelit në Drenas si qendër ndalimi për një numër të madh të shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu, fabrika e çimentos në Han të Elezit ishte përdorur si qendër paraburgimi për shqiptarët e Kosovës. Sipas Amnesty International, të paktën 2.000 shqiptarë etnikë, mbaheshin në objektet e paraburgimit serb – disa pa akuza formale kundër tyre. OJQ-të kishin dokumentuar se mes të arrestuarve janë gra dhe fëmijë. Nga 21 maji deri në fillim të qershorit, rreth 2.000 burra shqiptarë të Kosovës hynë në Shqipëri pasi u mbajtën nga forcat serbe për tre javë në një burg në Smrekovnicë afër Skenderajt. Gjatë ndalimit të burrave, forcat serbe i detyruan të hapnin llogore dhe shumë prej tyre i dhunuan fizikisht. Pas marrjes në pyetje, të arrestuarit janë ngarkuar në autobusë dhe janë dërguar në Zhur, nga ku janë detyruar të shkojnë në këmbë për në Shqipëri.
Raporti, po ashtu vë në pah se, janë edhe një sërë çështjesh të tjera të të drejtave të njeriut që burojnë nga veprimet kriminale të autoriteteve serbe në Kosovë. Sipas Amnesty International, të paktën 2.000 shqiptarë etnikë, mbaheshin në objektet e paraburgimit serb – disa pa akuza formale kundër tyre. OJQ-të kanë dokumentuar se mes të arrëstuarve janë gra dhe fëmijë.
Ekzekutimet në masë
Departamenti i Shtetit, lidhur me ekzekutimet në masë nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë luftës në Kosovë, thekson se janë identifikuar rreth 500 lokacione në Kosovë ku janë realizuar ekzekutime në masë dhe viktimat janë varrosur në varreza masive. Me këtë rast në raportin e cekur, Vetëm në një shembull, ilustrohet rasti kur “forcat serbe të sigurisë mbyllën një familje të tërë në një shtëpi në zonën e Drenicës dhe i dogjën të gjallë”. Përveç ekzekutimeve në masë, forcat serbe kishin një strategji të zhduknin edhe anëtarët e inteligjencës shqiptare të Kosovës duke përfshirë avokatë, mjekë dhe udhëheqës politikë. Të mbijetuarit raportuan se forcat serbe dogjën trupat e zhvarrosur nga varret masive në një përpjekje të dukshme për të shkatërruar provat mjeko-ligjore të krimeve të luftës.
Zhvarrosja e varrezave masive
Departamenti i Shtetit i kushton një vëmendje të veçantë zhvarrosjes së organizuar të varrezave masive në Kosovë, nga ana e ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Ky veprim makabër, ishte prezent që nga fillimi i luftës, si pjesë e krimit të paramenduar për të minimizuar provat e mizorive ndaj popullatës civile shqiptare. Raporti thekson se në disa raste forcat serbe i rifusnin trupat e shqiptarëve të ekzekutuar në varre individuale, ndërsa në raste të tjera kufomat u dogjën. Lëvizja e trupave nga varret masive në varre individuale kishte për qëllim pengimin e lokalizimit të vendndodhjes së vendeve të ekzekutimit në masë dhe që të pengojë aftësinë e hetuesve mjeko-ligjorë për të bërë dallimin midis varreve “të rregullta” dhe varreve që përmbajnë viktima të masakrës.
Raporti i Departamentit të Shtetit, nënvizon se një nga shembujt më eklatantë është gjithashtu edhe një nga më të dokumentuarit. Në prill të vitit 1999, forcat serbe masakruan civilët shqiptarë të Kosovës në një fushë afër fshatit Izbicë. Pas masakrës, shqiptarët vendës të Kosovës i varrosën viktimat në varre individuale, një ngjarje e filmuar nga një dentist vendës. Departamenti i Shtetit, me këtë rast konfirmoi se vendndodhja e incizimit të videokasetës vërtetohej nga imazhet satelitore. Forcat serbe, gjatë tërheqjes së tyre nga Kosova në fillim të qershorit, shkatërruan varret në Izbicë së bashku me varret e tjera të viktimave të tyre, fakt të cilin Departamenti i Mbrojtjes së ShBA-së e konfirmoi përmes imazheve satelitore dhe fakteve të tjera. Si ilustrim i këtyre veprime të zhvarrosjes së varreve masive, Departamenti i Shtetit, prezanton edhe rastin kur forcat serbe në Lipjan, në fillim të muajit maj 1999, zhvarrosën trupat e shqiptarëve të cilët ishin ekzekutuar më 18 prill 1999. “Pasi i zhvendosën kufomat në një ndërtesë në fshat, forcat ushtarake dhe policore serbe me këtë rast, urdhëruan anëtarët e mbijetuar të familjes që të bëhet rivarrosja e tyre në varre individuale. Në mënyrë të ngjashme, forcat serbe më 15 maj 1999 zhvarrosën trupat e të paktën 50 shqiptarëve në Drenas dhe i transportuan trupat në fshatin e afërt të Çikatovës, ku më pas u varrosën në varre individuale”. Raporti, merr si shembull edhe zhvarrosjen e trupave nga një varr masiv në Kaçanik, në mes të qershorit të vitit 1999, me ç’rast policia serbe i zhvendosi në një varrezë lokale, për t’i zhdukur gjurmët e krimit.
Përdhunimi
Bazuar në raportin e Departamentit të Shtetit, dhunimi i organizuar dhe sistematik i grave shqiptare të Kosovës nga ana e policisë dhe ushtrisë së Serbisë ishte shumë i përhapur gjatë luftës në Kosovë. Në raportimet fillestare të refugjatëve të cilat transmetohen nga ana e Departamentit të Shtetit, theksohen fillimisht dhunimi sistematik i grave nga ana e policisë dhe ushtrisë serbe në Gjakovë dhe Pejë. “Gratë shqiptare u ndanë nga familjet e tyre dhe u dërguan në një kamp ushtarak afër Gjakovës, ku u përdhunuan në mënyrë të përsëritur nga ushtarët serbë. Në Pejë, shqiptarët e Kosovës u deklaruan se forcat serbe mblodhën gra të reja shqiptare nga Kosova dhe i çuan në hotel “Karagaç”, ku u përdhunuan në mënyrë të përsëritur. Komandanti i bazës lokale thuhej se kishte përdorur një listë me emra ushtarësh për t’i lejuar të gjithë trupat e tij një mbrëmje në hotel. Një viktimë që u shpëtoi rrëmbyesve të saj raportoi se forcat serbe përdorën një hotel të dytë në Pejë, “Metohi”, për përdhunimin e grave shqiptare të Kosovës. Përveç këtyre rrëfimeve specifike, shumë shqiptarë të Kosovës kanë pohuar se gjatë bastisjeve serbe në fshatrat e tyre, vajzat e reja u përdhunuan në grup në shtëpi dhe në rrugë anësore.” Raporti, po ashtu, thekson se shumë përdhunime nuk janë deklaruar edhe për shkak të stigmës që është prezente në shoqërinë tradicionale shqiptare të Kosovës. Ndërlidhur me këtë, objektet e shërbimeve mjekësore kanë raportuar për aborte në mesin e grave refugjate, të cilat kanë deklaruar se janë përdhunuar nga forcat serbe.
Shkeljet e neutralitetit mjekësor
Departamenti i Shtetit në relacionet e tij për krimet dhe mizoritë serbe në Kosovë, thekson se forcat serbe sulmuan sistematikisht mjekët, pacientët dhe objektet mjekësore të shqiptarëve të Kosovës. Shkeljet e neutralitetit mjekësor nga ushtria dhe policia serbe përfshinin vrasjet, torturat, ndalimet, burgosjet dhe zhdukjen me forcë të mjekëve shqiptarë të Kosovës. Në mars dhe prill të vitit 1999, ofruesit e kujdesit shëndetësor serbë, policia dhe ushtria dëbuan pacientët shqiptarë të Kosovës dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor nga objektet shëndetësore si pretekst mbrojtës për aktivitete ushtarake. OJQ-ja “Mjekët për të Drejtat e Njeriut” raportonte për shkatërrimin e të paktën 100 klinikave mjekësore, farmacive dhe spitaleve.
Çrrënjosja e identitetit
Në lidhje me çështjen e nëpërkëmbjes së identitetit etnik të shqiptarëve, Departamenti i Shtetit thekson në formë specifike që “forcat ushtarake dhe policore serbe kanë konfiskuar dokumentet e identitetit dhe pronës, duke përfshirë pasaportat, fletat posoduese të tokës, targat e automjeteve, kartat e identitetit dhe forma të tjera të dokumentacionit nga shqiptarët e Kosovës pasi ata ishin dëbuar me forcë nga vendbanimet e tyre, apo kur ata kaluan kufijtë në Shqipëri ose Maqedoni. Mjekët për të Drejtat e Njeriut raportojnë se gati 60 për qind e të anketuarve në ultimatumin e tyre vëzhguan forcat serbe duke marrë ose shkatërruar dokumentet personale të identifikimit. Lidhur me këtë, organizata “Physicians for Human Rights” (Mjekët për të Drejtat e Njeriut) raportoi gjithashtu se qëllimi për të shkatërruar identitetin shoqëror të shqiptarëve të Kosovës u reflektua edhe në numrin e objekteve të kultit, shkollave dhe objekteve mjekësore që u shkatërruan nga ushtria dhe policia e Serbisë.
PROCESI I INTERVISTIMIT TË REFUGJATËVE
Me qëllim të dokumentimit dhe regjistrimit të krimeve makabre serbe ndaj popullatës civile shqiptare të Kosovës, një sërë organizatash joqeveritare, qeveri dhe organizata ndërkombëtare ndërmorën hulumtime dhe intervista sistematike të refugjatëve që si pasojë e spastrimit etnik të orkestruar nga Serbia, ishin sistemuar në kampe të refugjatëve dhe familje mikpritëse në Maqedoni dhe Shqipëri. Në këtë kontekst, do të paraqiten ato dokumentime të cilat kanë qenë me rëndësi për Departamentin e Shtetit amerikan.
Mjekët për të Drejtat e Njeriut
Organizatat “Physicians for Human Rights” (PHR) – (Mjekët për të Drejtat e Njeriut) dhe “Programi mbi Migrimin e Detyrueshëm dhe Shëndetin” të Universitetit Columbia-Shkollës së Shëndetit Publik “Joseph L. Mailman”, hartuan një studim epidemiologjik të orientuar rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e forcave serbe, me qëllim të krijimit të modeleve matricë lidhur me këtë çështje, në mesin e popullatës së refugjatëve të Kosovës. Në vend të përdorimit të rrëfimit të viktimave apo dëshmitarëve të abuzimit, PHR-ja me këtë rast u përpoq të vlerësonte përhapjen e abuzimeve nëpërmjet metodave perkatëse të pranuara ndërkombëtarisht të hulumtimit-anketimit. Përfaqësuesit e këtyre organizatave intervistuan 1. 209 refugjatë të Kosovës në 31 kampe refugjatësh dhe qendra kolektive në Shqipëri dhe Maqedoni, ndërmjet 19 prillit dhe 3 majit 1999. Hulumtimi kishte për qëllim të vlerësoi shkeljet e të drejtave të njeriut në mesin e 11.458 anëtarëve të familjeve, në kohën kur ata jetonin në Kosovë. Rezultatet e këtij vlerësimi u përfshinë në raportin e “Krimet e Luftës në Kosovë”, botuar në gusht të vitit 1999 nga ana e “Mjekëve për të Drejtat e Njeriut”. PHR-ja vë në dukje se gjetjet e studimit të tyre tregojnë se “forcat serbe u angazhuan në një fushatë sistematike dhe brutale për të dëbuar me forcë popullsinë shqiptare etnike të Kosovës. Si pjesë e këtyre dëbimeve masive, si dhe përgjatë vitit 1998, forcat serbe kanë kryer shkelje shumë të përhapura të të drejtave të njeriut kundër shqiptarëve të Kosovës, duke përfshirë: vrasje, rrahje, tortura, sulme seksuale, ndarje dhe zhdukje, të shtëna, plaçkitje dhe shkatërrim të pronave, si dhe shkelje të neutralitetit mjekësor”. Sipas këtij hulumtimi një në tre familje raportuan të paktën një nga këto abuzime, me shumicën e abuzimeve të ndodhura në mars dhe prill të vitit 1999. Në mesin e 598 rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut të raportuara në mesin e respondentëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre, lokacioni ku kanë ndodhur këto abuzime përfshinte 23 nga 29 komunat e Kosovës. Në përgjithësi, frekuenca më e lartë e krimeve ishte vërejtur në komunat me numrin më të madh të popullsisë.
Ky hulumtim, po ashtu, trajtoi edhe shtrirjen dhe natyrën e spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova nga ana e forcave ushtarake dhe policore serbe. Gjetjet e anketës së PHR-së pasqyrojnë qartë se pothuajse të gjithë respodentët (91%) u detyruan, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të largoheshin nga shtëpitë e tyre thjesht me arsyetimin se ishin shqiptarë të Kosovës. Në këtë kuadër, 68% u dëbuan me forcë nga forcat serbe. Më shumë se një e treta e të anketuarve kishin përjetuar dhunën policore ose ushtarake serbe që vinin në shtëpitë e tyre (36%), duke demonstruar në këtë mënyrën shumë të përhapur në të cilën terrori ndërpreu jetën individuale dhe familjare të tyre. Të tjerët u dëbuan me forcë për shkak të bombardimeve serbe (25%). Ndryshe nga raportimet e medieve serbe, asnjë pjesëmarrës i hulumtimit nuk përmendi bombardimet e NATO-së si arsye për zhvendosjen nga shtëpitë e tyre. “Dëshmitë e rasteve individuale treguan se dëbimet nga forcat serbe ishin bërë në mënyrë metodike dhe të pamëshirshme. Ato përfshinin forcat serbe që vinin në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës dhe urdhëronin të gjithë banorët të largoheshin brenda disa orësh nën kërcënimin e vdekjes. Dëbimet e tilla shoqëroheshin me shkatërrimin e shtëpive dhe pronës personale, dhe/ose dëmtim fizik të anëtarëve të familjes”.
Projekt dokumentimi i krimeve të luftës ABA/CEELI
Departamenti i Shteti prezanton, po ashtu, edhe projekte të tjera të dokumentimit të krimeve në Kosovë. Një ndër iniciativat që shpalosen në këtë relacion është edhe projekti i dokumentimit të realizuar nga ana e “American Bar Association’s Centaral (Shoqata e Avokatëve të Amerikës) and East European Law Initiative (Iniciativa Ligjore e Evropës Qendrore dhe Lindore) (ABA/CEELI). Ky projekt filloi në maj të vitit 1999. Qëllimi i projektit ishte dydimensional. Objektivi i parë përfshinte përpjekjet për të hetuar krimet e luftës dhe për të ndjekur penalisht autorët. Për këtë qëllim, ABA/CEELI kreu intervista me refugjatë në Maqedoni, Shqipëri dhe Fort Dix, Nju Xhersi që nga maji deri në korrik të vitit 1999. Objektivi i dytë i projektit ishte të ngrinte ndërgjegjësimin publik për krimet e luftës, ndjekjen penale të tyre dhe rolin e ICTY.
Informacioni i mbledhur gjatë intervistave me refugjatët u fut në një bazë të dhënash kompjuterike të miratuar nga ICTY. Ky projekt i udhëhequr nga ABA/CEELI publikoi një raport në gusht të vitit 1999 mbi përdorimin e kësaj baze të dhënash dhe natyrën e të dhënave të saj. Baza e të dhënave përfshinte 1. 582 deklarata të dëshmitarëve me 4. 328 raste të raportuara në formë diskrete. Krimet e raportuara përfshinin torturën, shkatërrimin e pronës, arrestimet dhe ndalimet, zhvendosjen e detyruar, ngacmimet, sulmet seksuale dhe vrasjet. Ky informacion ka ndihmuar hetuesit e Tribunalit të Hagës për gjetjen e dëshmitarëve, identifikimin e skenave të mundshme të krimit dhe kryerjen e planifikimit strategjik për hetimet e tyre.
Përpjekje të tjera të dokumentimit
Departamenti i Shtetit vë në pah edhe veprimtarinë e organizatës “Medecins sans Frontieres” (Mjekët pa kufij) e cila publikoi një raport më 30 prill të vitit 1945, lidhur me gjendjen e refugjatëve dhe kreu një studim epidemiologjik ndaj një popullsie prej 1 537 personash që kishin mbërritur në kampin e refugjatëve në Rozhajë të Malit të Zi. Hulumtimi mbuloi ngjarjet në më shumë se 50 fshatra në Kosovë ndërmjet 24 marsit dhe 15 prillit 1999. Ky raport nxori përfundimin se shkaku kryesor i lëvizjeve masive të popullsisë në Kosovë ishte deportimi nën kërcënimin e vdekjes. Po ashtu, theksohet se “deportimi u shoqërua me plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë së viktimave; metodat e deportimit të detyrueshëm ishin pothuajse identike në mbarë Kosovën; letrat e identitetit konfiskoheshin dhe asgjësoheshin sistematikisht nga forcat serbe; si dhe ndarja e burrave dhe grave ishte një praktikë e zakonshme gjatë dëbimeve.” Më shumë se gjysma e këtyre të anketuarve, si dëshmitarë okularë përshkruan vrasjet.
***
Relacionet e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, lidhur me spastrimin etnik të popullit shqiptar dhe krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë (1999), janë dokumente me rëndësi për Kosovën dhe janë të bazuara në të dhënat e hulumtimeve mjeko-ligjore të ICTY dhe KFOR-it, dëshmive të refugjatëve, dokumentimin e qeverive, organizatave joqeveritare, shtypin dhe burimet e organizatave ndërkombëtare dhe informata të tjera qeveritare.
Këto raporte zyrtare amerikane përmbajnë të dhëna statistikore për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, katastrofës humanitare, mizoritë dhe krimet e luftës në Kosovë dhe karakterizohen si fakte kredibile e objektive dhe si të tilla janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për historiografinë e Kosovës, meqë hedhin dritë në shqyrtimin e gjenocidit shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.