“Njeriu i ri socialit” që ndërtoi sistemi i përmbysur është pikërisht ai që sot është shndërruar në pushtetar, biznesmen i madh, trafikant droge, femrash, fëmijësh e të tjera. Në Shqipëri sot kërkohet të ndërtohet sistemi kapitalist me mentalitetitn komunist që nuk është shkulur nga ndërgjegja e qytetarëve megjithëse kanë kaluar 25 vjet. Kripa/
–Z.Kripa si e keni përjetuar fëmijërinë tuaj dhe më konkretisht cilët janë prindërit e tu?
Reshat Kripa: Kam lindur më 28 janar 1936 në qytetin e Vlorës. Rrjedh nga një familje intelektuale qytetare. Im atë, Qazim Kripa, kishte kryer studimet në “Robert College” në Stamboll. U kthye në atdhe në prag të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 1912. Iu kushtua tregëtisë, fillimisht me një kafene dhe më pas, me ngritjen e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit dhe tregëtimin e tij. Nëna, Mynevere Kripa, ishte e bija e një avokati të njohur në qytet, Mehmet Radhimës, drejtor dogane në qeverinë e Ismail Qemalit. Nga martesa lindën shtatë fëmijë, katër vajza, Liria, Qamileja, Drita, Fatushja dhe më prapa tre djem, Agimi, Besniku dhe më i vogli unë.
Duke filluar nga viti 1942 familja jonë u shpërngul në Tiranë ku im atë vazhdonte tregëtinë e vajit të ullirit. Ne djemtë ishim ende të vegjël, kurse dy motrat, Drita dhe Fatushja, nxënëse të shkollës pedagogjike “Nana Mbretëreshë” që në atë kohë quhej “Nana Skënderbej”, ishin të lidhura fshehtas me grupet guerile që shpërndanin trakte në qytet. Në vitin 1946, pas shtetëzimit të fabrikës së vajit, çuditërisht për arsye që edhe sot nuk arrij t’i kuptojë, me vendim të Ministrisë së Brendëshme, na dëbojnë nga Tirana për në qytetin tonë për motive politike, ku fillojmë të trajtohemi si armiq të popullit. Në këto kushte im vëlla, Besniku, në vitin 1950, krijuan një grup të fshehtë së bashku me dy shokë të tij, Alajdin Alemin dhe Lavdosh Beqon dhe shpërndanin trakte në gjimnazin e qytetit. Arrestohen dhe dënohen me nga 15 vjet burg. Lirohet në dhjetor 1961 pas gati 12 vjet burg. Në këto kushte në shpirtin tim lindi një revoltë kundër pushtetit që sundonte vendin. Isha vetëm 15 vjeç, në vitin e parë të gjimnazit. Së bashku me dy shokë të klasës, Myrteza Baboçin dhe Jorgo Beshon, në vitin 1951 krijuam një grup të fshehtë që shpërndante trakte në qytet. Pas katër muajsh aktivitet arrestohemi. Akuza ishte ajo e zakonshmja: Agjitacion dhe propagandë.
Ju jeni arrestuar në moshën e adoleshencës, një rast i paprecedent, një rast që përbën krim më vete për ata që u hodhën prangat, cilat janë disa nga momentet e arrestimit, motivi i dënimit dhe cili ishte personi që u lidhi duart?
24 maj 1951. Kisha shkuar së bashku me Jorgon dhe Myrtezanë tek agjensia e udhëtarëve për të pritur hallën që do të vinte nga Tirana. Për arsye që nuk munda t’i marrë vesh kurrë ajo nuk erdhi. Kishte filluar të errësohej. Vendosëm të ngjisnim traktin që e kishim bërë gati në dy kopje. Njerin e ngjitëm ndërsa tjetrin e futa në xhepin e këmishës. Në të shkruhej:
Për Liri, për Shqipëri për Flamurin Kuq e Zi!,
Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë; Ata vrasin më të mirët nga ne, për të na kallur frikën, për të na vënë në gjumë, por ne nuk ju përulemi këtyre! Më mirë vdekjen në luftë se sa jetën në skllavëri!
Atdheu është në rrezik. Traktet e “ATDHETARIT” do t’ju tregojnë të vërtetën, sado e hidhur që të jetë, për Shqipërinë tonë. E vërteta do të triumfojë!
“ATDHETARI”
Ora po afronte dhjetë e mbrëmjes. Ishim e gjithë familja në dhomë. U dëgjua një trokitje e fortë në portë. Agimi u ngrit dhe e hapi. Hynë dy oficera, një civil dhe disa policë. Njerin nga oficerët e njihja. Ishte marshall Demir Zhupa, hetuesi i sigurimit për shkollën tonë. Njihja edhe civilin. Ishte Dhimitri, një banor i lagjes tonë i cili na kishte parë kur ngjitëm traktin.
– Ky është, – tha ai duke më treguar me gisht.
Oficerët panë njeri-tjetrin me dyshim. Pastaj Demiri foli duke u drejtuar nga unë:
– Ngreu, në emër të popullit jeni i arrestuar
Më hodhën prangat.! Në xhepin e këmishës kisha traktin e dytë që nuk kishim mundur ta ngjisnim. U mundova ta nxirrja dhe ta hidhja gjëkundi, por nuk munda. Syt e të gjithve ishin drejtuar nga unë. Kontrolluan gjithandej dhe si nuk gjetën gjë morën fletoren time të hartimit. U nisëm. Shkuam edhe në shtëpitë e Jorgos dhe Myrtezait ku u bë edhe arrestimi i tyre.
Në Degën e Punëve të Brendëshme më futën në zyrën e Zv/kryetarit të degës, Fadil Kapisyzi, Pas meje hyri edhe Demiri. Zv/kryetari nxorri një tufë traktesh dhe m’i vuri para syve duke thënë:
– Ti i ke shkruar këto?
– Jo.
U ngrit nga tavolina, u afrua përballë meje dhe, duke më shkulur fort veshin, tha:
– Dëgjo, djalë! Po deshe, mos merr veten më qafë.
Tunda kokën në shenjë mohimi dhe thashë:
– Nuk kam shkruar gjë.
Një breshëri pëllëmbash flakërinë në fytyrën time. Goditja ishte e papritur. Pastaj filluan goditje të tjera. Në to nuk merrte pjesë vetëm kryetari. Atë e ndihmonte edhe ndërhyrja e Demirit. Ndieja që po më linin fuqitë. Nuk qëndroja dot më këmbë. Një grusht i fortë më qëlloi në fytyrë. U rrëzova për tokë. Filloi të më rridhte gjak nga hundët. Mendja më shkoi te trakti që mbaja në xhepin e këmishës. Instiktivisht dora më shkoi atje. Syrit të sprovuar të zv/kryetarit nuk i shpëtoi një veprim i tillë. Eksperienca e gjatë e tij në këtë drejtim triumfoi mbi injorancën time fëminore. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ai ishte një burrë i pjekur, ndërsa unë një fëmi. U afrua. Më futi dorën në xhep dhe nxorri traktin. Buzëqeshi si trumfator dhe pasi e lexoi tha:
– E more karafil, do të vazhdosh të heshtësh më?
E pashë se nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të pranoja duke i marrë të gjitha mbi vete.Demiri thirri dy policë. Ata erdhën, më ngritën në këmbë dhe ashtu, pothuajse duke më hequr zvarrë, më morën dhe më mbyllën në qelinë që ndodhej nën rampën e shkallëve që të shpinte në bodrum ku ishte vargu i qelive. Në dy qeli të tjera mbyllën shokët e mi.
Mund të na flisni për periudhën që ndejtët ne birucat e sigurimit të shtetit?
Në birucat e sigurimit të shtetit qëndruam gjashtë muaj dhe njëzet ditë. Qelia ku më mbyllën kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte me të madhe kur i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike. Tetar Vlashi nuk ishte si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Kështu që me mua sillej mirë..
Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut. Kishte krijuar bindjen se duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arrita kurrë të kuptojë se për ç’arësye dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut, Shefqet Xhikun. Më torturonte për të më detyruar të pranoja se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Nuk kisha si të pranoja. Isha i detyruar të duroja torturat.
Një natë po flija në qelinë time. Ndjeva një goditje të fortë në këmbë. U ngrita i tronditur. Para meje qëndronte kapter Myfiti, i cili më shpuri në zyrën e Demirit. Pyetja e parë që më bëri ai ishte:
– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?
E vështrova i habitur. E ku i kishin mbetur florinj tim eti pas gjithë atyre peripecive që kishim hequr. Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.
– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.
Më lidhi duart me hekura dhe m’i shtrëngoi fort. Më shtriu në tokë dhe filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi kishte. Shikoja krahët e tij që hapeshin me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë
– Hë, fol, ku janë florinjtë?
Dhimbjet ishin të tmerrshme. Nga hundët filloi të më rridhte gjak. Kjo gjendje vazhdoi për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeva dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.
Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi gjatë dhe në fund më pyeti:
– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?
Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha.Vendosa t’i thoja të vërtetën:
– Jo.
Përgjigja i erdhi e papritur. Më vështroi me inat dhe pastaj më tha;
– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.
Më vuri para letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:
Deklaratë
Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e kryera kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit e jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.
Këtë deklaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.
Deklaron i burgosuri
Reshat Kripa
Vlorë më 11-VIII-1951
Demiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.
Pas gjashtë muajsh e njëzet ditë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit. Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halo Çanaj nga Dukati, Ymer Rakipi nga Gjormi, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.
Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe anëtarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi, prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë pretencë, midis të tjerave thuhet:
“Të tre të pandehurit bashkarisht, në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.\
Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza Baboçi.
Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.
Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.
– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë
Të njëjtën përgjigje thanë edhe shokët e mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë. Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhej:Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin.
U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari”
Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjen e fletushkave me përmbajtje antipushtet.
Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.
Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:
Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.
Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.
Cila ishte jeta në burg, çfarë mbani mend, kishit mundësi të shprehnit me njeri-tjetrin fshehtas mendimet tuaja? Cilët kanë qenë dhunuesit tuaj dhe të shokëve në burg?
Më 12 Dhjetor 1951 u transferuam në burgun e Vlorës. Burgu ishte një godinë e vjetër dy katëshe, që kishte shërbyer si i tillë me kohë. Majtas, ishte dhoma numër një ose infermieria ku shërbente mjeku i njohur Jani Melo, një i dënuar politik edhe ky. Djathtas ishte dhoma numër dy, ku vendoseshin përkohësisht të burgosurit e rinj. Pas saj ishte dhoma numër tre ose dhoma e të dënuarve me vdekje. Ata i mbanin të lidhur . I nxirrnin një herë në ditë, në orën 8.oo një nga një për të kryer nevojat personale.
Poshtë shkallëve ishte qelia e ndëshkimit. Nëpërmjet një porte dilje në oborr ku ishin katër dhoma të tjera. Ngjitur me dhomën numër pesë ishte një dhomë e vogël pa numër, gati si birucë, ku qëndronte përfaqësuesi më i njohur i vllehëve sarakaçanë të Korçës, Ndini Janua. Ishte dënuar me burgim të përjetshëm të rëndë. Atë e nxirrnin vetëm një herë në ditë, sa për nevojat personale. Ishte i çalë dhe mezi ecte. Rojet silleshin shumë ashpër me të. Vdiq në burg pas disa vitesh.
Fillimisht na vendosën në dhomën numër dy. Pas tre ditësh na shpërndanë në dhomat e tjera. Mua më vendosën në dhomën numër pesë. Atje gjeta Alajdinin, shokun e Besnikut. Kjo më gëzoi. Të paktën kisha një njeri të njohur. Ishim dymbëdhjetë persona në atë dhomë me dimensione 4 X 4 metra. Secilit nga ne i takonte 60 centimetra vënd. Dy orë në ditë në mëngjes dilnim në obor. Gjatë kësaj kohe duhej të kryenim nevojat personale, të laheshim, të takonim shokët e dhomave të tjera dhe të shëtisnim duke i ardhur oborrit rrotull. Kjo ishte ritmika e ditës.
Në burg ndodhej edhe një italian, inxhinier Terrasini. Kur na pa aq të vegjël, iu drejtua Vendigjar Hamzarajt:
– Ju shqiptarët keni një fjalë të urtë që thotë se burgu ështe për burrat. Komunistët e kthyen edhe në burg për fëmijë. Nuk merret vesh se kush është burrë dhe kush fëmijë. Burgu ndryshonte shumë nga gjendja në sigurim. Por edhe atje kishte oficerë xhahilë që e rëndonin gjendjen e të burgosurve. I tillë ishte toger Nauni. Megallomania dhe arroganca e tij ishin të padurueshme. Kënaqësia e tij ishte të torturonte ata që dënoheshin me izolim në qelinë e ndëshkimit.
Një natë ndieva një dhimbje të fortë në fund të barkut, në krahun e djathtë. Dhimbja ishte e padurueshme. Alajdini trokiti me forcë në portë. Erdhi roja i brendshëm.
– Duam mjekun se kemi një njeri të sëmurë. – i tha Dinua.
Roja u largua dhe pas pak u kthye së bashku me doktor Melon dhe toger Naunin. Doktori më vizitoi dhe konstatoi se ishte apandesit akut. Duhej ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale, përndryshe rrezikohej jeta. I kërkoi toger Naunit të më shpinin në spital. Por ai me një indiferentizëm të theksuar tha:
– As mos e shkoni ndër mend. Natën nuk e lejon rregullorja lëvizjen e te dënuarve.
Doktori më shtroi në infermierinë e burgut dhe filloi të më bënte kompresa me ujë të ftohtë në vendin e dhimbjes. Për fatin tim, pas disa orësh dhimbja pushoi. Megjithatë, doktori më mbajti në infermieri për disa ditë që të merrja veten mirë.
E njejta gjendje ishte edhe në kampet e punës së detyruar. Dua t’ju tregoj se sa mizor ishin operativët e sigurimit që ishin në këto kampe. Një i tillë ishte toger Ademi që nuk m’u nda gjatë të gjithë kohës së burgut. Ja tre ndodhira të këtij katili:
Atë mëngjes Sulejman Dizdari u gdhi me temperaturë. U vizitua te doktor Isufi. Temperaturën e kishte tridhjetenëntë gradë Celsius. Ai dha urdhër ta shtronin në infermieri. Aty pranë ndodhej toger Ademi, që një ditë më parë kishte bërë fjalë me Sulejmanin. Kur mori vesh përse bëhej fjalë, ndërhyri dhe nuk e lejoi.
Sulejmani i shkretë u detyrua të nisej në punë. Ecte duke iu marrë këmbët. Kur mbërritëm te kanali, nuk kishte më fuqi. Si duket temperatura duhej t’i ishte ngritur shumë. I propozuam rojes së brendëshme që ta linim të pushonte buzë kanalit deri në mbrëmje. Do ishim ne të tjerët që do të realizonin edhe normën e tij. Ai pranoi.
Afroi dreka. Ishte verë. Dielli të digjte. Mbërriti toger Ademi. Pa që Sulejmani po rrinte shtrirë dhe urdhëroi që të ngrihej. Ai u ngrit, mori karron e dorës dhe e shtyu me mundim. Kur mbërriti te vëndi ku shkarkoheshin, fuqitë iu prenë dhe ra në pirgun me dhe. Karrot e tjera që vinin nga prapa, ndaluan.
– Çfarë prisni, shkarkojini! – urdhëroi togeri
Asnjë nuk lëvizi. Allaman Hysa, miku i Sulejmanit, doli para dhe tha:
– Ai ashtë vëllau ynë. Ne nuk e mbulojmë.
Togeri u xhindos. Dha urdhër të lidhin Allamanin dhe urdhëroi një grup të dënuarish ordinerë që ta mbulonin. Dëgjoheshin rënkimet e tij të mbytura. Kjo punë vazhdoi deri në mbrëmje. Zbuluar i mbeti vetëm koka. Kur do të ktheheshim në kamp, shokët nxorrën trupin e tij nga dheu dhe e çuan në krah. Ishte mrekullia e doktor Isufit dhe fati i tij, që e solli përsëri në jetë.
Ishim në kampin e Bulqizës. Toger Ademi ishte emëruar operativ i sigurimit në atë kamp. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishim kthyer nga puna të raskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanim shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita i tha me egërsi:
– Përse nuk e realizove normën?
– Isha i sëmurë zoti toger! – u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.
Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me kamzhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.
Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanonit tonë. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.
Ishte shtatori i vitit 1955, tridhjetepesëvjetori i Luftë së Vlorës. Me nismën e doktor Isufit organizuam një pasdite letrare me poezi të një poeti vlonjat, Kudret Kokoshit, edhe ai i burgosur politikë në burgun e Burrelit. Secilit prej të rinjve të kampit i ishte dhënë për te recituar nga një poezi të tij me teme patriotike. Unë kisha pezinë “Një ditë vjeshte” që i kushtohej pikërisht kësaj lufte. Në kohën e recitimit ia behu toger Ademi që kur mori vesh përse bëhej fjalë urdhëroi mbylljen time dhe disa të rinjve të yjerë në birucë dhe na dënuan që për gjashtë muaj të mos kishim takim me familjen.
A mund të më përshkruani ju lutem vetëm një ditë burgu, si fillonte dhe si mbaronte dita e punës?
Grafiku i ditës së punës ishte po ai i zakonshmi. Zgjimi bëhej në orën 5.00 të mëngjesit. Më 5.30 ishte ngrënia e mëngjesit, një lugë supë me fasule ku kokrat e fasules ishin tepër të rralla. Më 6.00 nisja për në vendin e punës që, ngandonjëherë zgjaste gati një orë rrugë larg. Në orën 7.00 fillonte puna që mbaronte në orën 15.00. Në orën 16.00 ngrënia e drekës, edhe kjo një lugë supë me oriz ose makarona. Në orën 19.00 darka, një gotë çaj pothuajse pa sheqer. Në orën 20.00 fjetja.
Cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve, pse është zvarritur kaq shumë nga të gjitha qeveritë dhe nëse ndodh hapja e dosjeve mund të ketë luftë civile, siç pretendohet, veçanërisht nga politikanët tanë.
–Procesi i hapjes së dosjeve është përdorur nga qeveritë shqiptare si një masë mbrojtëse për krimet që funksionarë të qeverive, parlamentit dhe drejtësisë mund të kenë kryer në kohën e komunizmit. Ata e kanë përdorur këtë kartë për të detyruar një pjesë të të përndjekurve politikë ose jo, që ata i kishin ngritur në poste të rëndësishme, por që dikur kishin bashkëpunuar me ish-sigurimin e shtetit, të shkonin sipas avazit që ata donin. Janë bërë disa herë të ashtuquajtur ligje për hapjen e dosjeve, por asnjeri nuk e zgjidhte çështjen në themel. I pari u bë në vitin 1995 nga qeveria demokratike. Megjithësë shumë i mangët ai u hodh poshtë kur pushtetin e morën socialistët në vitin 1997. I dyti kur në pushtet ishte përsëri qeveria demokratike, edhe ky i mangët. Ky ligj u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë nga ish-gjykatës të periudhës komuniste si Fehmi Abdiu me shokë, pasi prekeshin vetë ata nga ky ligj. I treti ka disa muaj që është miratuar nga parlamenti me shumicë socialiste por që përjashton lustracionin. Me pak fjalë askush nuk hiqet nga detyra edhe nëse rezulton si i prekur nga ky ligj. Për më tepër, megjithëse kanë kaluar disa muaj, ende nuk janë miratuar anëtarët e komisionit të shqyrtimit të dosjeve që janë propozuar nga organet e caktuara në ligj. Me këtë ritëm qeveritarët duan të kalojnë edhe disa vite, në mënyrë që kur të miratohet një ligj i drejtë, nëse do të miratohet ndonjëherë, atëherë nuk ka se kush të ndëshkohet pasi në atë kohë asnjeri prej tyre nuk do jetë më gjallë ose nuk do të jetë më në detyrat e larta. Pretendimi për gjoja luftë civile është alibia me të cilën pushtetarët kërkojnë të justifikohen.
Keni pasur mundësinë të shikoni dosjen tuaj dhe nëse po çfarë është shkruar konkretisht, akuzat, emrat e hetuesve, të dëshmitarëve etj.
–Po e kam marrë në Arshivën e Ministrisë së Brendëshme në kohën kur drejtor ishte i nderuari Kastriot Dervishi. Në të përfshihet e gjithë periudha në sigurimin e shtetit për të tre ne të arrestuarit, pyetjet e hetuesve dhe përgjigjet tona, pretenca e prokurorit, mbrojtja e avokatëve, vendimet e gjykatës ushtarake të Durrësit dhe asaj të lartë. Ndodhen pothuajse të gjitha traktet që ne kishim ngjitur mureve në qytet., madje edhe deklarata ime. Dëshmitarë ne nuk kishim pasi u zbuluam në flagrancë. Akuza ishte agjitacion dhe propagandë. Ishte edhe emri i hetuesit Demir Zhupa.
-Ju kanë ofruar partitë politike, kur kanë marrë pozitën në parlament, ndonjë vend në qeveri si ish i përndjekur politikë
-Në periudhën 1992-1997 kam qenë i emëruar Drejtor i Zyrës së Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Përndjekurve Politikë të rrethit të Vlorës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 kam qenë në listën shumë emërore të Partisë Demokratike me numrin 42 por nuk arrita të bëhem deputet i saj. Në periudhën 2001-2002 kam qenë Drejtor i Departamentit të Përndjekurve Politikë pranë Partisë demokratike në Tiranë.
Sot mjerisht politikanët, kriminelët abuzuesit, servilët, gazetarët vazhdojnë të akuzojnë njeri-tjetrin në format më të errëta dhe të pacipa, shpesh vetëm për interesa të tyre meskine, për karrierë dhe për të rritur emrin e tyre pa punë, pa kulturë, pa fakte. Cili është opinioni juaj për këtë rrëmujë që po ndodh në Shqipëri dhe midis shqiptarëve?
–Për mendimin tim të gjitha këto që thoni ju vijnë nga koha e gjatë që vendi kaloi nën sundimin komunist. “Njeriu i ri socialit” që ndërtoi sistemi i përmbysur është pikërisht ai që sot është shndërruar në pushtetar, biznesmen i madh, trafikant droge, femrash, fëmijësh e të tjera. Në Shqipëri sot kërkohet të ndërtohet sistemi kapitalist me mentalitetitn komunist që nuk është shkulur nga ndërgjegja e qytetarëve megjithëse kanë kaluar 25 vjet.
Vendin e demokracisë së vërtetë e kanë zënë pazaret politike ndërmjet partive dhe individëve të ndryshëm. Vihet re një trafikim politikanësh. Ministra të së djathtës kalojnë në ministra të së majtës dhe e kundërta. Deputetë të së djathtës kalojnë në deputetë të së majtës dhe anasjelltas. Njësoj si në të kaluarën hymnizimi i drejtuesve idhuj ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Ndryshimi është se ndërsa në të kaluarën hymnizohej vetën një idhull, tani ata janë të shumtë. Ndahen sipas bindjeve politike. Me përjashtim të një pakice të papërfillshme, gati të gjithë, të djathtë dhe të majtë, çirren dhe përgjërohen për një Shqipëri të re. Secili krah ka përfaqësuesit e vetë. Këta “shakaxhinj të përparimit”, siç do ti quante Noli, kanë zaptuar të gjitha ekranet e televizioneve dhe faqeve te shtypit të shkruar duke dhënë leksione për demokracinë. Shumica e tyre u përkasin atyre që e kishin shkelur me të dy këmbët atë në kohën e diktaturës. Kësaj katrahure i mbajnë ison një mori gazetash që e quajnë veten të pavarur, por që në të vërtetë u shërbejnë padronëve të tyre djathtas dhe majatas.
Si funksionon shoqata e të përndjekurve politikë në Shqipëri ngase keni qenë për një kohë të gjatë kryetar i saj dhe cilat janë problemet që hasin të përndjekurit politikë në Shqipëri?
Përgjigje: Shoqata e të përndjekurve politikë të Shqipërisë u themelua më 28 prill 1991. Kryetar i saj u zgjodh një figurë e shquar e të përndjekurve politikë siç ishte i nderuari Osman Kazazi. Më 14 maj 1991 u themelua Dega e Vlorës e kësaj shoqate ku kryetar ishte intelektuali i njohur Hysni Alimerko ndërsa sekretar u zgjodha unë. Në kuvendin e dytë të shoqatës, më 1993, kryetar u zgjodh zoti Kurt Kola, ndërsa unë nënkryetar. Kurt Kola me ekstremizmin e tij bëri që shumë shpejt shoqata të ndahej në dy rryma. Rryma e shkëputur në vitin 1955 krijoi Shoqatën Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë me kryetar të nderuarin Gjon Shllaku dhe sekretar nje figurë tjetër të nderuar, Leka Dostin. Në këtë shoqatë unë u zgjodha anëtar i kryesisë. Shoqata e jonë është e vetmja shoqatë që ka në statutin e saj që kryetari nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë dhe e ka zbatuar këtë me rigorozitet. Kështu në kuvendin e dytë, pas dorëheqjes së zotit Shllaku, u zgjodh zoti Tomor Aliko, që e mbajti këtë detyrë edhe në kuvendin e tretë më 2000. Në kuvendin e katërt, në vitin 2003 kryetar doli zoti Afrim Haçi, në kuvendin e pestë, në vitin 2006, zoti Skënder Qëndro dhe në kuvendi e gjashtë, zoti Simon Mirakaj. Qysh prej vitit 2006 unë jam kryetar i degës së Tiranës. Shoqata organin e saj më të lartë ka Këshillin Kombëtar të zgjedhur në çdo kuvend si edhe Kryesinë Kombëtare. Në gjithë vendin ka 36 degë nëpër bashkitë. Kjo është historia e shoqatës tonë.
Qëllimi i krijimit të shoqatës tonë ka qenë rehabilitimi i plotë i kësaj shtrese në jetën politike dhe shoqërore të vendit dhe, për të thënë të vërtetën në vitet e para pas përmbysjes së sistemit totalitar kemi arritur të bëjmë disa gjëra si arsimimin, punësimin, strehimin e të tjera. U miratua ligji mbi statusin e të përndjekurve politikë, u arsimuan pothuajse pjesa më e madhe e të përndjekurve. U punësuan gjithashtu një pjesë e madhe, madje disa edhe në detyra shumë të larta. U miratua ligji mbi strehimin e tyre falas e të tjera. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Ishte viti 1997 që i përmbysi të tëra. Madje në këtë vit të zi kryesisht u vramë ne. Përmend këtu Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Gëzim Shabanin, Besim Manoilin, Adem Shehun, Skënder Kalenjën e të tjerë.
Pas kësaj periudhe, për të thënë të vërtetën, çdo gjë ndryshoi. Menduam se me rrëzimin e monumentit te diktatorit kishim fituar lirinë, por u gabuam. Ne kishim rrëzuar vetëm skeletin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e tij e kishim lënë të lirë të endej nëpër shqipëri dhe të pergatiste masakra të tjera. Në periudhën e qeverisjes socialiste filloi përsëri ndjekja e të përndjekurve politikë duke i pushuar nga puna dhe duke ua hequr edhe ato të drejta që u ishin dhënë nga qeveria demokratike. Por edhe kur në pushtet u kthye përsëri qeveria demokratike nuk shikoheshim më si gjatë periudhës 1992-1997. Për këtë po tregoj rastet e mëposhtme:
Në muajin mars 2010 në mediat elektronike prestigjioze u dha lajmi i mëposhtëm:
Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë, një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj krimet e komunizmit punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar dhe kjo njëzet vjet pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin.
Në Shqipëri ky lajm nuk u publikua në asnjë media vizive apo të shkruar. Përse?
-Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit.Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Megjithatë ajo mungoi. Ministër i jashtëm ishte Ilir Meta. Edhe ky lajm nuk u publikua në mediat shqiptare. Përse?
Lidhur me sa më sipër ne na lindin disa pyetje:
- Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit,qeverisë, partive politike, shoqatave te përndjekurve, akademikve, historianëve si dhe eksperëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët?
- Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike?
- Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi, dhe ekzekutuesi i sistemit më diktatorial të Europës Lindore?
- Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që shënojnë instalimin diktaturës komuniste?
- Kur do të hapen dosjet e ish bashkëpuntorëvë të sigurimit të shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara?
- Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e rregjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?
- Kur do të bëhet rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë? Kur do të hapen muzeumet, kthehen në muze burgjet e tmerrshëm, ngrihen memorialet në nderim të shqiptarëve që u vranë nga rregjimi totalitar?
Të gjitha këto kërkesa janë pjesë të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2006, rezolutë që deri më sot ka mbetur vetëm në letër. Atëhere çfarë pritet që të zbatohet? Mungesa e vullnetit të fircave politike
Ka vite që Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vendimin e ngritjes së memorialit të viktimave të komunizmit por deri më sot nuk është bërë asgjë. Gjitashtu asgjë nuk është bërë edhe për kthimin në muze të kampit famëkeq të Spaçit. Nuk ka të paktën një pllakë përkujtimore në vendet ku është ushtruar terrori i egër komunmist, si burgu i Burrelit, kampet e Vloçishtit, Bedenit, Qafës së Barit, Gradishtës e të tjera. Kjo gjë tregon vullnetin e forcave politike në Shqipëri që duan të na përdorin si numër votash në raste fushatash elektorale.
Pikërisht kiundër kësaj mendësie ka luftuar dhe lufton shoqata e jonë me ato mjete që ka.
Ka edhe nga klasa juaj që i mbështesin mjaft politikanë sahan lëpirës edhe pse janë me proçedurë penale, ndërkohë në vend që të sjellin emrat e persekutorëve, dëshmitarëve, akuzuesve të tyre që i futën në burg apo internuan, merren me kundërshtarët e tyre nëpër shkrime të ndryshme duke i akuzuar si kriminelë, tradhëtarë, vrasës pa fakte, pa dokumenta, pa i njohur kurrë, me një fjalë bëjnë të njejtën gjë siç i dënoi diktatura me shpifje, inate, diskriminime.
Cili është opinioni juaj?
Keni plotësisht të drejtë. Ky është një fenomen që vihet re në të gjithë të djathtën shqiptare. Për mendimin tim këto janë pasoja të të ashtuquajturit “Njeriu i ri socialist” që kam përmendur më sipër. Si rezultat i periudhës së gjatë të diktaturës totalitare, mentaliteti komunist nuk është rrënjosur vetëm në shtresën komuniste, por edhe në pjesën tjetër të popullsisë shqiptare dhe si pasojë edhe në një pjesë të të përndjekurve politikë. Përveç këtij mentaliteti ka edhe shkaqe të tjera. Një nga këto është se një pjesë e të përndjelurve politikë nuk mundën t’i rezistojnë presionit të sigurimit të shtetit duke u shndërruar në bashkëpunëtorë të tij dhe ky fakt i bënë ata që sot të mos kenë guxim të dalin kundër tyre. Përveç kësaj është fakt që jo të gjithë të përndjekurit politikë janë të tillë. Me përjashtim të viteve të para të sundimit komunist, në burg u futën jo vetëm për aktivitet politik. Një pjesë e tyre u dënuan pasi kishin kryer një krim ordiner, si vjedhje, përdhunime e të tjera dhe për t’i dënuar më shumë u shtonin dhe një akuzë politike si për shembull agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisje. Së fundi, për mendimin tim, është edhe një gen i keq që jeton brenda çdo shqiptari që bëhet xheloz kur dikush lartësohet para tij ose edhe pse të përndjekurit nuk ishin të një bindje politike dhe kjo solli përçarjen e tyre. Këto i kam nga eksperienca ime pasi i kam përjetuar vetë.
Motra e juaj, artistja e madhe e Kombit, Drita Pelingu, pati një karrierë të gjatë dhe të jashtëzakonshme në fushën e artit. Si i mbijetoi diktaturës me dy vëllezër në burg?
Siç e kam theksuar në fillim të kësaj interviste, në kohën e luftës dy motrat e mia, Drita dhe Fatushja, nxënëse të shkollës pedagogjike “Nana Skënderbej”, kanë qenë të lidhura me lëvizjen nacionalçlirimtare. Me përfundimin e luftës Drita u njoh me këngëtarin e njohur Hysem Pelingu, ish themeluesin e operas shqipatre, komunist i vitit 1942, me të cilin u dashuruan. Ishte ndër të parat që themeluan teatrin kombëtar shqiptar që në atë kohë quhej ‘Teatri Popullor”. Fisi i jonë nuk ka qenë i angazhuar me asnjë nga forcat politike nacionaliste gjatë luftës. Nuk kemi pasur asnje person të arratisur apo dënuar si kundërshtar i regjimit. Ndaj, siç e kam theksuar, u çuditëm kur na dëbuan nga Tirana për motive politike. I vetmi aktivitet kundër pushtetit të atëhershëm ishte ai i joni, dy vëllezërve.. Ky veprim ndikoi edhe tek Drita. Të gjitha shoqet e saja u nderuan me titullin “Artiste e Popullit”, ndërsa ajo vetëm në vitin 1987 mundi të marrë titullin “Artiste e Merituar”. E njejta gjë ndodhi edhe me të shoqin. Megjithatë lufta e klasave vazhdonte në gjirin e teatrit. Në dramat shqipe asaj do t’i jepnin pothuajse gjithmonë rolet e borgjezeve. Të tilla janë për shembull Butja, Muladesi, Kujdestarja e shkollës pedagogjike e të tjera. Kur vunë në skenë një dramë rumune të Karaxhales, titulli i së cilës nuk më kujtohet dhe ku Drita ishte e vetmja aktore femër, i ftoi për një vizitë ambasadori rumun. Në këtë ceremoni Drita nuk mori pjesë sepse nuk ishte përfshirë qëllimisht në listën e pjesëmarrësve. Megjithatë Drita, duke e ditur shkakun e kësaj qëndronte e heshtur dhe nuk shfaqte asnjë pakënaqësi. Kjo e bëri që të mbijetonte. Por një faktor tjetër që e mbajtën në teatër ishte bashkëshorti i saj. Hysen Pelingu ishte një burrë i rrallë. Duke e ditur gjendjen politike të familjes tonë ai nuk mendoi kurrë të braktiste Dritën siç vepruan shumë nga komunistët e tjerë. Madje sa herë që do të vinte në Vlorë për ndonjë koncert, do të vinte patjetër tek ne. Edhe pushimet e verës i bënin në plazhin e Vlorës dhe unë shkoja lirisht në gabinën e tyre për të bërë plazh. Me pak fjalë ishte një burrë i rrallë.
Cilat janë disa nga projektet tuaja dhe konkretisht çfarë keni në dorë për të shkruar.
Deri më sot kam botuar katër romane “Shkallët e Ferrit”, “Sekreti i Varrit te Vetmuar”, “Në kërkim të Lirisë” dhe “Endrrat e thyera”, një libër me tregime “Një Tregim për Mikun Tim”, një libër me poezi “Dhimbje”, një libër me kujtimet e rinisë “Rini e Copëtuar” dhe një monodramë shkruar sipas motiveve të romanit “Shkallët e Ferrit” me titull “Hijet Lëvizin”.
Në faqet e shtypit të shkruar dhe atij viziv kam botuar mbi 300 artikuj me tema të ndryshme për të cilat po përgatitem t’i botojë në një përmbledhje të tyre të ndarë në dy volume. Jam duke përgatitur gjithashtu edhe një libër me tregime edhe këto të botuara në faqet e shtypit.
Ju faleminderit zoti Kripa dhe ju urojmë vetëm ditë të bardha!
Kënaqësia ishte e imja. Falermindërit juve!
Bisedoi Keze Kozeta Zylo
Mars 2016
Staten Island, New York
Reshat Kripa says
Faleminderit per botimin e intervistes. Ne te jane pasqyruar jeta ime, mendimet e mia, brengat e mia dhe mbi te gjitha si e shikoj une te ardhmen e vendit tim. Faleminderit edhe nje here.