![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/01/380999330_701183578716834_1834794164981101783_n.jpg)
Artan Nati/
Filozofët politikë, nga Platoni e deri në ditët e sotme, e kanë përshkruar prej kohësh një cikël pothuajse të pashmangshëm të republikave. Ata bien dakort në një fakt se: Republikat degjenerojnë në forma më shtypëse, më pak përfaqësuese të qeverisjes, përpara se të duhet të ribëhen në diçka të re. Ndërsa njerëzit, me kalimin e kohës, bëhen apatikë për të mbikqyrur organizmat drejtuese të shtetit, korrupsioni dhe lakmia e të pasurve dhe të fuqishmëve mbushin boshllëkun. Sot, Shqiptarët ndodhen midis dy rrugëve rrënjësisht të ndryshme: një ideologji populiste që transformon vlerat e vetë vendit dhe një përpjekje për ta refuzuar atë dhe për të çuar Shqipërinë në Europën e vlerave demokratike-liberale. Sado e paprecedentë të ndihet kjo kohë, është një vendim aq i vjetër sa vetë demokracia. Mbi 2000 vjet më parë, Republika mbi modelin e të cilës u modelua Shqipëria u përball me të njëjtën zgjedhje. Edi Rama i kohës së tij, Jul Cezari, premtoi ta kthente Romën në një vend të lavdishëm të imagjinuar, por në vend të kësaj ndërtoi një fron, duke shkatërruar normat demokratike, duke injoruar kontrollet mbi pushtetin e tij dhe duke gërryer debatin politik. Roma zgjodhi të ndiqte Cezarin, duke e vendosur Republikën e famshme në një rrugë drejt shkatërrimit. Vetë Rama padyshim që do të shijonte çdo karakterizim si Cezari shqiptar, por ky krahasim është më i mallkuar nga sa mund të dëshironte ai dhe paraardhësit e tij.
Ashtu si Rama, Jul Cezari ishte tashmë një personazh i famshëm kur morri postin më të lartë në Romë dhe i përbuzur nga pjesa më e madhe e klasës sunduese. Si drejtues, vazhdimisht ngriheshin pyetje për aftësinë e tij për detyrën. Ai nuk ishte një udhëheqës konvencional, ai operoi brenda një grupi krejtësisht të ri rregullash, duke përmbysur procedurat dhe duke e ndryshuar ligjin sa herë që ishte e nevojshme. Rama dhe paraardhësit e tij kanë rikonfiguruar rrënjësisht kufijtë e pranueshmërisë në politikën aktuale të Shqipërisë, duke zbuluar çarje në aftësinë e institucioneve për t’i bërë ballë ushtrimit të autoritarizmit. Duke pasur parasysh mungesën e përhapur të realizmit në politikën shqiptare sot, është e qartë se republika jonë do t’i dukej Makiavelit si një rend i korruptuar, jo sepse të paktët e fuqishëm thyejnë rregullat ose sepse një fraksion përpiqet të minojë integritetin e zgjedhjeve, por sepse njerëzit janë “mashtruar ose janë detyruar të dekretojnë shkatërrimin e tyre”. Ndoshta pjesa më e rëndësishme e urtësisë së Makiavelit për kohën tonë është se republikat priren të bëhen oligarkike, duke u dhënë pak njerëzve të fuqishëm kontroll indirekt mbi qeverinë. A nuk ndodhi shkatërrimi i republikës tonë, pikërisht siç e kishin parashikuar Platoni e Machiaveli?
Pikërisht në 21 prillit 2008, oligarkia e vendit nëpërmjet dy kryetarëve të partive të mëdha, bënë një pazar privat për ndryshimin e Kushtetutës, duke vendosur sundimin personal në qeveri, parlament e parti si dhe në gjithë jetën politike dhe ekonomike të vendit. Drejtuesit kryesorë politik, si armiq në publik, por bashkëpunëtorë të maskuar në shumë amnisti krimesh dhe aferash korruptive të njëri-tjetrit, nëpërmjet një parlamenti kukull, caktuan me kushtetutë, që deputetët, nuk duhet t’i zgjedhë populli, por vetëm kryetarët e partive. Ky akt shënoi fillimin e fundit të demokracisë në Shqipëri, ashtu si Çezari i Romës i dha fund Republikës Romake dhe u shndërrua në perandor, edhe oligarkët tanë i hapën rrugën korrupsionit masiv, shkatërrimin e drejtësisë si edhe praktikisht eleminoi republikën e parë demokratike dhe fillimin e autokracisë. Nëse një shtet dëshiron të përjetësojë sundimin e një sunduesi ose ideologjinë e tij, ai thjesht mund të shtypë qytetarët e tij. Kjo metodë u përshtatet diktaturave të tipit komunist. Megjithatë, shtetet që veshin një rimeso të demokracisë janë më të zgjuara: ata abuzojnë me sistemin e tyre ligjor për të shtypur qytetarët në një mënyrë ‘ligjore’.
Ligji në Shqipëri është armatosur nga shteti si mjeti më efektiv i persekutimit të të gjithë atyre që janë kundër. Tani jemi në një situatë paradoksale ku dhunohen vlerat kushtetuese të shpallura nga shteti në emër të zbatimit të ligjit. Shteti shqiptar dhe agjencitë e tij të zbatimit të ligjit frikësojnë qytetarët dhe bizneset në emër të ligjit dhe kjo është tragjedia e vërtetë e demokracisë sonë.
Krijimi i një republike të re zakonisht nxitet nga faktorë të rëndësishëm politikë, socialë ose kushtetues. Kushtet e zakonshme që mund të çojnë në krijimin e një republike të re përfshijnë paqëndrueshmërinë e gjerë politike, krizat kushtetuese, pakënaqësinë publike me sistemin ekzistues ose nevojën për një qeveri më efektive dhe më stabile. Duket sikur Shqipëria i ka tejkaluar këto kushte dhe 33 vjet pas rrezimit te diktatures komuniste dhe fillimit te nje procesi quasi demokratik apo tranzicioni, është radha e një gjenerate tjetër për të marrë drejtimin. Dhe ka një ndjenjë të thellë keqardhjeje, mosbesimi politik dhe dëshirë të sinqertë për të bërë një fillim të ri tek të rinjtë. Nuk është rastësi që kohët e fundit kanë dalë disa parti dhe lëvizje të reja politike të drejtuara nga brezi iri që nuk ka lidhje direkte me ish- diktaturën. Shumë prej aktivistëve pretendojnë se Shqiperia ka nevojë për një sistem të ri politik pas 45 viteve të diktaturës komuniste dhe 34 viteve të tranzicionit. Një klase politike e cila kohët e fundit ka humbur shumë nga popullariteti dhe besueshmëria e saj për shkak të disa skandaleve korruptive si edhe degjenerit te shtetit demokratik por edhe mungeses totale te demokracise se brendshme te partive politike.
Shqiperia ndodhet në një moment kyc historik ku formimi i republikës së dytë është domosdoshmëri historike imperative. Ndryshimi I kushtetutës sidomos i nenit 68 si dhe sanksionimi me ligj i pavarësisëë së pushteteve dhe pastëërtisë së figurave. Hapi i parë është bërë me krijimin e SPAK dhe rezultatet janë te dukshme dhe frika e burgut ka rritur përgjegjshmërinë e zyrtarëve shtetërore. A do të kemi një republikë me një lider të fortë dhe klasë sunduese që i jep përparësi ruajtjes së shtetit, edhe nëse kjo nënkupton përdorimin e taktikave të pamëshirshme dhe dinake, apo një republikë demokratike liberale që respektonon të drejtat dhe liritë e individit si edhe sundimin e ligjit dhe jo të oligarkëve?