Sokol Paja/
Shtypi katolik shqiptar zë një vend shumë të rëndësishëm në historinë e shtypit shqiptar. Shtypi katolik shqiptar gjatë gjithë veprimtarisë së tij ia kushtoi çështjes kombëtare, edukative, fetare dhe morale. Shtypi katolik shqiptar i bëri jehonë kombit e shtetit shqiptar dhe luftoi për bashkimin e trojeve në shtetin amë dhe njohjen e çështjes shqiptare në kancelaritë diplomatike të Europës.
Revista “Leka” që lindi si organ i shoqatës me të njëjtin emër Leka, kishte si qëllim kryesor kujtimin e kremtimeve për nder të kolegjit, dhe për të pasur ish-nxënësit katolik të kolegjit saverian në Shkodër një lidhje vëllazërore, jo vetëm morale por edhe materiale dhe më kryesorja vijimin e edukatës kulturore të fituar në kolegj dhe duke u munduar me shpirt dhe me zemër që ta përhapin në mbarë popullin sidomos në atë kohë që Shqipëria kishte nevojë me të vërtetë. Argëtimi, edukata, kultura, bamirësia, dhe lidhja e vërtetë mes anëtarëve bëri që edhe kjo revistë katolike të shërbejë për qëllime të larta të kombit shqiptar. Revista “LEKA” ishte një revistë e përmuajshme në botim me ndikim të madh kulturor dhe atdhetar në Veriun e Shqipërisë sidomos. Revista “LEKA” ishte organ i Shoqatës L.E.K.A. (Lidhja-Edukimi-Kultura-Argtimi) u themelua më 9 dhjetor 1928 nga ish-nxënësit e Shkollës së Jezuitëve në Shkodër (Kolegja Saveriane) e cila ka qenë gjithmonë një vatër kulturore-patriotike, fetare dhe atdhetare. Kontributi i jezuitëve në historinë e shtetit shqiptar, në botimet, në arsim dhe edukim mbetet i një rëndësie shumë të veçantë. Revista “LEKA” u ideua prej Jezuitëve si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike ku trajtoheshin tema nga me të ndryshmet kryesisht edukative, patriotike dhe fetare. Në këtë revistë asokohe shkruante elita fetare e kombit shqiptar. Shtypi katolik i Shkodrës ka pasur një ndikim shumë të madh në rritjen e ndërgjegjes patriotike, morale, edukative e fetare te lexuesit shqiptar. Numri i parë i revistës “LEKA” doli në qarkullim në Prill të vitit 1929 deri në vitin 1941. Pati një ndërprerje të përkohshme nga vitet 1941-1942 për të vazhduar botimin deri në vitin 1944 kur komunistët erdhën në pushtet dhe rrafshuan çdo gjë fetare në Shqipërinë ateiste. Shtypi katolik me ardhjen në pushtet të partisë komuniste filloi të përndiqet dhe u mbyll shpejt, pasi për këtë parti dhe shoqëri të kohës nuk pranohej mendimi ndryshe dhe veprimtaria e shtypit katolik biente ndesh me ideologjinë e partisë. Shtypi Katolk shqiptar megjithëse u mbyll dhe u persekutua në mënyrën më të tmerrshme që njohu historia me turturat që u bënë ndaj katolikëve, përsëri ky shtyp me vlerat dhe meritat që pati në zhvillimin dhe kultivimin e ideve atdhetare, zhvillimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e shoqrisë shqiptare, njohjen e çështjes shqiptare në evropë e shumë merita të tjera në jetën shqiptare, ky shtyp do të jetë përherë tribunë atdhedashurie dhe përbën një faqe të ndritur në historinë e shtypit dhe të popullit shqiptar.